Banka e Shqipërisë: Pse ra ekonomia më shumë sesa pritej, sa e ndikuan TAP, energjia dhe lojërat e fatit
Në këndvështrimin sektorial, rritja ekonomike e tremujorit vazhdon të pasqyrojë zhvillimet negative në sektorin prodhues, të ndikuara kryesisht nga tkurrja e aktivitetit të lidhur me “Energjinë” dhe “Ndërtimin”. Edhe sektori i shërbimeve pakësoi lehtësisht kontributin e tij pozitiv, në reflektim të një aktiviteti më të ngadaltë në degët e “Pasurive të paluajtshme” dhe “Aktiviteteve profesionale e shërbimeve administrative”. Ndërkohë, aktiviteti tregtar vijon të gjenerojë ndikimin më të madh pozitiv për rritjen ekonomike, ndërsa shërbimet e tjera vazhdojnë të ndikojnë ecurinë ekonomike në kahun rënës, vlerëson Banka.
Banka e Shqipërisë ka bërë dhe një vlerësim të saj të brendshëm për ndikimet që kanë dhënë sektorët e ndryshëm në këtë ecuri.
Eektin kryesor e ka dhënë “Energji elektrike, gaz, avull, ajër i kondicionuar”, që ka ndikuar me -1.7 pikë përqindje (pp) të rritjes në tremujorin e parë dhe -0.9 pp në të dytin.
Gazsjellësi TAP ka ndikuar në -0.7 pp në tremujorin e parë dhe -0.6 pp në të dytin.
Mbyllja e aktivitetit të lojërave të fatit ka ndikuar rritjen ekonomike me -0.6pp në tremujorin e parë dhe -0.5 pp në të dytin.
Banka e Shqipërisë vlerëson se pa këto goditje në kahun e ofertës, rritja ekonomike do të ishte më e lartë, përkatësisht 5.5% në tremujorin e parë dhe 4.3% në të dytin.
Në terma të kërkesës agregate, “Konsumi final i popullatës” dha ndikimin kryesor në terma të rritjes, pasuar nga “Konsumi publik”. Kontributet këtyre dy komponentëve në rritje ishin më të lartë krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Nga ana tjetër, “Investimet” janë pakësuar në terma vjetorë, duke prodhuar një ndikim negativ në rritje. “Eksportet neto” u karakterizuan nga kontribute negativ, edhe më të thellë krahasuar me tremujorin e parë të vitit.. Shkak ka qenë rritja e shpejtë e importeve krahas një rritje të ngadaltë të eksporteve, vlerëson Banka.
Energjia dhe industria
Banka e Shqipërisë vlerëson se me gjithë zbutjen e ndikimit negativ, dega e “Energjisë” vazhdon të ndikojë ecurinë vjetore të PBB-së në kahun rënës me rreth 0.9 pikë përqindje nga 1.7 pikë përqindje një tremujor më parë. Gjithashtu, midis aktiviteteve industriale, “Industria e metaleve” gjeneroi një kontribut të lehtë negativ për rritjen ekonomike, rreth 0.1 pikë përqindje si në tremujorin e parë. Ndërkohë, degët e industrisë përpunuese dhe asaj nxjerrëse vlerësohet të kenë ndikuar rritjen ekonomike, respektivisht me 0.3 pikë përqindje secila. Një efekt negativ në ecurinë vjetore të PBB-së llogaritet të ketë dhënë edhe aktiviteti në ndërtim, tkurrja e të cilit u përkthye në një kontribut rreth -0.2 pikë përqindje. Sipas INSTAT, kontraktimi i aktivitetit në ndërtim vlerësohet të jetë i lidhur me projektin TAP. Për sa i takon aktivitetit në bujqësi, pyje e peshkim, rritja e tij vazhdon të mbetet me ritme të ulëta, duke u reflektuar në një kontribut rreth 0.4 pikë përqindje për rritjen ekonomike të tremujorit. Komponenti i taksave neto vazhdon të mbështesë ecurinë e aktivitetit ekonomik në të njëjtën masë si një tremujor më parë, përkatësisht me 0.5 pikë përqindje.
