Berisha me Departamentin e Arsimit të Lartë, Shkencës dhe Inovacionit: Transparenca, dimensioni jetik i digjitalizimit
Kryetari i grupit të Rithemelimit të PD-së, Sali Berisha zhvillon sot një konferencë me Departamentin e Arsimit të Lartë, Shkencës dhe Inovacionit në bashkëpunim me University of New Haven, Amerikë me temë, “E ardhmja e arsimit shqiptar përmes teknologjisë dhe informacionit.”
Në fjalën e tij, Berisha vuri theksin te rëndësia e digjitalizimit duke e konsideruar jetik për një shoqëri.
“Po të shohësh arsimin tonë, është në rrënim, është në shkatërrim. Shqipëria në analet e historisë do të mbetet në këto vite, rasti klasik i rrënimit të një kombi, rrënimit të një shteti, rrënimit të sistemeve të këtij shteti nga dy faktorë: vjedhja dhe droga. Nuk duhet të bëj një analizë të gjatë të kësaj, por do ndalem vetëm te arsimi. Nëse digjitalizimi dhe mosha digjitale kanë një dimension jetik për një shoqëri, është transparenca që ajo sjell në të gjitha fushat ku aplikohet. A mund të imagjinohet që, pikërisht në këtë fushë, Edi Rama ka vendosur blackout të plotë”,-tha Berisha.
Po ashtu Berisha tha se ajo që duhej të ishte modeli i transparencës, është modeli i blackout-it.
“Arsimi është viktimë e kleptokracisë dhe në rrafshin psikologjik, jam përpjekur dhe përpiqem të analizoj qëndrimin e këtyre qeveritarëve ndaj qytetarëve, ndaj arsimit, ndaj shëndetësisë. Në Shqipëri, një pedagog universiteti paguhet tre herë më pak se shoferi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Një pedagog paguhet më keq se në diktaturën hoxhiste. Bllokoi doktoraturat në një akt prej injorantësh, ua la universiteteve private se ndante me ta taksat që u viheshin doktorantëve. Katastrofë është gjendja në arsimin parauniversitar. Është partizuar tërësisht, janë përdorur të gjitha format për ta shndërruar në arsim socialist. Portali është një kurth, një mashtrim. Profesioni i mësuesit nuk pëlqehet më. Faktori demografik është një tjetër faktor shkatërrues për arsimin tonë. Këtë vit Mirdita kishte vetëm 100 nxënës në klasat e para. Investimet janë bllokuar totalisht në zonat rurale, çka do të thotë largim, shpopullim.Të gjitha këto janë probleme të mëdha, por ne nuk duhet të dorëzohemi para tyre”, u shpreh Berisha.