Opinion

Bollino: Doktor më vjen keq, por më ngatërroni me Sandrin

Carlo Bollino
Carlo Bollino

Pasi dëgjova Sali Berishën të kritikonte në Kuvend Edi Ramën se flet tepër gjatë, shpresoja, se më në fund, Doktori ishte konvertuar te sinteza. Por duke hapur dje faqen e tij në Facebook gjej një “mendimth” prej 3650 fjalësh: një orë fjalim. Në Web!

E megjithatë, nuk dua të flas për këtë, por për interesin e tij të rizbuluar për emrin tim dhe për mua si individ. Po bëj një parantezë. Doktori më njeh prej shumë vitesh, që nga viti 1993, kur duke mos e  pranuar idenë se përballë kishte një gazetar të lirë (e mbi të gjitha Italian), filloi t’u jepte urdhër gazetarëve të tij-killera të gërrmonin në jetën time për të gjetur ndonjë gjë të pisët, dhe kur ata u kthyen me duar bosh, ai doli në përfundimin se nuk ishte shumë e rëndësishme të thuhej e vërteta. Kështu, ata nisën një fushatë shpifjesh ndaj meje dhe familjes sime duke shkruar çdo gjë. Doktori nuk u tha kurrë të reshtnin, e në këtë mënyrë, disa prej tyre, si mushka besnike që përsërisin në infinit atë që kanë mësuar në rini, vazhdojnë ta bëjnë edhe sot: të njëjtat akuza qesharake edhe pas 20 vjetësh. Mafioz, i korruptuar, kriminel etj. etj. 🙂

Doktori më njeh prej shumë vitesh, që kur në 1995 u dha urdhër dy gjeneralëve të tij më të mirë, Bashkim Gazidede dhe Agim Shehu, të hetonin cdo gjë timen për të gjetur ndonjë gjë të pisët.  Dhe, meqë edhe ata u kthyen me duar bosh sepse asgjë të pisët nuk kam bërë në jetën time në çdo vend të Botës ku kam jetuar, ai doli sërish në përfundim se nuk ishte e rëndësishme të thuhej e vërteta. Kështu, edhe ata, për të kënaqur Doktorin, propozuan dëbimin tim nga Shëipëria si “persona non grata”.

Doktor ju më njihni shumë mirë deri në vendimin origjinal të 2004 ku futët në black list të Partisë Demokratike të gjithë mediat e mia (ndalim absolut për të marrë pjesë në të gjitha konferencat e tij për shtyp) vetëm se kishim zbuluar të parët (dhe denoncuar me kurajo) mbjelljet e kanabisit në qendër të Lazaratit. Më njihni mirë ju dhe më njohin mirë gazetarët-zëdhënës tuaj, të cilët pasi janë pasuruar prej vitesh si shërbëtorë të verbër të pushtetit tuaj, pas 23 qershorit kanë ndryshuar papritur rol dhe kanë veshur rrobat e pishtarëve të varfër të lirisë. Janë të njëjtët që për dy dekada nuk kanë shpenzuar asnjë fjalë ndaj krimeve tuaja kundër lirisë së shtypit dhe që janë gati të heshtin prapë  nëse një ditë sërish ju, apo dikush i ngjashëm me ju, rikthehet të qeverisë.

Nëse kërkoj në ditarin e memories sime, datën e takimit tonë e gjej në vitin 1990 dhe kështu zbuloj se ju më njihni prej 25 vjetësh. E megjithatë sot kuptoj, pasi lexoj ato që shkruani, se më ngatërroni me Sandrin.

Nuk jam unë ai që kam përfituar miliona euro nga reklamat shtetërore, tender, rrugë, licenca, falë mbështetjes (ose më mirë bashkëpunimit) të kryeministrit. Nuk jam unë ai që kam marrë dy licenca televizive ilegale (plus një frekuencë tjeter në Tirane, që vëtëm ajo  mund të vlejë qindra mijëra euro), duke gjunjëzuar totalisht në interesat e mia financiare një institucion shtetëror (KKRT duke filluar nga 2006) dhe duke i mbyllur gojën prokurorisë së asaj kohe.

Nuk jam unë ai që kam pushtuar ilegalisht me mbështetjen e qeverisë dy të tretat e sipërfaqes së Kinostudios , duke shkelur të drejtat e ish-pronarëve dhe duke mos i paguar asnjë qindarkë shtetit. Nuk jam unë ai që shitem si “kryeministër hije” apo super këshilltar personal i kryeministrit. Askush nuk dridhet kur unë marr në telefon, dhe nuk bëj shantazhe në emër të askujt e aq më tepër në emer të qeverisë.