Shërbimet me rritje
Sektori i shërbimeve ngadalësoi lehtësisht ecurinë rritëse në tremujorin e dytë, në 4.1% nga 4.3% një tremujor më parë. Kjo u reflektua në pakësimin e kontributit të tij në rritjen ekonomike të tremujorit në 1.8 pikë përqindje nga 2.0 pikë përqindje në tremujorin e mëparshëm. Pothuajse të gjitha aktivitetet e shërbimeve dhanë kontribute pozitive në rritjen vjetore të PBB-së, me përjashtim të degës “Arte, argëtim, çlodhje dhe aktivitete të tjera shërbimi”, ndikimi i së cilës vijoi të jetë negativ rreth 0.5 pikë përqindje si një tremujor më parë. Degët e “Pasurive të paluajtshme” dhe “Aktiviteteve profesionale dhe shërbimeve administrative” pakësuan kontributet e tyre në rritjen ekonomike, përkatësisht në 0.4 dhe 0.1 pikë përqindje. Në të kundërt, shërbimet e lidhura me “Aktivitetet financiare dhe të sigurimit” shtuan lehtësisht ndikimin e tyre në rritjen vjetore të PBB-së nga 0.2 në 0.3 pikë përqindje. Ndërkohë, degët e tjera të shërbimeve si “Tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor”, “Administrata publike, arsimi dhe shëndetësia” dhe “Informacioni dhe komunikacioni” vijuan të kontribuojnë në të njëjtën masë si një tremujor më parë, respektivisht me 0.7, 0.4 dhe 0.3 pikë përqindje.
Përmirësohet konsumi
Në këndvështrimin e komponentëve të kërkesës agregate, rritja ekonomike në tremujorin e dytë vitit 2019 u mbështet nga kërkesa e brendshme. Më konkretisht, “Konsumit të popullatës” dha ndikimin kryesor duke u zgjeruar me 2.9% në terma vjetorë. Kjo normë rezulton më e shpejtë nëse krahasohet me tremujorin e mëparshëm (rritja reale vjetore e komponentit shënonte 2.5%). Kontributi i tij në rritjen vjetore të PBB-së vlerësohet rreth 2.3 pikë përqindje. Kontribute pozitive në rritje krahasuar me tremujorin e parë kanë ardhur edhe nga “Konsumit publik i cili u zgjerua më terma vjetorë me 4.4% (0.5% ishte rritja vjetore në tremujorin e parë 2019).
Investimet private në rënie
“Investimet” rezultuan me një rënie në vjetorë me 0.9%. Vlerësohet që ecuria është përcaktuar gjerësisht nga pakësimi i “Investimeve private” me 4.0% në terma vjetorë. Ndërkohë, vlerësohet që “investimet publike” janë zgjeruar me rreth në terma realë vjetorë me rreth 5.0%.
Thellohet deficiti
Komponenti i “Eksporteve neto” vlerësohet të ketë dhënë një kontribut negativ edhe më të thellë krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019. Deficiti tregtar i mallrave dhe shërbimeve është zgjeruar me rreth 12.6% në terma vjetorë duke gjeneruar një kontribut negativ në masën 1.7 pikë përqindje në rritjen ekonomike.
“Eksporti i mallrave dhe shërbimeve” u zgjerua me rreth 3.2% ndikuar nga rritja vjetore e “eksportit të shërbimeve” me rreth 9.2%. Nga ana tjetër, “eksporti i mallrave” u pakësua me rreth 12.9% në terma vjetorë ndikuar nga ecuria e eksportit të energjisë elektrike. Kontributi i eksportit total në rritjen ekonomike vlerësohet në nivelin 0.9 pikë përqindje.
Nga ana tjetër, rritja “importit të mallrave dhe shërbimeve” u përshpejtua ndjeshëm gjatë tremujorit të dytë të vitit. Rritja vjetore ka shënuar 6.0% krahasuar me 2.4% në tremujorin e parë të vitit 2019. Përshpejtimi ka buruar kryesisht nga zgjerimi i shpejtë i “importit të shërbimeve”. Rritja e komponentit në terma vjetorë është ngjitur në 10.4% nga 0% në tremujorin e parë. Nga ana tjetër, “eksporti i mallrave” shënoi një rritje vjetore prej 3.8% krahasuar me 3.5% në tremujorin e mëparshëm.