Ekonomia

Bizneset e ndërtimit hedhin sytë nga bujqësia: 800 hektarë për shegë në Karavasta, investimi 6.6 milionë euro

Një plantacion 800 hektarë për kultivimin e shegëve, goji berry, finger lime dhe avokado pritet të ngrihet në zonën e Karavastasë. Agro Iliria Group sh.p.k. ka vendosur që të investojë të paktën 6.6 milionë euro për këtë projekt, duke u trajtuar si investitor strategjik dhe duke përfituar truallin kundrejt shumës simbolike 1 euro. Gjithsesi hapësira, ndarja e parcelave dhe afati pritet që të kalojnë me një vendim të veçantë qeverie. Projekti duket se plotëson edhe kushtin e punësimit çka i ka mundësuar miratimin nga Komiteti i Investimeve Strategjike, pasi parashikohet që gjatë ndërtimit dhe operimit të punësohen të paktën 365 persona.

Referuar dokumenteve, Agroiliria Group parashikon që të lidhë një kontratë me Trema Engeneering për zbatimin. Kështu nënvizohet edhe në vendimin e KIS.

“Miratimin me kusht të statusit investim/investitor strategjik procedurë e asistuar për projektin e investimit me potencial strategjik ‘Ngritja e plantacionit me shegë, goji berry, avokado dhe finger lime në zonën e Karavastasë, Bashkia e Divjakës” me kusht që subjekti investues të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi, ndërmjet shoqërisë Agro Iliria Group sh.p.k. dhe Trema Engeneering 2 sh.p.k. e tipit joint venture pranë noterit ku të përcaktohen qartë se kompania Trema Engeenering 2 sh.p.k. do të kryejë investimin dhe angazhimet e tjera të palëve për realizimin e këtij investimi, gjithashtu subjekti propozues duhet të nënshkruajë marrëveshjet e garancive financiare me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë”, thuhet në vendimin e KIS.

Statusi ndaj kompanisë është dhënë për një periudhë trevjeçare, ndërkohë që do të shihet me prioritet edhe çështja e plotësimit të dokumenteve dhe lehtësimit të burokracive.

Grupi Agro Iliria është themeluar në fillim të vitit 2015 dhe si aktivitet kryesor ka eksport – importin e të gjitha produkteve dhe nënprodukteve bujqësore, blegtorale, ushqimore, të hortikultures, alkoolike dhe joalkoolike të prodhuara nga këto produkte, lëndëve të para, agroinputeve dhe materialeve biologjike që shërbejnë për këto sektorë dhe agroindustrinë etj. Aksionerët janë me nga 50% Shpëtim Orseku dhe Ilir Trebicka. Z. Trebicka zotëron edhe 49% të një prej kompanive më të mëdha të ndërtimit në vend Trema Engeneering 2 (pjesën tjetër e zotërojnë austriakët e Strabag), duke shënuar në këtë mënyrë një diversifikim të portofolit nga ndërtimi drejt bujqësisë.

Për vitin 2016, Trema Engeneering 2 deklaroi të ardhura prej rreth 43 milionë euro dhe fitime neto prej 1 milion eurosh, sipas bilancit të saj zyrtar. Vitet e fundit është shtuar interesi i bizneseve të ndërtimit për t’u diversifikuar në sektorin e bujqësisë, kryesisht në blegtori.
Bujqësia përbën rreth 20% të prodhimit të brendshëm bruto të vendit dhe pesha e saj ka ardhur në rritje të lehtë vitet e fundit, pas rënies së fortë të pas viteve ’90, ku në vitet e para të tranzicionit ajo kontribuonte në rreth 50% të ekonomisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button