Nuk jam unë ai që ka zbrazur nga dokumentat dhe videot arkivat historikë të vendit me mbështetjen e kryeministrit, nuk kam ndërtuar pallate apo fshatra turistikë në tokë publike (dhe as private), nuk kam vila prej miliona euro, dhe as nuk kam shpikur dhe fituar koncensione  publike për të taksuar biznesin privat.

Nuk jam unë ai që kam përulur institucionet shtetërore (përfshi ministri e tatime) në interes të grupit tim editorial, dhe askush të mos guxojë të mos sjellë reklamë se pastaj Shteti merr hak për mua!

Ju sjell dy shembuj të vegjël për të ndihmuar opinionin publik për të krijuar një ide: sipas revistës Monitor në vitin 2011 “Qeveria ka qenë e pranishme në media me fushatat ndërgjegjësuese, në pritje të liberalizimit të vizave, apo për të reklamuar arritje të ndryshme të qeverisë. Sipas të dhënave nga monitorimet e televizioneve, rreth 70% e buxhetit shtetëror ka shkuar në “TV Klan”.

Dhe nuk është vetëm Sandri. Sipas sitit investigative Birn “në nëntë muajt e parë të vitit 2014, bashkia e Tiranës ka shpenzuar më shumë se 20.4 milionë lekë (145.600 euro) për reklama në 3 të përditshme, ndërkohë që të gjithë bashkitë e tjera të vendit- të marra bashkë- kanë shpenzuar në total 3 milionë lekë ose 21.400 euro gjatë kësaj periudhe”. E kotë të shtoj se të tre gazetat ishin afër Partisë Demokratike dhe Lulëzim Bashës.

Ju ofroj një të dhënë për të bërë një krahasim. Në fushatën e vetme të bërë nga qeveria Rama në vitin 2014 (ajo e ministrisë së Shëndetësisë) e që kushtoi 500 mijë euro, i gjithë grupi im editorial mori më pak se 5000 euro reklamë. Kjo ju mjafton për të kuptuar që unë nuk jam Sandri?

Jua them me dy fjalë të thjeshta: nuk kam abuzuar kurrë dhe kurrë nuk do të abuzoj me ligjet. Dhe nuk jam bërë i pasur. Ju doktor, bashkë me botuesit dhe gazetarët tuaj, jeni gati të pohoni të njëjtën gjë?

Doktor, ju më njihni, e megjithatë më ngatërroni me veten tuaj dhe me shërbëtorët tuaj. Ju më akuzoni se “kam ndarë miliona euro” në kushedi se ne c’afera shtetërore, por e thoni vetëm se ju dhe vasalet tuaj e keni bërë vetë prej vitesh dhe askush, as edhe sot, nuk ka kurajon t’ju kërkojë llogari për atë që keni bërë. Ju nuk keni paguar për përgjetësisë tuaja. Më qortoni për Bunk’Art si të ishte një aferë milionare “alla Sandri”,  por ajo ide i ka kushtuar arkave të shtetit vetëm 70 mijë euro (të dhëna jo për mua, por një OJF) e për të cilën folën mirë për disa muaj media e gjithë botës, përfshi CNN e Euronews. Ju për të folur mirë për qeverinë tuaj në CNN dhe Euronews  për disa sekonda spot, në 2007 paguat 450 mijë euro përmes procedurave tenderuese që KLSH përcaktoi edhe si të paligjshme.

Ja, ky është ndryshimi i madh: Unë dua të punoj në këtë vend në respekt të ligjit, duke u përpjekur t’i kthej Shqipërisë atë që më jep. Juve as ju shkon nëpër mend se një gjë e tillë mund të ndodhë.

Po ju zbuloj dy gjëra që ndoshta për ju do të jenë shokuese: Mund të punosh dhe të bësh gjëra të bukura edhe pa vjedhur. Dhe mund të jetosh i lumtur (dhe i qetë edhe pa u bërë miliarder.
– See more at: http://shqiptarja.com/home/1/bollino-doktor-m–vjen-keq-por-m–ngat-rroni-me-sandrin-274535.html#sthash.LTMwZWd7.dpuf

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button