Braçe, qeverisë: Ndjekje penale për abuzuesit me CEZ-in
Bode, akuza qeverisë. Paguat 9 mln euro larg publikut, të majtët: Ju, asnjë padi ndaj kompanisë
Është e vërtetë që Ridvan Bode është vënë në dijeni nga unë për abuzimet në CEZ dhe nuk bëri asgjë
Braçe – Në arbitrazh nuk ka asnjë Padi të Shtetit shqiptar, Qeverisë së Shqipërisë kundër kompanisë CEZ! Edhe ky është krim dhe krimi duhet ndëshkuar
Bode – Rama dhe ministrat e tij, në mënyrë të pamoralshme, në vend që të kërkonte dëmin e 3 miliardë dollarëve, pagoi 9 milionë euro ndaj CEZ
Nga Artemisa Hoxha
Pa larguar në asnjë moment vëmendjen nga skandali i shekullit për vendin tonë, ai i vjedhjes së Thesarit në Bankën Qendrore, kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, denoncon në të njëjtën kohë një tjetër skandal që, sipas tij, ka lënë qeveria e mëparshme. Bëhet fjalë për kompanisë çeke të shpërndarjes së energjisë elektrike CEZ, dështimi i së cilës solli një gropë të madhe në financat e vendit. E teksa tashmë është ish-partia në pushtet ajo që lëshon akuza për PS-në, e cila ka denoncuar skandalet dhe përfitimet marramendëse të kësaj kompanie, një prej deputetëve që ka folur më shumë nga të gjithë në Parlament për skandalet e shpërndarjes së energjisë, Erjon Braçe, i kërkon qeverisë të fillojë procedimet penale për cilindo ish-ministër apo kryeministër të qeverisë së mëparshme. “Është e vërtetë që Ridvan Bode është vënë në dijeni nga unë për abuzimet në CEZ dhe s’bëri asgjë! Sali Berisha e ndaloi të bënte veprimin e duhur ligjor. Mosveprimi me pasojë dëmin ekonomik (në këtë rast), është vepër penale!! Ka vetëm një problem; të gjitha këto krime i kam denoncuar unë në opozitë, Berisha ishte në çdo rast kundër meje! Sot po akuzon sërish qeverinë time. Bode apo Berisha thanë se ne nuk ndoqëm padinë në Arbitrazh!! Po cilën Padi? Sali Berisha, Lulzim Basha, Ridvan Bode nuk e paditën kurrë në arbitrazh kompaninë CEZ! Në arbitrazh nuk ka asnjë Padi të Shtetit shqiptar, Qeverisë së Shqipërisë kundër kompanisë CEZ! Edhe ky është krim dhe krimi duhet ndëshkuar. Opozita fjalët ka! Por, qeveria ime duhet të përgjigjet me veprime! Padi për secilin përgjegjës, nisur nga Sali Berisha!”, shkruan në rrjetin social “Facebook” kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe. Duke argumentuar shkeljet e bëra nga qeveria e mëparshme dhe mosndëshkimin e saj nga autoritetet përgjegjëse, Braçe thekson se këto i kanë shkaktuar një dëm ekonomik vendit tonë, të cilin e paguajnë taksapaguesit shqiptarë. “Askush, në qeveri apo Kuvend, nuk ka shfajësuar e nuk do të mund të shfajësojë CEZ për dëmet e mëdha shkaktuar kompanisë unike shqiptare. Privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, shitur te kompania CEZ së bashku me linjat dhe nënstacionet, ishte një krim i rëndë! Krim i konsumuar nga Sali Berisha! Humbja e vlerës së 24% të aksioneve të shtetit shqiptar nga menaxhimi kriminal i kompanisë CEZ, ishte një krim i rëndë! Madje dorëzimi i kompanisë me vlerë tregtare negative ishte një krim i rëndë!”, – thekson Braçe në statusin e tij.
Qëndrimi i opozitës
E ndërsa reagon për kompaninë CEZ, ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, akuzon qeverinë e majtë se bëri të kundërtën e asaj që thuhej në raportin e kompanisë ndërkombëtare, e cila bëri dhe vlerësimin e dëmit. Bode shtoi se qeveria, duke bërë pazare të fshehta me CEZ, i dha asaj 9 milionë euro, kosto që do ta paguajnë vetë qytetarët shqiptarë. “Çfarë i rekomandon kompania qeverisë?! Në raportin e saj, kompania eksperte ndërkombëtare, thotë se dëmi që duhet t’i kthejë kompania CEZ qeverisë kap vlerën prej 2.3 milionë euro, të cilat qeveria shqiptare vijonte t’i kishte si pjesë të aksioneve. Vlera ishte vlerësuar 32 milionë euro nga kompania, ndërsa nga qeveria u deklarua 0. Vlera prej 13.2 miliardë lekësh ishte vlera e deklaruar nga ERE, e përfshirë në çmimin e energjisë elektrike që paguajnë qytetarët. 18.7 miliardë lekë është shuma e borxhit neto që CEZ i ka qeverisë shqiptare”, tha ligjvënësi demokrat. Sipas tij, Rama zgjodhi rrugën e fshehtë, atë të marrëveshjes me CEZ. “Rama dhe ministrat e tij, në mënyrë të pamoralshme, larg syve të qytetarëve, zgjodhi rrugën e parave të fshehta, në vend që të kërkonte dëmin e 3 miliardë dollarëve, pagoi 9 milionë euro ndaj CEZ. Tashmë, do të jenë qytetarët shqiptarë ata që do t’i paguajnë ato 3 miliardë”, u shpreh Bode.