Ky ishte një ndër operacionet më të mëdha të riatdhesimit vullnetar. Sipas Shefit të Komisariatit të Policisë Rinas, Përparim Dema, ky operacion merr rëndësi nga fakti që kthimi i tyre është bërë vullnetarisht, çka konsiderohet si një element ndihmës në parandalimin e lëvizjes së parregullt në zonën Schengen.
Duke bërë një apel për shtetasit shqiptarë që të respektojnë rregullat e lëvizjes, Dema u shpreh se:

“Dua t’u bëj një apel gjithë qytetarëve shqiptarë të mos abuzojnë me lirinë e lëvizjes së lirë. Shqipëria është një vend i sigurt dhe i tillë konsiderohet edhe nga vendet e BE-së dhe kërkesat për azil nuk kanë shanse për t’u aprovuar”. Në lidhje me pasojat e mundshme që mund të bien mbi personat që shkelin rregullat e lëvizjes së lirë në vendet e BE-së, Dema tha: “Deportimi nga vendet e BE-së shoqërohet edhe me masa të tjera shtesë, që janë edhe ndalimi deri në disa vite i udhëtimit në zonën Schengen”.Tre ditë më parë në Rinas u riatdhesuan edhe 100 shtetas të tjerë, të cilët u kapën në Francë, Belgjikë e Gjermani. Këta janë individë, ndaj të cilëve ka vendim ligjor për dalje nga territori francez, belg e gjerman, për shkelje të rregullave të lëvizjes në zonën Schengen. Ky operacioni riatdhesimi për shtetasit shqiptarë, u zhvillua në bashkëpunim me Frontex-in.

Kujtojmë se dje presidenti francez Emannuele Macron deklaroi se një ndër problemet shqetësuese që ka sot Shqipëria janë kërkesat e larta për azil, duke refuzuar kështu edhe çeljen e negociatave me BE.