Berisha: Ta çojmë vendin në zgjedhje të parakohëshme
Ish kryeministri Sali Berisha, duke renditur një sërë akuzash të forta për lidhje të kryeministrit Rama dhe ministrave të tij me bandat kriminale më të rrezikshme në vend, u bëri thirrje shqiptarëve që të ngrihen për zgjedhjet të parakohëshme. Për Berishën ky është kusht i të gjitha kushteve për të shpëtuar proçesin e integrimit dhe vendin nga mafia, korrupsioni dhe ministrat që vjedhin tenderat. Një tjetër akuzë të fortë ai bëri për prokurorinë në lidhje me arrestimin e ish guvernatorit të BSH, Ardian Fullani, duke thënë se “prokurori i shtetit mori në telefon gjyqtarin duke e kërcënuar që ta mbante në burg”. Por ai foli për lidhje të qeverisë me krimin edhe në rastin e vrasjes së katërfishtë të Kostandin Xhuanit. Tha se policia tentoi me të gjitha mënyrat që ta shpëtonte, por u ndalua nga qytetari Enver Basha, i cili u përplas rastësisht me Xhuvanin, teksa po kthehej në shtëpi me motoçikletë.
“Enver Basha i del përpara i merr pistoletën Xhuvanti dhe ia dorëzon policit të parë që vjen. Si mbrohej (Xhuvani)? Merret revolja e Kostandinit dhe i hidhet djalit të Skënder Demirit. Arben Demiri mbahet aty rreth 30 minuta duke rrjedhur gjak dhe nuk çohet për ndihmë. Pse? Sepse po dilte Enver Basha para policëve dhe policia pranote dëshminë. Njëri prej dëshmitarëve u vetëvra. E zhdukën. (Bëhet fjalë për njërin nga pronarët, Andrea Omiro). (video më poshtë)
Lidhje të qeverisë dhe policisë me krimin bëri edhe me atentatin ndaj Emiljano Shullazit. E akuzoi Shullazin edhe për atentatin ndaj Fatmir Kurtit, më 24 shtator të vitit të shkuar.
“I kemi të pashlyeshme skemat kur një rom, diku në fund të unazës qëllohet. Ishte banda e Shullazit që e qëlloi se donte t’i merrte shtëpinë për ta ndarë me ministrin tuaj. Për të ndërtuar (video 2 më poshtë)… Qëllohen te Rruga e Kavajës, në Qafë Kashar. Policia jep komunikata të rreme. Spitali jep komunikatë që është i plagosur. Didi i krimit me urdhër nga lart jep komunikata që nuk është i plagosur. Dhe çfarë bëjnë për ta nxjerrë të pafajshëm këtë bandit që u vë gjoba biznesmenëve? I ndajnë ngjarjet. Dhe pasi e përcjell Çipa, mik dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Genci Xhixhës, i dërgon si xhelat mesazhin kreut të opozitës. Dhe nuk e çon në polici për të bërë deponimin.”
Akuza të forta bëri edhe për lidhje të qeverisë me “Hakmarrjen për Drejtësi”. Tha se njeriu i saj është emëruar Drejtor i Policisë në Elbasan, pikërisht për faktin se Elbasani është aksi i drogës.
“Kalojmë tek banda superbanda. Kjo është qeveria e Hakmarrjes për Drejtësi, nga kreu i saj tek ministrat. Ato sms që kanë lëshuar në media nga Dabulla e Dhyti, janë lëshuar nga zyra jote (i drejtohet Ramës). Mos mendo që me banda t’i imponohesh opozitës dhe Sali Berishës. Kemi denoncuar Neritan Nallbatin në Elbasan. Hakmarrjen për Drejtësi nuk e kemi denuar ne. Meritën e dënimit e ka qeveria socialiste. U arritën të mblidhen prova, por e ka dënuar qeveria e Fatos Nanos…, gjykatat, por ajo qeveri. Kanë vënë autobombën me 6 të vrarë tek 9 -katëshet. Kanë thyer dhjetëra banka dhe si sikarë, xhelatë. Kanë vrarë dhjetëra qytetarë. Kanë vrarë Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve. Për këto krime i keni dënuar ju. Çfarë bëjnë tani. Denoncova në parlament rikthimin e Orik Shytit, flirtet me zyrtarët e lartë. Denoncova emërimin e bashkëpunëtorit të Hakmarrjes, sipas qeverisë suaj dhe ministrit tuaj, Igli Tokës. E ka shkarkuar nga policia si bashkëpunëtor të Hakmarrjes. Pse Nallbati u vu në Elbasan? Sepse është aksi i drogës Elbasani.
Shkojmë më tutje. Hakmarrja për Drejtësi është në komunikim konstant me ministrat, shefat politikë të saj. Ajo ka degëzimet e saj në të gjitha ministritë. Hakmarrja për Drejtësi është e lidhur me familjarë të kryeministrit. Nuk më impresonojnë mua as Dabullat, Shyti apo xhelati isigurimit të shtetit, Bobrati.”
Në fund të fjalës së tij, duke folur për një takim që zhvilloi me një përfaqësues të Parlamentit Europian, ai u bëri thirrje qytetarëve për zgjedhje të parakohëshme, duke thënë se ky parlament nuk mund të jetë si Parlamenti Europian, pasi në radhët e tij ka kriminelë e ministra që bashkëpunojnë me bandat kriminale.
“A jemi ne si ata? Jo nuk jemi, sepse nuk kanë ata në parlament vrarës e trafikantë dhe ministra që përdorin e darkojnë me bandat nuk kanë ministra që komunikojnë me Hakmarrjen dhe bandat e tjera. Nuk kanë kryeministër që organizojnë sulmet ndaj opozitës. U bëj thirrje shqiptarëve të ngrihemi fuqishëm dhe të çojmë vendin drejt zgjedhjeve të parakohëshme si kusht i të gjitha kushteve për të shpëtuar çështjen e integrimit dhe vendin nga mafja e korrupsioni dhe ministrat që vjedhin tenderat. Sepse asgjë nuk ka më të fortë se parimet dhe qytetarët.”