Rajoni

Bashkëpunimi 10-vjeçar Kinë-vendet e EQL-së: Tregtia ndërmjet Kinës dhe vendeve të EQL-së arriti në 136.2 miliardë dollarë

Të mërkurën u zhvillua simpoziumi i përfaqësuesve të instituteve të studimit të politikave nga Kina dhe vendet e Europës Qendrore e Lindore, ku iu hodh një vështrim bashkëpunimit ndërmjet Kinës e këtyre vendeve në dekadën e fundit dhe u paraqit perspektiva e bashkëpunimit dypalësh në të ardhmen.

Në vitin 2012 u krijua mekanizmi i Bashkëpunimit Kinë-Vendet e EQL-së, i cili u bë një platformë e rëndësishme për thellimin e marrëdhënieve miqësore dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet të dy palëve. Gjatë dhjetë vjetëve, bashkëpunimi Kinë-vendet e EQL-së jo vetëm u ka sjellë përfitime kompanive e popujve të të dy palëve, por edhe ka dhënë ndihmesë të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve kino-europiane dhe paqen e lulëzimin rajonal.

Ceremoninë e hapjes së simpoziumit e kryesoi zv.drejtori i Institutit Europian të Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës Liu Zuokui. Ai tha se, gjatë dhjetë vjetëve, mekanizmi i Bashkëpunimit Kinë-Vendet e EQL-së ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në promovimin e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar, të shkëmbimeve njerëzore etj. Në dekadën e fundit, vëllimi i tregtisë ndërmjet Kinës dhe vendeve të EQL-së u rrit 1.4 herë dhe arriti në 136.2 miliardë dollarë në vitin 2021. Eksporti i produkteve bujqësore të vendeve të EQL-së në Kinë u shtua 1.5 herë. Në vitin 2019, numri i turistëve kinezë në vendet e EQL-së u rrit rreth katër herë në krahasim me vitin 2012, kur nisi mekanizmi i bashkëpunimit, duke arritur në 2 milionë e 166 mijë veta. Njëkohësisht, trenat e mallrave Kinë-Europë kanë mbuluar shumicën e vendeve të EQL-së.

Në fjalimin e mbajtur në simpozium, përfaqësuesja e posaçme e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës për çështjet e bashkëpunimit Kinë-vendet e EQL-së dhe ish-ambasadorja kineze në Shqipëri e në Rumani Jiang Yu vlerësoi lart rezultatet e arritura gjatë dhjetë vjetëve pas krijimit të mekanizmit të Bashkëpunimit Kinë-Vendet e EQL-së. Ajo u shpreh se Kina do të punojë së bashku me vendet e EQL-së për të promovuar ndërthurjen e mekanizmave të bashkëpunimit rajonal, duke ndjekur mënyra të shumëllojshme bashkëpunimi për krijimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit.

Përfaqësues të instituteve të studimit të politikave nga Kina, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Greqia, Hungaria, Mali i Zi, Polonia, Maqedonia e Veriut, Rumania, Serbia, Sllovakia, Slovenia etj. shprehën mendimet e tyre në këtë simpozium.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button