Blushi: Kandidoj, nëse ka zgjedhje. E drejtoj PS-në më mirë se Rama
Deputeti shpall platformën. “21 Janari? Rama i thirri në protestë dhe iku në zyrë. Nëse do të ishim në krye, nuk do të ishin vrarë katër veta” Ben Blushi, deputeti rebel, ish-miku dhe ish-bashkëpunëtori i ngushtë i Edi Ramës, tashmë zyrtarisht i del atij përballë. Ai thotë se do të dalë me një platformë të vetën dhe shton se beteja e tij është parimore. Por a po kërkon ai postin dhe karrigen e Edi Ramës? Për t’iu përgjigjur këtyre dhe të tjera çështjeve të aktualitetit politik, në “Top Story” ishte i ftuar vetë Ben Blushi, përballë një paneli me analistët Skënder Minxhozi, Arjan Vasjari dhe Mustafa Nano. Ai jep arsyet se pse është kundër Edi Ramës, duke shtuar se mund ta drejtojë më mirë PS-në dhe vendin si kryeministër.
Përse u prish Ben Blushi me Edi Ramën?
B.Blushi: Ne kishim një kongres normal partie para tri vitesh, ku parashikohej që të zgjidhej kryetari i partisë, për shkak se kështu janë rregullat në partinë tonë. Unë nuk po kërkoj një kryetar nga hiçi. Ky kongres u shty në mënyrë të papërgjegjshme dhe për gati tre vjet kam insistuar shumë që ai të mbahej në kohë dhe s’kam marrë një përgjigje. Pasi u shty pa shkak, ne nuk e morëm vesh, por e mësuam nëpërmjet televizorit, në datën 19 mars, që do të thotë: sipas statutit që parashikon se në këtë kongres duhet të zgjidhen të gjitha forumet e PS-së, organizata, asamble, pra parlamenti i PS-së dhe kryetari i partisë, të cilit i ka skaduar mandati që në 2013-n.
Dhe që në 2013-n, mandati si kryetar i PS-së është i skaduar në kuptimin statusor. Për këtë arsye desha të shpjegoj se meqenëse PS-ja është partia më e madhe në vend dhe ka impakt në jetën e secilit, kam kërkuar të ketë garë. Kjo është parti që ka bërë garë në 20 vitet e fundit, për këtë ka një normë. Nuk është një normë unike vetëm e PS-së, por është e pranueshme për sistemin ku jetojmë. Ne kemi ndërtuar një sistem që bazohet mbi konkurrencën e lirë dhe konkurrenca ndërtohet mbi bazë rregullash. Por sa kohë ka një garë, duhet të ketë një konkurrencë, më shumë se një njeri që kandidon. Pretendimi i heshtur që pashë sot, ishte se nuk ka nevojë të ketë garë, pasi Edi Rama ka fituar zgjedhjet e përgjithshme dhe nuk ka nevojë të ketë zgjedhje. Kjo është e gabuar, nuk kam për ta pranuar. Zgjedhjet nuk i ka fituar Edi Rama, por PS-ja. PS-ja doli e para në fushatën e fundit, për shumë arsye. Për sa kohë që nuk pranoj që zgjedhjet nuk i fitoi një njeri, por partia, partia i ka zgjedhjet në datën e vet dhe ka të drejtën të vendosë se kush do ta drejtojë në të ardhmen.
