Kosova

Banka Botërore: Të krijohen vende të reja pune në Kosovë

Zëvendës Presidenti i Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore, Cyril Muller ka përfunduar vizitën e parë në Kosovë, e cila është fokusuar në rritjen ekonomike dhe sfidat për zhvillim.
Ai ka marrë pjesë në diskutimet e lidhura me Diagnozën Sistematike të Vendit, si dhe me Strategjinë për Zhvillim të Kosovës për periudhën 2016-2021 të miratuar para pak kohe.

“Grupi i Bankës Botërore është i përkushtuar për të vazhduar ndihmën për Kosovën në mirëmbajtjen e stabilitetit makroekonomik, në përmirësimin e rrjetit të infrastrukturës dhe mjedisit për biznes, në përmirësimin e menaxhimit të burimeve natyrore dhe në ndërtimin e kapitalit njerëzor, me qëllim të arritjes së cakut afatgjatë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe ndërtimit të një vendi prosperues”, ka thënë Cyril Muller.

Gjatë vizitës së tij, Muller u takua me Kryeministrin e Republikës së Kosovës Isa Mustafa, me Ministra tjerë të Qeverisë, si dhe me diplomatë dhe partnerë të zhvillimit. Ai gjithashtu vizitoi edhe termocentralin Kosova A si dhe mihjet e tij, me qëllim që t’i kuptojë sfidat teknike, ambientale dhe sociale për tejkalimin e hendekut energjetik të Kosovës.

“Përkrahja për adresimin e mungesës së energjisë në Kosovë është një element i strategjisë më të gjërë të Bankës Botërore për të përkrahur zhvillimin ekonomik, si dhe për të përmirësuar konkurrueshmërinë dhe menaxhimin mjedisor. Duke punuar në sektorin e energjisë, është shumë e rëndësishme për vet Kosovën që politikat e saj t’u përmbahen praktikave më të mira mjedisore dhe sociale”, ka thënë Muller.

Programi aktual i Bankës Botërore në Kosovë është i ndërlidhur me Strategjinë për Partneritet me Vendin 2012–16, e cila, përmes mbështetjes së synimit të Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian, e ndihmon vendin që të përshpejtojë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës, si dhe të përmirësojë menaxhimin e ambientit. Sot, portfolio aktive kredituese e Bankës Botërore është rreth 131 milion dollarë amerikan kredi nga Asociation Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA), pjesë e Grupit të Bankës Botërore, për tetë projekte në fushën e energjisë, arsimit, reformës së sektorit publik, kadastrit, bujqësisë, shëndetësisë, dhe sektorit financiar. Portfolio e zotuar investuese për Kosovën nga Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), po ashtu pjesë e Grupit të Bankës Botërore, është 15.7 milion dollarë amerikan.

Që nga viti 1999, Banka Botërore ka ofruar dhe/ose menaxhuar në Kosovë rreth 400 milion dollarë amerikan përmes më shumë se 30 operacioneve, përfshirë fondet e mirëbesimit të financuara përmes granteve. Investimi kumulativ i IFC-së në Kosovë është rreth 390 milion dollarë amerikan, shumë kjo që përfshin fondet e mbledhura nga partnerët e IFC-së.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button