Politika

Basha: Rama-Meta refuzuan heqjen e mandatit të Frrokut

Partia Demokratike njoftoi se Lulzim Basha “ka marrë mbështetjen e drejtuesve më të lartë të institucioneve evropiane për iniciativën e PD-së për dekriminalizimin”, gjatë takimeve me liderët e Partive Popullore Europiane.

“Rikthimi i vendimmarrjes qytetarëve dhe jo klane kriminale është objektivi ynë”, tha Basha në deklarata të shpërndara nga zyra e shtypit e Selisë Blu.

“Në të gjitha takimet që kam patur në Madrid, me të gjithë përfaqësuesit e qeverive apo institucioneve europiane, kam marrë mbështetje dhe përgëzime për qëndrimin tonë përsa i përket pastrimit të politikës shqiptare. Në radhë të parë të Parlamentit, por edhe të pushtetit vendor dhe qeverisë nga personat me rekorde të tmerrshme kriminale. Nuk ka njeri në Bashkimin Europian që nuk e di, nuk e njeh problemin e madh që ka Shqipëria sot dhe që nuk i është bashkuar thirrjes sonë për zgjidhje të shpejtë të këtij problemi. Për fat të keq, qeveria, ajo që e shkaktoi këtë problem, Edi Rama dhe partneri i tij Ilir Meta, vazhdojnë me këmbëngulje të mbrojnë veprën e tyre, gjëmën e tyre të shëmtuar për Shqipërinë dhe shqiptarët, inkriminimin e politikës. Siç është edhe rasti i fundit kur e refuzuan të heqin mandatin e Mark Frrokut, për të cilin ndërkohë ka nisur gjyqi në Belgjikë, siç refuzojnë një politikë të denjë dhe të pastër për qytetarët shqiptarë duke kandiduar persona me rekorde kriminale në zgjedhjet e fundit për kryetarë bashkish. Ne jemi te vendosur për kalimin e ligjit për dekriminalizmin dhe ç’është më e rëndësishmja, implementimi i këtij ligji, nxjerrja e kriminelëve jashtë nga Kuvendi, jashtë nga zyrat e kryetarëve të bashkive të cilat fituan dhunshëm në zgjedhjet e kapura dhe të prishura të 21 qershorit, jashtë nga sferat e vendimmarrjes. Rikthimi i vendimmarrjes qytetarëve dhe jo klaneve kriminale që e kanë zaptuar për të rrjepur popullin, asetet publike, pasuritë publike dhe vendimmarrjen publike është misioni ynë”, tha Basha.

Lidhur me çështjen e CEZ-it, Basha ka shprehur dhe njëherë vendosmërinë e opozitës për t’i shkuar deri në fund zbardhjes së kësaj afere korruptive. Ndonëse projektligji për hetimin e saj është në Parlament të njëjtat persona që e ndaluan me ligj hetimin e aferës më të madhe korruptive, aferës së CEZ-it po bëjnë gjithçka për të penguar zbardhjen e së vërtetës.

“Nuk ka rrugë tjetër për Shqipërinë përveç një hetimi të mbështetur nga ekspertiza ndërkombëtare siç e kemi kërkuar me propozimin, ligjin që kemi çuar në Parlament, i cili po mbahet dhe nuk po votohet nga të njejtat persona që e ndaluan me ligj hetimin e aferës më të madhe korruptive, aferës së CEZ-it. Janë marrë 600 milionë euro, janë marrë pra një shumë e barabartë me gjithë fondin e pensioneve të Shqipërisë, janë zhdukur, janë vjedhur, janë ndarë. KLSH tashmë ka treguar edhe përmes dokumentave zyrtare edhe fajtorët e parë, personat e parë përgjegjës që janë ministri përkatës dhe zyra e Avokatit të Shtetit. Sigurisht urdhri ka qenë një urdhër politik, këtë e kemi kuptuar, këtë madje edhe e kanë pranuar. Nuk mund të ketë dhe nuk do të ketë asnjë tërheqje të opozitës për zbardhjen e kësaj afere korruptive”, tha Basha.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button