Nuk mund ta mohoni peshën e kryetarit në fitore …
B.Blushi: Unë nuk mohoj asgjë. Këtu nuk fiton njeriu, zgjedhjet nuk i ka fituar Edi Rama, por PS-ja. Kjo është parimore. I mbetem këtij parimi se jemi republikë parlamentare. Nuk i heqim asnjë nga kontributet që mund të ketë Edi Rama për zgjedhjet. Po flasim pikërisht për faktin nëse duhet të ketë garë apo jo? Unë them patjetër. Është e rëndësishme që të funksionojnë disa rregulla … por sot në Europë nuk është se ka receta të qarta për kryetarin e partisë dhe për këtë duhet të bëhet një kombinacion i mirë … Në Europë, fryma e shkeljes së rregullave po dominon. Europa është ndërtuar mbi bazë rregullash, ne këtej po shkojmë nga Putini. Partitë politike janë fuqitë e pushtetit, nëse ato nuk janë demokratike, nuk mund të ketë demokraci në asnjë vend. P.sh. Merkeli në maj kishte fituar zgjedhjet e përgjithshme dhe fill mbajti zgjedhjet brenda partisë. Thaçerin e hoqi partia e vet, jo zgjedhësit, Toni Blerin e hoqi partia e vet. Partia të heq kur sheh që nuk jep më garanci që zgjedhjet fitohen. Nuk them që jemi në këtë pikë, por partitë janë fuqia e shtetit. Jemi partia e parë në Europë që Perëndimi na ka thënë dekriminalizohuni, sepse ligji kaloi për ne. Por si hynë banditët në Partinë Socialiste? Si hynë këta? Nëse partia nuk ka demokraci, nuk ka zgjedhje, sigurisht që do të futen banditë. Asnjëri nuk hyri vetë, i futi mungesa e demokracisë brenda partisë. Nëse do të kishte zgjedhje, këta njerëz nuk do të bëheshin deputetë; kjo nuk është kapriçio, por nevojë e shoqërisë për t’u emancipuar.
Ka një deklaratë të deputetit Eduard Ndocaj, i cili ka botuar një status për të kandiduar …
B.Blushi: S’ka problem. Unë i uroj garë të mbarë. Edhe Edi dhe Eduarti janë rivalë, por janë edhe shokë. Edi e futi Eduartin në Parlament, kështu që ta ndajnë garën bashkë dhe meqenëse janë shokë Edi me Eduartin, ma bëjnë më të lehtë. Padyshim që mendojnë njësoj, të dy kanë të njëjtat orekse, të dy janë ndërtues, sepse Eduarti ndërton në Milano. Ky tjetri ka ndërtuar Tiranën. Kanë shumë gjëra të përbashkëta, u uroj garë të mbarë të dyve.
Keni thënë se do të paraqisni një platformë dhe kandidaturën tuaj për kryetar të partisë, por do të jeni dhe kandidat për Kryeministër?
B.Blushi: Kjo që po ndodh është qesharake, në kuptimin që partia e cila ka marrë përgjegjësi për të drejtuar vendin, bëhet qesharake në publik. Ka shtatë vjet pa zgjedhje. Është njësoj si një ndërmarrje, e cila përveçse funksionon, askush nuk mblidhet të bëjë një bilanc, ka fitime apo s’ka fitime. Unë nuk kam mundësi të marr vendim, pasi pavarësisht statutit, i cili thotë mandati i kryetarit është katërvjeçar, ka gjasa që të mos ndodhë. Do të ketë një kongres ku do të zgjidhen të gjithë, përveç kryetarit të partisë. Nuk mund të kesh fuqi prapavepruese, pra të bësh zgjedhje dhe të ndryshosh statutin për zgjedhjet e radhës. Unë them se është qesharake se si akoma nuk përcaktohet. Nëse do të ketë zgjedhje, sigurisht që unë do të kandidoj. Por çfarë parashikon rregulli i partisë? Që kandidatët zgjidhen dhe nxjerrin platformat e tyre, pra çfarë idesh kanë për të drejtuar partinë dhe pas disa kohësh anëtarësia voton kryetarin e partisë. Pra e zgjedhim me anëtarët e partisë. Pse nuk duhet të ketë për sa kohë ajo është një normë.
