Politika

Braçe depoziton padi penale ndaj Bashës

Përplasja

Ashpërsohet “lufta” mes socialistëve dhe kryebashkiakut të Tiranës

NGA HERION MESI

Erjon BraceDisa muaj përpara se vendi të përfshihet në zgjedhjet lokale, Partia Socialiste ka nisur një sulm frontal ndaj kryebashkiakut Lulzim Basha, duke e akuzuar për mosmbajtje të premtimeve dhe dhënie të lejeve të ndërtimit për pallate shumëkatëshe. Kërkesës për dorëheqje nga posti i kryebashkiakut adresuar nga PS-ja për kreun e PD-së, tashmë i është shtuar dhe nisma për kallëzim penal për shpërdorim detyre. Denoncimi në Prokurori ndaj kreut të PD-së, Basha, u bë publik nga vetë deputeti i PS-së, Erion Braçe.

Në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, socialisti Braçe njoftoi dje se përveç padisë ndaj kryebashkiakut Basha, ai ka depozituar dhe dy padi të tjera. E para është ndaj dy kompanive të kontraktuara nga Basha dhe që po ndërtojnë në zonën pas stadiumit “Qemal Stafa” në Tiranë. Padinë tjetër, Braçe thekson se e ka bërë ndaj njërit prej drejtorëve të njësive të INUK-ut për kryeqytetin. “Sot (dje) kallëzova në Polici dhe në Prokurori, kryetarin e Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, dy kompani ndërtimi të kontraktuara nga ai, drejtorin e njërës prej njësive të INUK-ut për Tiranën që mbulon zonën pas stadiumit ‘Qemal Stafa’. Të gjithë bashkë me veprime e mosveprime të qëllimshme kanë shpërdoruar detyrën me pasojë rrezikun për jetën e më shumë se 2500 banorëve”, – njoftoi Braçe. Sipas deputetit socialist, mësohet se bëhet fjalë për urdhrin e Lulzim Bashës për të ndërtuar një aks kombëtar në këtë zonë pa pyetur banorët, pa kërkesë të tyre dhe me rrezik serioz për jetën e tyre. “Lulzim Basha ka kontraktuar dy kompani për këtë ‘investim’, kompani të cilat kanë nisur punë me urdhër të tij pa pasur asnjë dokument, duke nisur nga ai bazë – leja e ndërtimit. Pra, nuk është një semafor pa leje ndërtimi. Është çdo “investim” klientelist pa leje ndërtimi. Semafori në funksion të Fanës, rruga këtu tek unë në funksion të Sandrit, Samës etj. Ky është Lulzim Basha! Ky njeri është armiku i këtij qyteti, ky duhet larguar sa më parë”- shprehet deputeti i PS-së. Në përfundim të njoftimit të tij, Braçe u bën apel këshilltarëve socialistë në Bashkinë e Tiranës, të cilët prej dy ditësh po protestojnë për lejet e ndërtimeve të dhëna nga Basha, që të marrin në mbrojtje dhe banorët e lagjes së tij lidhur me këtë shqetësim. “Pashë sot (dje) këshilltarë të PS-së në Bashkinë e Tiranës që protestonin kundër një leje ndërtimi për një pallat 22 kate në Park, që paska lëshuar po Basha. Do të doja t’u këshilloja që t’u dilnin për zot edhe banorëve të kësaj rruge! Këtu s’ka leje ndërtimi fare, fare”,- përfundoi njoftimin e tij deputeti i PS-së, Erjon Braçe.

Përplasja PS-Bashki

Dje, Partia Socialiste kërkoi dorëheqjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, pasi nuk ka mbajtur asnjë nga premtimet e bëra gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 8 majit 2011. Sekretari Ekonomik në Partinë Socialiste, anëtar i këshillit bashkiak, Ervin Bushati, nga Parku i Tiranës denoncoi lejen e ndërtimit dhënë në këtë zonë për një pallat 22-katësh të dhënë nga Bashkia. Ai tha dje se ‘Basha po vepron ndryshe nga premtimet që ka bërë duke mos lënë asnjë shenjë në tre vitet që ka qenë në krye të Bashkisë së Tiranë”. Më tej ai i ka kujtuar Bashës se u pati premtuar qytetarëve të kryeqytetit se nuk do të merrej me politikë, por vetëm me Tiranën. “Pikërisht në këtë kohë kur Tirana ka nevojë për punë, Basha merret me fjalë të pista duke u shndërruar në papagallin e PD-së”, – tha Ervin Bushati. Pas kësaj deklarate ka ardhur dhe reagimi i Bashkisë së Tiranës, e cila nëpërmjet një deklarate u shpreh se Edi Rama ka intensifikuar fushatën e shpifjeve dhe përbaltjes kundër këtij institucioni. Sipas saj, këto deklarata vijnë pasi Rama është tërbuar nga dështimi në qeverisje. Më tej, në deklaratë theksohet se qytetarët nuk harrojnë se Rama ka bllokuar për gjysmë viti buxhetin, shpronësimet për varrezat, investimet e reja për çerdhet, kopshtet dhe shkollat. “E vërteta është se Edi Rama ka bllokuar investime strategjike dhe mijëra vende pune për qytetarët e Tiranës dhe kjo sepse për Ramën, lufta politike vjen para interesave të qytetarëve”, – thuhet në deklaratën e Bashkisë së Tiranës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button