Bilanci i ligjvënies përballë mbylljes së kapitujve,Tabaku: Më shumë kohë dhe këshillim për biznesin
Procesi i integrimit europian nuk është thjesht ligjbërje po ligjzbatim. Ligjvënëse me shumë mandate në Kuvendin e Shqipërisë dhe në administratën e lartë shqiptare për integrimin europian, Jorida Tabaku e sheh bilancin në mbyllje të këtij sesioni parlamentar të lidhur me një sërë sfidash që qëndrojnë përpara.
“Ky nuk është një proces ligjbërjeje, ky është një proces zbatimi. Është shumë e thjeshtë për parlamentin, sepse këtë punë kemi – nuk kemi punë tjetër, veçse të miratojmë ligje. Problemi është se sa do të zbatohen këto ligje. Unë mendoj që kemi humbur shumë kohë në të shkuarën, sepse një pjesë e këtyre ligjeve duhet të ishin përafruar në masën 70–80%. Është e vërtetë që legjislacioni i BE-së nuk është i ngurtë, nuk është një masë e pandryshueshme dhe ai ndryshon me kohën. Gjithmonë miratohet legjislacion i ri. Por ne duhet të kishim qenë gati me një pjesë bazë, ndërkohë që koha është humbur me propagandë të llojit “u hapën, s’u hapën negociatat”, kur duhej të ishte punuar në këtë drejtim. Në fillim të shtatorit është kërkuar që të ndahet një agjendë ligjesh të cilat janë të nevojshme për procesin e integrimit. E para, dhe e dyta, që kjo agjendë ligjesh të diskutohet edhe me komunitetin e biznesit, sepse këto ligje në fund të ditës nuk do të zbatohen nga zyrtarët, as nga teknokratët, as nga përfaqësuesit e ministrisë. Do të zbatohen së pari nga qytetari, së dyti nga komuniteti i biznesit. Në komunikimin që kam pasur me Komisionin Europian, pikërisht ky është shqetësimi i tyre: që ne duhet patjetër të kemi procesin e integrimit në gërmë, në frymë, por edhe në çdo ligj të miratuar këtu në parlament. Kjo e ka vështirësuar edhe punën e deputetëve, sepse ligje që diskutohen nga mëngjesi në darkë dhe mbyllet aty diskutimi, kanë vështirësuar punën e biznesit dhe njëkohësisht faktin që këto ligje të fillojnë të zbatohen. Tre kapitujt që janë mbyllur – si shkenca dhe kërkimi, arsimi dhe kultura, si dhe marrëdhëniet me jashtë – janë kapituj që kanë pasur shumë pak ligje. Pothuajse zero kanë pasur vendime të Këshillit të Ministrave. Kjo ishte arsyeja pse u mbyllën kaq shpejt.”
Më shumë kohë për konsultim dhe përshtatje për ligjet ka apeluar më tej znj Tabaku duke iu referuar kohës fizike që i duhet biznesit.
“Unë kam qenë zëvendësministër i Integrimit në vitin 2009, kur Mali i Zi pyeste si po ja dilni juve, ndërkohë që sot Mali i Zi ka mbyllur 17 kapituj, ndërsa ne kemi mbyllur vetëm tre të parët. Kjo lidhet edhe me normën e absorbimit dhe me presionin që ka shoqëria për ta zbatuar legjislacionin shqiptar. E përsëris edhe njëherë: ne duhet që këtë proces të mos ta shohim me sy burokratik, por ta shohim ashtu siç është. Është një proces së pari politik, është proces ekonomik, është proces social, është proces moral – pra është një proces gjithëplanësh. Pikërisht në këtë këndvështrim duhet ta shohim, duke menduar se si do të jetë ky legjislacion kur zbatohet nga qytetarët dhe nga bizneset. Pjesë e madhe e këtyre ligjeve vijnë pa konsultim, pa një debat të gjerë kombëtar, pa një analizë kostosh dhe implikimesh nga ana e biznesit. Me shqetësim kam ndjekur komentet e dhomave të tregtisë, përfaqësuesve të bizneseve prodhuese, përfaqësuesve të fermerëve, të cilët thonë se nëse duam të nxitojmë me miratimin e ligjeve, ky nuk është një proces letrash që kalojnë në parlament, por është një proces standardesh dhe normash që biznesi vetë i pari duhet t’i zbatojë. Një pjesë e madhe e këtyre ligjeve kalojnë në një procedurë shumë të shpejtë, pa pasur kohë për debatin parlamentar, për komisionet. Miratojmë ligje të cilat kanë një listë të gjatë vendimesh të Këshillit të Ministrave për t’i ndjekur, që nuk hyjnë dot në fuqi sot, por kërkojnë gjashtë muaj, një vit, dy vite kohë. Ne duhet të jemi gati që paketat ligjore të vijnë këtu me cilësi, të vijnë në kohë, të konsultohen me biznesin dhe të shohim njëkohësisht edhe impaktin që ka zbatimi i tyre.
