Berisha: Në përputhje me rezolutën e votuar në Kuvend, detyra jonë është të organizojmë Mosbindjen Civile
Kryesia e Partisë Demokratike është mbledhur sot në mesditë pas zhvillimeve të vrullshme paradite në parlament, ku u panë përleshje të gardistëve me deputetët e opozitës, pa dallim, për të mos i lejuar ata të hyjnë në sallën plenare.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, e hapi mbledhjen me këtë deklaratë:
Kjo është mbledhja e parë e kryesisë së PD pas Kuvendit të partisë, në të cilën votuam një rezolutë si program pune për PD-në, si detyrim programor i Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar, anëtarësisë së partisë në qëndrimet, përpjekjet tona, në përballjen tonë me këtë regjim i cili në fakt po diskreditohet, por nga ana tjetër po bën çdo përpjekje për t’u mbajtur në pushtet me çdo çmim, me çdo kusht.
Rezoluta përcakton qartë të gjithë qëndrimet që ne duhet të mbajmë për të përmbushur misionin tonë të vështirë, por jetik për fatin e demokracisë shqiptare
Është themelore që çdo anëtar i kryesisë së PD, çdo anëtar i Këshillit Kombëtar të PD, çdo delegat i Kuvendit Kombëtar të PD, çdo drejtues dege dhe anëtar kryesie të degëve tona, çdo anëtar dhe anëtare, të përputhin qëndrimet e tyre me këtë rezolutë, e cila ka shpallur si lajtmotiv betejën pa kthim dhe mosbindjen civile.
Rezoluta konstaton vendosjen e diktaturës, mobokracisë në Shqipëri.
E vërteta është se që këtu fillon puna jonë. Sepse njerëzit që lëvizin lirshëm, njerëzit që ushtrojnë aktivitet biznesi, që shesin dhe blejnë, që krijojnë dhe prodhojnë, nuk e kanë shumë të thjeshtë të konceptojnë se Shqipëria është në një diktaturë.
Por këtyre qytetarëve, këtyre politikanëve, këtyre mbështetësve, këtyre kundërshtarëve, u rikujtoj se koha ka faktuar në mënyrë përfundimtare, nuk na ka lënë ne që të analizojmë se diktaturat ekzistojnë edhe me tregun e lirë. Se diktaturat ekzistojnë edhe me lëvizjen e lirë.
Vietnami komunist, shtet i një partie me Kushtetutë, Shqipëria, shtet pluralist me Kushtetutë, kanë në treguesin e zbatimit të ligjit, Vietnami vendoset 4 shkallë mbi Shqipërinë.
Shqipëria nuk është një diktaturë e bazuar në doktrinën marksiste-leniniste, por të bazuar te bandat.
Nuk gjeni kapitalizëm më të egër se në Kinë, por Kina është shtet njëpartiak me Kushtetutë dhe askush nuk dyshon në monopolin e shtetit nga Partia Komuniste.
Pra, është një çështje thelbësore kjo në rrafshin botëkuptimor dhe është detyrë primare e jona, është detyrë thelbësore e jona, të qartësojmë çdo shqiptar se pse Shqipëria është një diktaturë.
Në këtë vend, i gjithë pushteti është në duart e një njeriu. Ju garantoj se është më shumë se ç’ka qenë në vitet e fundit të diktaturës komuniste në Shqipëri.
Së dyti, në përputhje me rezolutën e votuar me unanimitet në Kuvend, detyra jonë është të organizojmë, të nxisim frymën e mosbindjes civile. Në akte të vogla, në akte të mëdha, por të bindur se vetëm mosbindja civile do mund të shpëtojë Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare nga kjo diktaturë, e cila bazohet kryekëput në mashtrimin, por dhe në dhunën, në terrorin ndaj opozitës, ndaj medieve, ndaj shoqërisë civile, ndaj faktorëve kryesorë të një demokracie.
Dua të jem i hapur, propaganda është toksike në diktaturën mobokraci të Edi Ramës.
Ju e keni parë, foli sulltani, pushtoi të gjithë ekranet. Një propagandë për të cilën shpenzohen qindra milionë.
Kështu që përsëri theksoj, për luftëtarët e mosbindjes civile, mjeti më kryesor i propagandës mbeten mediat sociale, rrjetet sociale.
Ato kanë meritë të jashtëzakonshme. Nuk kanë censurë, nuk censurohen dot.
Pra, kërkohet nga çdonjëri prej nesh të arkivojmë qëndrimet opozitare të para mosbindjes civile dhe të kalojmë si opozitë vetëm në mosbindje civile.
Rrugë kjo me sakrifica, por rrugë kjo shumë e sigurt për fitoren tonë.”