Kosova

Borrell: Kemi bërë një propozim për tejkalimin e krizës në veriun e Kosovës

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të hënën se u ka bërë një propozim Kosovës dhe Serbisë për tejkalimin e situatës në veriun e Kosovës, ku nuk ka më punonjës serbë në institucionet vendase, të cilët u tërhoqën në shenjë kundërshtimi të zbatimit të vendimit të qeverisë në Prishtinë për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.
Zoti Borrell i bëri këto komente në hapje të takimit të Këshillit të Jashtëm të Bashkimit Evropian përgjatë punimeve të të cilit do të diskutohet për Ballkanin Perëndimor, me theks të posaçëm në situatën në veriun e Kosovës.
Zoti Borrell i cili gjatë fundjavës u takua ndarazi në Paris me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, tha se ‘jemi në prag të një krize tjetër” dhe se duhet dala nga situata përmes një qasjeje strukturore.
“Kemi paraqitur një propozim i cili duhet të diskutohet si një rrugëdalje e mirë nga situata. Duhet t’u bëj thirrje të dyja palëve që të përmbushin përkushtimet e tyre, të respektojnë angazhimet dhe të zbatojnë marrëveshjet që janë arritur shumë vjet më parë”, tha zoti Borrell, por pa dhënë ndonjë hollës se për çfarë propozimi bëhet fjalë.
Gjatë fundjavës udhëheqësit e të dyja vendeve qëndruan në Paris, por me gjithë paralajmërimet nuk u realizua një takim mes tyre.
Tensionet ndërmjet të dyja vendeve u shtuan pasi qeveria e Kosovës më 1 nëntor filloi zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia, me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për një shtyrje prej dhjetë muajsh për të shmangur tensionet.
Diplomatët perëndimorë ngulin këmbë që Kosova të shtyjë afatin për konvertimin e targave të makinave dhe të fillojë diskutimet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa punonjësit serbë të kthehen në institucionet që i braktisën më 4 nëntor dhe të krijojnë hapësirë për diskutimin e një propozimi franko-gjerman për një marrëveshje mes palëve.
Autoritetet në Prishtinë thonë se propozimi shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme, ndërsa ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç ka deklaruar se propozimi është i papranueshëm sepse niset nga pohimi se Kosova është e pavarur, gjë që kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia./voa

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button