Kosova

Bislimi: Lajçak vlerësoi të mos ketë takim trepalësh, diskutuam 4 tema

I dërguari i posaçëm i Bashkimi Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak e ka vendosur, që të mos ketë takime trepalëshe. Kështu deklaroi pas takimit të sotëm në Bruksel, kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, sipas të cilit, pala e Kosovës ka qenë e interesuar në një takim mes tre zyrtarëve.

“Ka qenë si duket qëndrim i Lajçakut që në këtë moment, takimi trepalësh jo domosdo do të kontribuonte në finalizimin e dokumenteve, sepse mendon që ka ende nevojë për koordinim shtesë para se kjo të ndodhë, madje edhe ka ide që plani i sekuencimit kërkon takim të nivelit të lartë, sipas tij, dhe qartazi kryenegociatorët nuk mund ta përfundojnë këtë proces në mënyrë të suksesshme”, tha Bislimi në konferencën për media.

Në takimin e sotëm në Bruksel, Bislimi ka thënë se me Lajçakun ka diskutuar për katër tema: plani i sekuencimit të Marrëveshjes Bazë, temat e referencës për monitorimin e Marrëveshjes Bazë, temat e referencës për zbatimin e Deklaratës për personat e pagjetur, dhe për Marrëveshjen për energjinë.

“Tema e parë për të cilën kemi diskutuar është plani i sekuencimit. Ne kemi brenga me draftet e deritanishme që Lajçak ia ka dërguar palëve, për arsye se ne mendojmë që ai plan është selektiv, lë anash disa provizione të rëndësishme të marrëveshjes bazike, në mënyrë të njëanshme i kushton më shumë kujdes kërkesave dhe preferencave të Serbisë dhe po ashtu nuk garanton zbatimin e plotë të marrëveshjes”, tha Bislimi.

Ai tha se në takimin e sotëm ka tentuar që bashkë më palën serbe, në një takim trelateral, të vendosin të gjitha obligimet që palët ndërmarrin nga marrëveshja bazike.

“Nuk kemi arritur ta përfundojmë këtë mision, por kemi përmirësim apo ecje tutje. Fatkeqësisht nuk ka pasur takim trelateral, por mendojmë që përfaqësuesi i lartë ka menduar që kjo nuk mund të ndodhë në këtë fazë, sepse nuk e garanton konkretizimin final të planit të zbatimit dhe tani presim hapat e radhës”, deklaroi kryenegociatori kosovar.

Te tema e dytë që lidhet me të pagjeturit, Bislimi tha se pjesa më e madhe e komenteve është përshëndetur dhe pranuar nga Lajçak, ndërsa sipas tij, dokumenti është shumë afër adoptimit final që kishte me i hapur rrugë edhe funksionalizimit të komisionit të përbashkët.

Tema e tretë, sipas Bislimit, është edhe tema e referencës për komitetin e përbashkët që merret me monitorimin e  marrëveshjes bazë. “Komentet tona kanë të bëjnë me nevojën që Komiteti i Përbashkët të mbetet brenda kornizave të parapara në marrëveshjen bazike, që nënkupton një komitet që merret vetëm me monitorimin e zbatimit të marrëveshjes dhe nuk ka kompetenca vendimmarrëse ekzekutive. Edhe këtu kemi hasur në gjuhë të përbashkët, kemi shkëmbyer dokumente. Tema e karterët është tema e energjisë”, tha ai.

Në pyetjen e gazetarëve nëse është arritur pajtueshmërisë më 10 korrik në Bratisllavë mes Kosovës dhe BE-së për shtensionim të situatës, e cila edhe do të rezultojë me heqjen e masave nga BE ndaj Kosovës, Bislimi ka thënë se është i habitur me mosveprimin e kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell.

“Në Bratisllavë jemi dakorduar për një marrëveshje që quhet Aranzhimet mes Kosovës dhe BE-së për implementimin e qëndrimit të 27 vendeve anëtare të BE-së, të datës 3 qershor. Titulli tregon se marrëveshja ka të bëjë me zbatimin e kërkesave të BE-së dhe rrjedhimisht u përgjigjet kërkesave të BE-së. Për ne ka qenë e qartë se kjo është rruga për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, dhe për ne është habi që edhe tetë ditë pas darkodimit, ende nuk kemi një letër shpjeguese nga ana e zotit Borrell që kërkon heqjen e masave”, tha Bislimi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button