Partia i ka fituar zgjedhjet …
B.Blushi: Këta thonë që kemi marrë një milion vota. Pse votat e LSI-së kanë shkuar që Edi Rama të jetë kryetari i PS-së? Mirë po në vitin 2003, a jemi në një situatë të ngjashme? Kishim një kryeministër, i cili kandidoi për kryetar partie se i mbaroi afati. A i tha njeri që nuk ke të drejtë të kandidosh? Është e njëjta situatë, nuk ndryshon. Çështja këtu është se këtij njeriu nuk kemi pse t’i njohim një llastim absolut që kur do të kandidojë vetë kandidon, kur i prish zgjedhjet, i prish. Në 2009-n, sipas statutit, i binte të jepte dorëheqjen, sepse i humbi zgjedhjet. Kandidoi përsëri duke ndryshuar statutin. Në 2013-n thotë se nuk ka zgjedhje, duke mbajtur mandat shtatëvjeçar. Kjo është parti pa rregull dhe unë nuk e pranoj. Kryeministri nuk ka aksione. Aksionerët kanë vendosur të mblidhen një herë në katër vjet, ka punuar mirë apo jo. Ku e dini ju se çfarë mendon PS-ja për qeverisjen e Edi Ramës? Kjo parti e drejtuar nga Edi Rama nuk ka respektuar demokratizimin e brendshëm. Për shkak se nuk ka kolegjialitet, nuk ka rregull brenda partisë, sepse i merr banditët dhe i bën kryetarë partish dhe se vjen një njeri nga shekulli i kaluar e i jep Edi Rama gjithë Jugun e Shqipërisë. E duke marrë partinë, aty i emëron dhe i shkarkon të gjithë, nuk mjafton kaq. Shteti kapet kur nuk ka rregull.
Ju po dilni si kandidat për ta qeverisur Shqipërinë më mirë?
B.Blushi: Këtë e vendos PS-ja. Unë kam dalë si një njeri që beson në dy gjëra. E para që besoj te konkurrenca e lirë, besoj te liria, dhe e dyta, besoj që këtë punë mund ta bëj më mirë se Edi Rama. Unë konkurroj se mendoj që e drejtoj PS-në më mirë se Edi Rama. E bëj më kolegjiale, më të hapur, një parti në të cilën votohesh, por nuk emërohesh, parti që nuk fut banditë dhe nuk zëvendëson ata që lexojnë me ata që kanë armë, sepse kjo po ndodh. Shumë njerëz më thonë për çfarë e bën ti këtë? Unë e bëj këtë për njerëzit, e bëj këtë për të gjithë, e bëj se besoj që mund ta drejtoj PS-në më mirë se Edi Rama. Të gjithë thonë Blushi e bën se ai është karrierist. Çdokush mund të bëjë karrierë në PS. E di pse? Mjafton të blesh një pistoletë pa leje, merr një dëshmi penaliteti me cen, shko kryej një aksident dhe hidhja policisë. Dhe sigurisht që bën karrierë. Kjo është dhe PS-ja sot. Unë jam kundër kësaj. Për çfarë dolëm në ‘91-shin ne për të sjellë Ramën në pushtet? Jo. Kemi ca principe, barazi, konkurrencë të lirë, shtyp të lirë mendimi të lirë. Respektohen këto sot? Jo.
Ben Blushi është oponent? Blushi është kundër Ramës si kryetar?
B.Blushi: Unë flas për drejtimin e PS-së, duhet të ketë rregulla. Së dyti, për cilësinë e qeverisjes, jam shumë, shumë i zhgënjyer. Edhe për shkak se të gjitha vendimet e dy viteve dhe ato të fundit që po diskutohen janë arbitrare dhe personale. Ju mund të thoni se është normale që Kryeministri vendos se çfarë do të japë me koncesione, çfarë reformash do të bëjë. Po. Partia nuk ka tagër, nuk merr vendim. Por këta banditë që po flasin dhe që i solli Rama në parti, sepse nuk kam turp ta them, këta nuk i gjeti në PS, i importoi. Pra duhet të flasim për cilësi. Unë kam hyrë në një parti që është e qendrës së majtë. Kam arsye si anëtar i kësaj partie që ka besuar dhe votuar te një program, të them se jo vetëm nuk është e majtë, por është kaotike konfuze. Në gjithë këtë qeverisje nuk kemi bërë aq sa duhet për të varfrit. Si mund të bëjmë ne për të varfrit, nëse partia ka o bandit o biznesmen? Nuk besoj se ka parti të majta sot në Europë, ku gjysma e grupit parlamentar janë njerëzit më të pasur në vend. Në grupin tonë parlamentar janë 10 më të pasurit në Shqipëri. Pse vijnë këta të pasurit në PS? Nëse partia ka në program që të ulë taksat për të pasurit, si ka mundësi që këta të vijnë në parti? Këta vijnë për të fituar. A ka mundësi një fëmijë sot i varfër me valixhe druri të bëhet deputet i PS-së? Jo, sepse nuk ka lekë. Ky nuk është një trend ndërkombëtar, e di ku ndodh kjo, në Rusi, ku nuk ka demokraci të brendshme. Unë jam përpjekur që të mbështes idetë, jo njerëzit.