Sfida edhe më e madhe e asaj që e pret vendin dhe ligjvënien shqiptare në sesionin e ardhshëm lidhet edhe me kapitujt e bisedimeve të anëtarësimit me ndikimin më të madh ekonomik.
“E rregullova tekstin vetëm për drejtshkrim dhe qartësi gjuhësore, pa ndryshuar përmbajtjen. Do ta shikoni që një pjesë e madhe e të tjerave, që kërkojnë ligje për t’u miratuar, që kërkojnë reforma për t’u zbatuar, që kërkojnë institucione për t’u ngritur, e kanë më të vështirë. Dhe më e vështirë është edhe grupkapitulli i lëvizjes së lirë të mallrave, që është tek fusha e ekonomisë. Me standarde, me cilësi produktesh, nuk mjafton vetëm që të miratojmë ligjin për standardet ISO, por të shohim se si do t’i zbatojë biznesi këto standarde, çertifikatat e produkteve, çertifikatat e origjinës. Pra, janë shumë elementë tematikë, teknikë, të cilët kanë nevojë të absorbohen nga biznesi. Shoh me skepticizëm përthithjen, sepse llogaria që bën Dhoma e Prodhuesve është se 80% e bizneseve tradicionale do të dalin nga tregu nëse ne nuk jemi gati dhe nëse nuk përshtatemi, qoftë me këtë legjislacion, qoftë edhe me konkurrencën që vjen nga BE-ja. Ne sot ndodhemi përpara një fakti dhe dua ta lidh me bujqësinë, meqenëse është një sektor shumë i prekshëm. Ne ndodhemi sot përpara një fakti ku bujqësia, nga 20% e produktit të brendshëm bruto, ka shkuar në 16% dhe po shkon në 14%. Është duke rënë, ndërkohë që bujqësia është një sektor që mban gjallë 300.000 shqiptarë. Bujqësia ka një nga legjislacionet më të vështira: legjislacioni për pesticidet, për farat, për çdo lloj ndikimi që ka në këtë proces. Nëse ne nuk subvencionojmë produktet shqiptare këtu në tregun shqiptar dhe në tregun rajonal, do të jemi të vdekur. Sot, si rezultat i zhvlerësimit të euros, produktet shqiptare kushtojnë 30% më shtrenjtë po t’i nxjerrësh nga kufiri, dhe bizneset në Shqipëri janë duke preferuar të blejnë produkte nga jashtë sepse u bie më lirë. Nëse ne nuk kemi fondet e IPARD-it, që i mungojnë sektorit të bujqësisë prej tre vitesh, kjo e bën akoma më të shtrenjtë produktin, sepse nuk ka absolutisht asgjë të subvencionuar, ndërkohë që BE-ja subvencionon, rajoni subvencionon. Për këtë problem flasim dhe për këtë presion flasim. Ky është presioni në rritje për të përmirësuar cilësinë e produkteve dhe standardet e produkteve. Por nga ana tjetër është edhe presioni në rritje për të konkurruar. Askush nuk të fal asgjë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.