BERLIN – Sulmi me dron në Leipzig, Gjermania i përgjigjet Putinit: Rusia është përgjegjëse
BERLIN, 2 shtator /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul ka hedhur poshtë të mërkurën pretendimet e presidentit rus Vladimir Putin se Berlini ka “fabrikuar” prova për të fajësuar Moskën për një sulm të dështuar me dron në aeroportin e Leipzigut muajin e kaluar.
“E kundërta është e vërtetë”, deklaroi Wadephul në kuadër të një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së në Wicklow të Irlandës, një ditë pasi Gjermania e bëri zyrtarisht Rusinë përgjegjëse për incidentin e 4 gushtit dhe njoftoi masa ndëshkuese.
Putin i hodhi poshtë të martën akuzat, duke i cilësuar provat e paraqitura deri tani si “të fabrikuara”.
Ai pretendoi gjithashtu se reagimi i qeverisë së kancelarit Friedrich Merz ishte kryesisht i motivuar nga politika e brendshme.
Në aeroportin Leipzig/Halle, disa javë më parë, u zbulua një dron i ngarkuar me eksploziv pranë avionëve ukrainas të transportit të mallrave.
Njoftimi i Gjermanisë për përgjegjësinë e Rusisë erdhi pak para zgjedhjeve të rëndësishme në tre lande gjermane.
Wadephul hodhi poshtë pretendimet e Putinit se vendimi ishte bërë për arsye taktike elektorale.
Sipas tij, nëse zgjedhjet do të ishin marrë parasysh, qeveria mund të kishte shmangur akuzën publike ndaj Rusisë në këtë moment, pasi një hap i tillë “natyrisht që sjell shumë debat, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore në Gjermaninë lindore”.
Të dielën, votuesit në landin lindor Saksonia-Anhalt do të zgjedhin qeverinë e re rajonale, ndërsa dy javë më vonë zgjedhje do të zhvillohen në Meklenburg-Pomeraninë, në verilindje, dhe në qytetin-land të Berlinit.
Saksonia-Anhalt dhe Meklenburg-Pomerania kanë qenë pjesë e ish-Gjermanisë Lindore komuniste, ku një pjesë e popullsisë vazhdon të shfaqë qëndrime pro-ruse.
Wadephul tha se kishte marrë mbështetje të konsiderueshme nga homologët e tij të BE-së gjatë takimit në Wicklow, pasi Gjermania njoftoi mbylljen e konsullatës së përgjithshme ruse në Bon dhe të një institucioni kulturor rus në Berlin
Sipas ministrit gjerman, edhe vende të tjera të BE-së, përfshirë Francën, Holandën dhe Finlandën, kanë thirrur përfaqësuesit diplomatikë rusë lidhur me sulmin në Leipzig.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.