Beteja e përgjakshme dyvjeçare e qytetarëve me pushtetin në Maqedoni (Foto)
Më 31 maj të vitit 2017 përfundoi qeveria e Nikolla Gruevskit, politikanit që nga shumë faktorë të jashtëm dhe të brendshëm u quajt tiran dhediktator.
Por, çka e bëri këtë qeveri që sot të jetë e vlerësuar si qeveri e krimit dhe së keqes?
Telegrafi Maqedoni do të ju sjell më poshtë disa ngjarje që datojnë që nga fillimi i vitit 2015 dhe përfundojnë më 27 prill. Gjatë gjithë kësaj periudhe ka pasur me qindra të lënduar e të burgosur, disa të vrarë e disa padrejtësisht të lënduar.
-”Bombat” e Zaevit
Kriza politike në Maqedoni daton që nga 9 shkurti i vitit 2015 kur edhe nisi publikimi i të ashtuquajturave ”bomba” të Zaevit. Nëpërmjet këtyre ”bombave” kryetari i LSDM-së publikoi inçizime të paligjshme që i kishte organizuar OBRM-PDUKM-ja nëpërmjet institucioneve policore në MPB.
Gjithësejt janë mbi 20.000 qytetarë të përgjuar të cilët kanë qenë të shënjestruar nga partia në pushtet.
Epilogu i këtyre ”bombave” ishte zgjimi i qytetarëve nga ”gjumi” dhe përgatitja për protesta dhe ngritje zëri. U paralajmërua edhe publikimi i ”bombës” për rastin ”Monstra” por ”për shkaqe sigurie dhe në kushte kur shteti është në krizë serioze, e vlerësojmë se e e njejta nuk bën të publikohet.” tha Zaev.
-Lagjja e Trimave
Për tu tërhequr vëmendja nga bombat do të duhej një ngjarje më e rëndë që do të frikësonte qytetarët dhe do të defokusonte mediat nga kjo ngjarje. Epilog gjyqësor edhe sot nuk ka por pati gjak dhe viktima. 18 të vrarë dhe 38 të arrestuar, shkruan Telegrafi Maqedoni.
-Protesta e madhe e LSDM-së më 17 maj!
Protesta e parë ku kishte pjesmarrës nga të gjithë popujt që jetojnë në Maqedoni. Ishte protesta e parë pas nëntë viteve kishte aq masovitet dhe përfaqësonte vetëm mllefin kundër krimit dhe korrupsionit që u dëgjua në ”bombat” e opozitës. Më herët kishte edhe protesta më të vogla por ato ishin të organizuara nga OJQ dhe grupe jo-formale. Këto protesta ishin të dhunshme ku u burgosën më shumë se qindra të rinj.
Protesta e 17 majit mbaroi qetë dhe e njejta u pasqyrua në shumë media ndërkombëtare. Prej atij momenti vazhduan protestat e përditshme nga OJQ-të dhe nga grupe jo-formale.
-Dorëheqjet e ministrave kyç të qeverisë Gruevski!
Presioni në rrugë, presioni në media dhe reagimi i ashpër i faktorit ndërkombëtar bëri që të dorëhiqen ministrat kyç në qeverinë që në vitin 2006 quhej si qeveri e shpëtimit.
Gordana Jankulloska, Zoran Stavreski, Mile Janakieski dhe Sasho Mijallkov. Këto ishin figurat që ”u dëmtuan” nga ”E vërteta për Maqedoninë”, projekt i LSDM-së që ende njihet si bombat.
-Marrëveshja e Përzhinos
Villa e BE-së në lagjen Përzhino ishte vendi ku u gatua zgjidhja për të ardhmen e Maqedonisë. Pas Marrëveshjes së Përzhinos shqiptarët fituan shumë pak por Maqedonia fitoi shumë. Fitoi Prokurorinë Speciale Publike e cila duhej të fillonte punën për përndjekjen e krimit që del nga bisedat e përgjuara në mes zyrtarëve në Maqedoni. PSP-ja kishte një afat pret 18 muajsh punë që përfundon në muajin qershor (2017)
Programi i RTVM2 do të jetë 24 orë në gjuhën shqipe.
Sipas marrëveshjes politike, shqiptarët fituan edhe ministrin e parë shqiptar në MPB i cili tanimë nuk është në atë pozicion.
-Qeveria teknike
Qeveria Teknike kishte pjesmarrës edhe LSDM edhe BDI por edhe OBRM-PDUKM. Nga kjo qeveri pritej që të organizonin zgjedhjet e parakohshme.
