Opinion

Beleri, bela me duart tona

Nga Lutfi Dervishi

Lajm i madh sonte është vendimi i Këshillit Europian që në kushtet e agresionit rus ndaj Kievit, në kushtet krizës në Lindjen e Mesme mori vendimin për të hapur negociatat me Ukrainën dhe Moldavinë! Gjeorgjia merr statusin e vendit kandidat. Bosnja- hap negociatat sapo të plotësojë disa kushte.

Momenti i artë gjeopolitik solli vendime të rëndësishme për të ardhmen e BE-së. Por ne këtë radhë morëm “fjalë të mira dhe gurë në trastë”.
Shqipëria, “Europa e Ballkanit” për shkak të vetos greke është bllokuar për të marrë datën për Mbledhjen Ndërqeveritare.

Nëse nuk do të ishte veto greke, sot do të ishte një lajm i mirë edhe për Shqipërinë.
Greqia po dëmton Shqipërinë duke e bërë mizën buall. Nuk është gjest miqësor ndaj fqinjit bllokimit.
Por, duam apo nuk duam, Greqia e ka treguar se ka bllokuar Maqedoninë për 10 vite për emrin, duam apo nuk duam Greqia një çështje dypalëshe e ka shtruar në tavolinën e 27 vendeve anëtare. Para interesave të mëdha, vendet aspirante në BE dhe NATO kanë marrë vendime të vështira, – Maqedonia, përballë Athinës dhe Sofies, Suedia para kërkesave të Turqisë për anëtarësim në NATO.

Çfarë kërkohej nga Shqipëria në këtë moment?

Shqipëria ka qenë e paralajmëruar prej kohësh për çështjen Beleri. Minimumi që mund të bëhej është një Beleri të mos kthehej në bela. Kanë qenë, dhe jane të gjitha mundësitë, që vetë Drejtësia jonë tepër perfekte, pas 7 muajsh të kishte mbaruar hetimin dhe gjykimin për një çështje në flagrancë. Vetë kryeministri mund të kishte bërë mesazhe politike për një hetim të shpejtë, profesional dhe të pavarur.

Pastaj nuk shkon që ne angazhohemi të zgjidhim mosmarrëveshjet mes Serbisë dhe Kosovës, të angazhohemi të zgjidhim probemin e madh të Italisë me refugjatët, dhe për më tepër të sugjerojmë edhe formula për zgjidhjen e konfliktit 75 vjeçar mes Izraelit dhe Palestinës.
Humbja e kësaj date kalendarike në rrugën drejt BE-së nuk është fatale sepse jemi mësuar që vonesat kryesisht i shkaktojmë vetë (kujto rastin e këshillit të qarkut të Fierit që u bë problem i madh për opozitën e kohës për të votuar 3 ligjet më 2012 që na kushtuan më shumë se 10 vjet)
Por këtë radhë me zgjedhjet e reja për Parlamentin Europian dhe kohën që do të marrë procesi i konstituimit të Parlamentit dhe formimit të Komisionit të ri, mund të humbasim plot dy vjet. Dhe ky nuk është lajm i mirë për “ushtrinë” prej 1000 personash që punoi me dedikim dhe entuziazëm gjatë procesit të skanimit. Nuk është lajm i mirë as për vendin.
Çështja Beleri do të zgjidhet, por është një çështje që për një plesht po “djegim” jorganin.
Dhe për këtë nuk na ndihmon dot Inteligjenca Artificiale. Duhet përdor Inteligjenca Natyrale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button