Bashkëdrejtuesit e Deutsche Bank japin dorëheqjen
Strategjia e re e Deutsche Bank parashikon një rrudhje të biznesit me klientët privatë dhe ndarjen nga Postbank.
Pas kritikave të ashpra ndaj kursit të tyre bashkëdrejtuesit e Deutsche Bank, Jürgen Fitschen dhe Anshu Jain njoftuan papritur dorëheqjen. Jain do të largohet që më 30 qershor 2015, kurse Fitschen pas mbledhjes së përgjithshme të aksionerëve në maj 2016. Anëtar i bordit John Cryan (54) u emërua që nga 1 korriku 2015 si bashkëdrejtor ekzekutiv i Deutsche Bank. Pas dorëheqes së Fitschen, Cryan do të jetë drejtori i përgjithshëm i vetëm i Deutsche Bank.
Britaniku Cryan është që prej vitit 2013 Anëtar i Bordit Mbikëqyrës të Deutsche Bank si dhe Kryetar i Komitetit të Auditimit. Ai është gjithashtu anëtar i Komitetit të Riskut. Me emërimin e tij si bashkëkryetar i bordit ai do të japë dorëheqjen nga posti i tij si anëtar i Bordit Mbikëqyrës të Bankës.
Bordi mbikëqyrës i kërkoi Jain të qëndrojë deri në janar 2016 si këshilltar për bankën. Fitschen do të garantojë mbarëvajtjen e periudhës kalimtare dhe do të qëndrojë në detryë deri në fund të mbledhjes së përgjithshme më 19 maj 2016.
Kryetari i Bordi Mbikëqyrës Paul Achleitner i falënderoi Jain dhe Fitschen: “vendimi për t’u larguar nga posti më herët se ishte planifikuar, tregon në mënyrë mbresëlënëse, se ju vini interesat e bankës përpara interesave personale”. Jain, tha se pas përcaktimit të strategjisë së re, e cila parashikon kryesisht një rrudhje të biznesit me klientët privatë dhe ndarjen nga Postbank, “është koha për të marrë vendimin e duhur si për bankën dhe për mua, dhe për të vendosur një udhëheqje të re”. Cryan tha: “E ardhmja jonë varet se sa mirë do të vëmë në jetë strategjinë tonë, për t’i bindur klientët tanë dhe për të reduktuar kompleksitetin.”
Në kritikë prej vitesh
Procese gjyqësore me shpenzime në miliarda, një e kaluar e palavdishme dhe një zhvillim i dobët i çmimit të aksioneve: dueti Jain / Fitschen ka vite që është në fokus të kritikave. Në mbledhjen e përgjithshme të këtij viti ata e pranuan edhe vetë se që nga qershori 2012 puna e tyre e deritanishme nuk ishte një histori e vërtetë suksesi. Aksionarët nuk i bindi qëndrimi i tyre. Ata u treguan dy drejtuesve kartën e verdhë: Jain dhe Fitschen u liruan nga detyra vetëm me 61 për qind të votave. Zakonisht në raste të tilla janë të zakonshme të pakten 90 përqind apo më tepër. Por kjo nuk kishte pasojat direkte, sepse vetëm këshilli mbikqyrës mund të vendosë për shkarkimin e anëtarëve të bordit.