-Prokuroria Speciale Publike
Hapi shumë lëndë për zyrtarë të inkriminuar në afera korruptive por asnjëra nuk pati fund ku i akuzuari do të përfundonte në burg. Kjo ndodhi pasi pushteti dhe gjyqësia i bënin pengesa duke ja rrëzuar poshtë akuzat. Prokuroria Speciale Publike këto ditë duhet të merr edhe mbështetjen zyrtare nga qeveria e re dhe të vazhdojë punën për gjetjen dhe burgosjen e zyrtarëve të inkriminuar.
Fakti që edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski kishte në shënjestrën e tyre për rastin ”Shuplakat në Komunën Qendër” ku ish-kryeministri akuzohet për nxitje dhune.
-Faljet e Gjorge Ivanov
Pas rasteve të hapura nga PSP-ja, Presidenti i shtetit nuk ndejti duarkryq. Ai fali të gjithë politikanët e përfshirë akuzat e PSP-së. Kjo ngjalli reagime nga organizatat jo-qeveritare, LSDM-ja dhe shumë qytetarë që protestuan nën moton ”Nuk ka drejtësi, nuk ka qetësi”. Revolucioni Laraman doli në pah duke organizuar protesta me ngjyra dhe duke ngjyrosur institucionet e shënjestruara nga ata si vend krimi. Ivanov, pas presionit në rrugë dhe nga faktori ndërkombëtar tërhoqi faljet duke thënë se e bën këtë për të shuar inatet mes partive, shkruan Telegrafi Maqedoni.
-Zgjedhjet që shtyheshin
Zgjedhjet e paralajmëruara për 24 prill dhe 5 qershor të vitit 2016 nuk u mbajtën pasi u vërtetua se nuk ka kushte për organizim të zgjedhjeve.
Listat e pa pastruara dhe ndikimi i pushtetarëve në vendimarrjen e qytetarëve ishin problemet për të cilët fliste opozita dhe faktori ndërkombëtarë.
Edhe pse u shpërbë Kuvendi, këto zgjedhje nuk u mbajtën.
-Zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 11 dhjetor
Zgjedhje të cilat ishin vendimtare për të ardhmen e vendit. Pjesmarrja në zgjedhje ishte 67%, numër rekord në historinë e Maqedonisë.
Nga këto zgjedhje: OBRM-PDUKM doli me 51 deputetë, LSDM me 49, BDI me 10 deputetë, Besa kishte 5 deputetë, Aleanca për shqiptarët kishte 3 deputetë dhe PDSH doli me dy deputetë.
-Dështimi i OBRM-PDUKM-së për të krijuar qeverinë e re si mandatar i parë
Partia e Nikolla Gruevskit dështoi të formon qeverinë e re të Maqedonisë pasi nuk gjetën gjuhë të përbashkët me BDI-në. Problem ka qenë Prokuroria Speciale Publike.
-Shumica e re parlamentare
LSDM, BDI, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa kishin mbledhur 67 nënshkrime për të kërkuar mandatin e humbur nga OBRM-PDUKM-ja.
Gjorge Ivanov ju tha se kanë platformë të bërë nga Edi Rama. Kjo irritoi shumicën e re parlamentare dhe e zgjodhi kryetarin e ri të Kuvendit në kushte jo-normale, shkruan Telegrafi Maqedoni.
-Dhuna në Kuvend
Pas zgjedhjes së Talat Xhaferit si kryetar i Kuvendit, pati dhunë ndaj deputetëve dhe gazetarëve. Huliganë të organizuar nga OBRM-PDUKM-ja dhe iniciativa për ”Maqedoni të përbashkët”. I lënduar rëndë mbeti kryetari i LR-PDSH-së, Ziadin Sela dhe deputetë të LSDM-së, mes tyre edhe Zoran Zaev.
-Dhënia e mandatit për Zoran Zaevin
Pas dhunës në Kuvend dhe pas të gjithë krizës së krijuar me mos dhënien e mandatit, Zoran Zaev u shpall mandatar për krijimin e qeverisë së re të Maqedonisë, pasi i dërgoi garanca të shkruara për kryetarin e shtetit se nuk do të ndikojë në unitetin e shtetit dhe nuk do të preket kushtetuta, shkruan Telegrafi Maqedoni.
-Qeveria e re
Qeveria e re e Maqedonisë u votua me 62 vota PëR, 44 KUNDëR dhe 5 Të PëRMBAJTUR. Shqiptarët përfaqësohen me nëntë ministra. Gjashtë të propozuar nga BDI, dy nga Aleanca për shqiptarë dhe një nga LSDM-ja.
Sot (1 qershor) është bërë edhe pranim-dorëzimi i funksionit të ministrave. Qeverinë e re e kanë përshëndetur edhe shtetet që kanë ndikim në politikën e vendit si BE, SHBA dhe NATO.