Barcelona në krizë identiteti, Koeman i ka orët të numëruara
Kjo është situate te Barcelona, ku pas disfatës poshtëruese 3-0 ndaj Bayernit, erdhi edhe barazimi 1-1 me Granadan që në javën e pestë kërkon ende fitoren e saj të parë në La Liga. Barazim i vuajtur i katalanëve në të 90-ën me Araujo. Tiki-Taka nuk ekzistoi, Barcelona ngjante me një skuadër angleze të viteve 70-të.
Koeman nuk dorëzohet, por e di që Presidenti Joan Laporta, pasi i kishte thënë qartë se nuk ishte i bindur për qëndrimin e tij në stolin e Barçës, e konfirmoi vetëm se i mungonin alternativat. Megjithatë holandezi del hapur teksa shprehet: Kjo nuk është Barcelona e 8 viteve më parë dhe me lojtarët që kemi në dispozicion bëmë maksimumin.
Pyetja që të gjithë shtrojnë tani është nëse ka të drejtë Koeman, apo është trajneri ai që nuk ia del të marrë më të mirën nga një grup që gjithsesi në letër duket kompetitiv dhe ku nuk mungojnë lojtarët interesantë.
Gjithsesi tekniku holandez i ka “orët e numëruara”, por problem është se pushimi i tij nga puna kushton, ashtu si edhe gjetja e një zëvendësuesi. Dhe kjo Barcelonë para nuk ka. Ndaj Granadas në “Camp Nou” mund të hynin 40 mijë persona, por u shitën vetëm 27 mijë bileta.
Nuk ka dëshirë për të ikur në stadium për të parë këtë skuadër, shumë larg asaj me të cilën ishin mësuar tifozët blaugrana. Koeman do të qëndrojë të paktën deri në ndeshjen e së enjtes me Cadiz. Pastaj luan sërish në shtëpi me Levanten dhe më vonë është transferta delikate për të sfiduar Benfikën në Champions.
Kalendar i komplikuar edhe për sa i përket gjetjes së një zëvendësuesi. Në mendjen e Laporta-s ka shumë emra, por Xavi është tërhequr prej kohësh, ashtu si dhe Jordi Cruijff, i marrë në rolin e drejtuesit dhe që e ka bërë të qartë se nuk do të kalojë nga tavolina në stol.
Katalani Roberto Martinez pëlqehet shumë, por është i lidhur me Belgjikën, ndërsa Antonio Conte, duke lënë mënjanë stilin e tij të lojës, është jashtë kapaciteteve ekonomike. Qarkullon edhe emri i Andrea Pirlos që në “Camp Nou” e adhuronin si lojtar. Është një listë që mjafton për të kuptuar konfuzionin që ekziston te Barcelona. Një Barcelonë që përveç Messit, parave dhe lojës, ka humbur edhe identitetin, dhe nuk di si t’ja bëjë për ta rigjetur.