Bllokimi i pagave, reagon Malaj pas kallëzimit të gjyqtarëve: Efekti në buxhet është 40 milionë euro shtesë çdo vit
Ministri i Financave, Petrit Malaj përmes një postimi në “Facebook” ka reaguar lidhur me kallëzimin e tij në SPAK së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të ministrisë dhe drejtorët e Thesarit nga 18 drejtues të gjykatave të vendit dhe 2 krerë të shoqatave të gjyqtarëve e prokurorëve lidhur me bllokimin e rritjes së pagave të magjistratëve.
Malaj shprehet se kallëzimi lidhet me refuzimin e Ministrisë së Financave për të autorizuar nxjerrjen e fondeve nga Thesari i Shtetit për rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pa një vendim të Parlamentit.
Ministri ka publikuar edhe shifrat e pagave aktuale dhe nivelin e pagave që kërkohet të aplikohet për magjistratët. Sipas tij, efekti total në buxhetin e shtetit me këto kërkesa është 40 milionë euro shtesë, çdo vit. Ai thekson se magjistratët kërkojnë gjithashtu rishikim të pagave për periudhën 2023-2026 me një efekt në buxhetin e shtetit prej 125 milionë euro.
Reagimi i plotë:
Të kallëzohesh sepse po zbaton ligjin, nga garantët e barazisë para ligjit! Sot, në Ministrinë e Financave u depozitua një kallëzim penal për mua si titullar i institucionit, Sekretarin e Përgjithshëm dhe drejtorët e thesarit në të gjithë Shqipërinë.
Arsyeja: Kemi refuzuar të hapim dyert e thesarit të shtetit për të nxjerrë që aty pa vendim të parlamentit një volum të konsiderueshëm parash, si shtesë rroge për gjyqtarët dhe prokurorët.
Nuk dua të bëj asnjë polemikë me askënd dhe as të risqaroj pozicionin e Ministrisë së Financave, ndërkohë që është thënë publikisht nga qeveria shqiptare dhe përfaqësuesit e Parlamentit, se askush nuk do të pengojë adresimin e çështjes së pagave sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të ndodhë më 17 shtator, kur të miratohet ligji që i jep Ministrisë së Financave të drejtën administrative të veprimit.
Por, kjo nuk i ka penguar përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor që të përshkallëzojnë konfliktin me ekzekutivin duke nënshkruar një kallëzim penal që do ta marrë me siguri historia.
Ndërkohë unë sot dua t’u bëj me dije qytetarëve sa kushton kërkesa e kallzuesve të nderuar, sipas shkallës së pagave:
Gjyqtar i Shkallës së Parë
Është: 376, 381 LekëKërkohet: 567,421 LekëGjyqtar i Shkallës së Dytë
Është: 388,927 LekëKërkohet: 586,335 Lekë
Gjyqtar i Grupit të III në GJKKO
Është: 659,920 LekëKërkohet: 994,877 Lekë
Efekti total në buxhetin e shtetit me këto kërkesa është 40 milionë euro shtesë, çdo vit. Por nuk mbyllet këtu. Magjistratët kërkojnë rishikim të pagave për periudhën 2023-2026 me një efekt në buxhetin e shtetit 125 milionë euro.
Ndërkohë u them drejtoreve të Thesarit në të gjithë Shqipërinë dhe Sekretarit të Përgjithshëm, që sot u kallëzuan së bashku me mua, se duhet të vazhdojnë ta kryejnë detyrën e tyre me qetësi dhe pa u intimiduar, duke ruajtur gjithmonë me rigorozitet financat e shtetit, të udhëhequr nga ligji.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.