Berisha flet pas përfundimit të protestës: Edi Rama, fundi yt është i pashmangshëm
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka falënderuar protestuesit që morën pjesë në protestën e sotme në kryeqytet, pavarësisht shiut dhe pengesave të vendosura nga policia.
Në një deklaratë nga oborri i selisë blu Berisha e quajti protestën një betejë për liri dhe dinjitet kombëtar kundër asaj që ai e cilësoi si “narkoregjimin” e Edi Ramës.
“Së pari, një mirënjohje të pakufishme për të gjithë ju që sot, këtë ditë shiu, këtë ditë jo të lehtë, latë çdo gjë dhe si elitë e vërtetë e guximit të kombit dolët në shesh për t’u përballur me të keqen më të madhe të shqiptarëve.
Për t’u përballur me narkoregjimin e Edi Ramës, Lubi Ballukut dhe Lindave të tij. Sot, regjimi dëshmoi përsëri fytyrën e tij të vërtetë, bllokoi marshimin paqësor tonë. Bllokoi marshimin tonë paqësor. E garantoj se do të ketë të gjithë përgjegjësitë që meriton”, tha Berisha.
Ai akuzoi forcat e rendit se bllokuan marshimin paqësor të opozitës, duke theksuar se “regjimi dëshmoi përsëri fytyrën e tij të vërtetë”. Berisha paralajmëroi se përgjegjësit do të mbajnë përgjegjësi të plotë.
“Miq, nuk ka polici në botë që mund një popull kryengritës. Ta harrojnë, kurrë! Dhe ne jemi në këtë betejë me moton e hershme të shqiptarëve, ja të vdesim, ja të rrojmë për liri”, u shpreh Berisha.
Berisha akuzoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama për korrupsion të gjerë, vjedhje të pasurive kombëtare dhe fondeve publike, duke thënë se kjo ka çuar në varfërimin dhe emigracionin masiv të shqiptarëve.
“Beteja jonë është betejë për dinjitetin e çdo shqiptari. Beteja jonë është betejë për të ardhmen e Shqipërisë. Beteja jonë është betejë, është kryengritje kundër regjimit më të keq, kundër mafies më të rrezikshme që Shqipëria ka njohur në tërë historinë e saj. Asgjë nuk do mund të na mposhtë ne pa nisur në burg Lubi Ballukun, atje ku e ka vendin kjo hajdute e pafytyrë, që për fytyrë ka vjedhjen dhe cinizmin. Pa larguar nga pushteti dhe dërguar para ligjit kriminelin Edi Rama që i ka dhënë pushtetit të sotëm moralin e etereve të tij xhelatë. Por ne jemi në këmbë. Edhe njëherë, kam një mirënjohje të pakufishme. Asgjë nuk u dekurajoi ju sot”, tha ai.
Kreu i demokratëve e cilësoi fundin e Ramës si “të pashmangshëm”, ndërsa falënderoi edhe një herë protestuesit që nuk u dekurajuan nga moti i keq.
“As terrori i policisë së radhës së kaluar, as moti, as propaganda e turpshme e mafies mediatike që këndon, që mban në 24 orë ison e propagandës së Edi Ramës, vetëm e vetëm se si mamuthë, si shushunja pinë gjakun, paguhen me paratë tuaja për t’u mashtruar ju. Jo, jo, kjo kohë do marrë fund. Ja pse jemi ne në këmbë. Dhe në mënyrë absolute asgjë nuk na mposht. Edi Rama, dije mirë se të ardhme nuk ke. Fundi yt është i pashmangshëm. Lubi Balluku, Lindat e shpifura të AKSHI-t dhe Surrelit, në burg tek Lubia do shkoni për vjedhjet që keni bërë”, përfundoi Berisha.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.