Bota

Beteja e humbur e Kievit për mendjet e njerëzve

Para një viti, në rrugët e Ukrainës ndodhën përleshje, ndodhi ndryshimi i pushtetit. Mediet ruse atëherë nxitën frikën dhe ndihmuan për të hedhur bazat e luftës së sotme në Ukrainën Lindore.

Përkujtim i masakrës në Maidan
Përkujtim i masakrës në Maidan

“Ukraina. Gjendja atje është e tillë sa mund të flasësh për fundin e shtetësisë.” Moderatori Dmitri Kisseljow e ul poshtë gishtin e madh të dorës së djathtë të tij. Ky gjest ka kuptimin: Ukraina ka marrë rrugën e vdekjes. Kështu, nis të shtunën e datës 23 shkurt 2014 emisioni “Vesti Nedeli” lajmet e javës në televizionin shtetëror rus “Rossija-1”. Kur një shtet nuk garanton sigurinë e qytetarëve të tij, ky shtet është faktikisht joekzistent, thotë Kisseljov. Buzëqeshja e tij ka efekt makabër.

Ukraina me siguri që e ka kaluar kufirin e një lufte civile, thotë gazetari i famshëm. Do të rrjedhë edhe më tej gjak. Nga pikëpamja e sotme, koha i dha të drejtë Kiseljovit. Lufta midis separatistëve prorusë në rajonet e Ukrainës Lindore Donjeck dhe Luhansk dhe ushtrisë ukrainase u kushton tashmë disa mijëra vetëve jetën. Kjo luftë me tanke dhe topa megjithatë nuk nisi në stepën e Ukrainës Lindore, por në një fushë tjetër beteje. Ishte lufta për mendjet e njerëzve.

Ukraine Gedenken am 1. Jahrestag des Blutbads auf dem Maidan
Përgjegjësit e gjakderdhjes në Maidan ende janë të lirë

Syze televizive ruse për ukrainasit lindorë

Para një viti, lëvizja pro-perëndimore e Maidanit kremtoi një fitore. Fati i Presidentit prorus Viktor Janukoviç u vendos brenda katër ditësh. Pas protestave disamujore, në 18 shkurt në Kiev shpërthen dhuna. Dyzina aktivistësh vdesin në përleshjet në rrugë me policinë. Rrethanat e sakta nuk janë sqaruar deri më sot. Në 21 shkurt, ministrat e Jashtëm të tri shteteve të BE, midis tyre të Gjermanisë, arrijnë një marrëveshje midis opozitës dhe Presidentit. Po në të njëjtën mbrëmje, Janukoviçi merr papritur arratinë. Ai shfaqet më vonë në Rusi.

Televizioni rus mund të shihet në shkurt 2014 kudo në Ukrainë. Për njerëzit në Lindje të vendit, sipas sondazheve, ai është burimi më i rëndësishëm i informacionit. “Mediat ruse kanë nisur të raportojnë për ndarjen e Ukrainës shumë kohë përpara ngjarjeve në Maidan dhe në Ukrainën Lindore”, i thotë DW Diana Duzyk, drejtore ekzekutive e Organizatës Joqeveritare të Kievit “Telekrytyka”. Ukraina e injoroi këtë për një kohë të gjatë.

Revolucionin e shkurtit në Kiev shumë ukrainas lindorë e panë përmes syzeve të televizionit rus. Kishim të bënim me një përmbysje, të orkestruar nga Perëndimi dhe të zbatuar nga ultranacionalistët ukrainas. “Ka pasur ndikim helmues si nga mediet proruse në Ukrainë, ashtu edhe nga mediet e Rusisë në Ukrainë”, kujtohet Andreas Umland nga Kievi. Kjo retorikë ka shtruar ndër të tjera bazën për mbështetjen e separatizmit në Krime dhe në rajonin e Donjeckut, thotë eksperti i Institutit të Kievit për bashkëpunimin euroatlantik në një bisedë me DW.

Këtë e konfirmon edhe Volodimir Kipen, një sociolog nga Donjecku, i cili jeton sot në Kiev. Gazetarët rusë përzienin në raportimin e tyre shpesh faktet me fiksionin, thotë Kipen. Në emisionet e tij, Kiseljovi thoshte për shembull se pushtetmbajtësit e rinj në Kiev e ndëshkonin përdorimin e gjuhës ruse. Ky ishte lajm i gënjeshtërt.

Ukraine Kämpfe Armee Donezk
Do të kalojë kohë derisa Ukraina të stabilizohet

Veç kësaj thuhej se ekstremistët e djathtë të Ukrainës përfaqësonin rrezik për jetën e ukrainasve në Lindje të vendit. Por fakt është se nuk pati “fushata hakmarrjeje” të ekstremistëve të djathtë ukrainas, për të cilat patën lajmëruar mediat ruse.

Dilema e Kievit

Fara e mosbesimit në Ukrainën Lindore ra me sa duket në terren pjellor. Gati treçereku i popullit në rajonin e Donjeckut e konsideronte në prill 2014 ndryshimin e pushtetit në Kiev një grusht shteti të organizuar nga Perëndimi. Ky është përfundimi i një anketimi të Institutit Ndërkombëtar të Kievit për Sociologjinë, të porositur nga gazeta e përditshme “Cerkalo Tyshnja”. Në rajonin e Luhanskut ishin 61 përqind. Një në pesë vetë ishte i gatshëm të përshëndeste ardhjen e ushtarëve rusë.

Qeveria e re ukrainase e kuptoi rrezikun. Në fund të marsit 2014 ajo ndaloi me urdhër gjyqi transmetimin e katër televizioneve ruse në Ukrainë dhe një gjysmë viti pas konfliktit, në shtator 2014, ajo bllokoi edhe 15 televizione të tjera.

Por sipas ekspertëve, Kievi reagoi me vonesë. Separatistët prorusë i mbyllën shpejt televizionet e Ukrainës dhe hapën televizione ruse. Më e vonta në fillim të verës, për shumë vetë u bë e qartë se Ukraina e kish humbur luftën për mendjet e njerëzve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button