Do të qëndroni në PS nëse i humbni zgjedhjet?
B.Blushi: Pse jo. Një nga gjërat që kërkoj është të ketë zgjedhje, zgjedhje të drejta. Nëse nuk ka zgjedhje, kjo është një çmenduri, tipike shqiptare. Kam të dhëna sesi zgjedhësit po trukohen. Njerëz që s’kanë qenë anëtarë partie; e pamë edhe në Jug, ku deputeti merr kryetarin e një partie dhe e vë kryetar dege, çfarë është kjo! Kërkoj të ketë zgjedhje dhe zgjedhje të drejta. Një proces të drejtë delegatësh. PS-ja duhet të ketë një datë zgjedhjesh. Edhe karnavalet kanë një datë. Kam të dhëna se anëtarësia e Partisë Socialiste po trukohet. Nëse në garë fiton Edi Rama, do të respektoj vendimin e anëtarësisë. Do të qëndroj në PS …
Do të nisni fushatën për platformë?
B.Blushi: Nëse do të ketë zgjedhje, patjetër. Edhe karnavalet kanë një datë, duhet vendosur se çfarë kongresi është ky. Nëse nuk do të ketë zgjedhje, kjo duhet të parë. Por kam filluar të kem dyshime për Edi Ramën. Ai e ka njohur Perëndimin se ka jetuar jashtë. Pyetja është si ka mundësi që harxhon kaq shumë kohë me njerëz që kanë bërë kaq shumë krime …
A do të jetë ndryshimi juaj dhe ndryshimi i koalicionit me Metën?
B.Blushi:Është një gjë, por do ta them kur të kandidoj. Ky koalicion po prodhon pushtet dhe jo reforma. Këtë raport koalicioni do ta zgjidhë ose do ta përmirësojë në mënyrë më të dukshme.
Po për 21 Janarin?
B.Blushi: Dua të them çfarë mendoj për 21 Janarin. Kam qenë atë ditë vetë. Si të gjithë u shpërndanë. Gjëra që nuk harroj janë dy: ai që i vrau, Sali Berisha i vrau në pabesi. E para në kundërshtim me ligjin dhe në kundërshtim me çdo normë morale, sepse i vrau kur po iknin. Kjo gjë nuk diskutohet. Së dyti, qëndrimi im për këtë gjë nuk ndryshon: nëse unë bëj një protestë nesër, mua të më shohin jashtë proteste! Këtë ka bërë Edi Rama. Atë ditë Edi Rama i thirri njerëzit në protestë dhe duhet të ishte në mes të protestës. Pse iku? Nëse unë i thërras në protestë, nuk mund t’i lë njerëzit përpara armëve. Rama nuk e bëri, shkoi e u fut në zyrë. Pse i la ata në rrugë? Nëse ne do të ishim përpara armëve, do të kishte pushkatim? Unë them se jo. Nëse e lë turmën të lirë do të kishte sigurisht shpërqendrime. Sa i përket përvjetorit, i pashë atë ditë dhe ishte e dhembshme. Familjarët i shkuan Ramës në zyrë. Nuk ishte dita që ata të shkonin në zyrë, por Rama duhet t’u shkonte në shtëpi. Nuk kishte Rama vaki. Unë nuk e shes një punë që nuk e bëj, që nuk di ta bëj dot. Rama shet gjëra që nuk i bën dhe shet gjëra që nuk shiten, siç ishte rasti i 21 Janarit.