Kanceri i gjirit: Inteligjenca artificiale mund të parashikojë ecurinë e tumorit
– Dy studime të reja të publikuara në revistën shkencore “The Lancet Oncology” tregojnë se inteligjenca artificiale (IA) mund të ndihmojë në parashikimin e ecurisë së kancerit të gjirit, me rezultate të krahasueshme me vlerësimet e patologëve.
Studimet u kryen nga një ekip ndërkombëtar studiuesish, të udhëhequr nga Prof. Sherene Loi, onkologe dhe studiuese e kancerit të gjirit në Qendrën “Peter MacCallum” për Kancerin, në Melburn të Australisë.
Në studimin e parë “CATALINA”, studiuesit analizuan të dhëna nga shtatë prova klinike, ku morën pjesë më shumë se 1 300 paciente me kancer trefish negativ të gjirit, një nga format më agresive të sëmundjes.
Në studimin e dytë “APHINITY”, u analizuan të dhëna nga 4 805 paciente me kancer të hershëm të gjirit HER2-pozitiv.
Studiuesit shqyrtuan gjithashtu 4,262 imazhe të indeve tumorale, për të vlerësuar qelizat imunitare brenda dhe rreth tumorit.
Një numër më i madh i këtyre qelizave zakonisht lidhet me një përgjigje më të fortë të sistemit imunitar dhe me një prognozë më të mirë, në disa lloje të kancerit të gjirit.
Studimet treguan se IA-ja mund të vlerësojë këto qeliza dhe të japë informacion të ngjashëm me atë të patologëve për rrezikun dhe ecurinë e sëmundjes.
IA-ja mund të ofrojë edhe një avantazh tjetër, të analizojë shpërndarjen e qelizave imunitare brenda tumorit dhe të zbulojë zona ku ato janë veçanërisht të përqendruara.
Kjo mund të japë të dhëna shtesë për prognozën.
Studiuesit thonë se kjo teknologji mund të jetë kryesisht e dobishme, në zonat ku ka mungesë patologësh, por nuk synon zëvendësimin e mjekëve.
Nevojiten studime të tjera përpara përdorimit të gjerë në praktikën klinike. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.