“Braho i tregoi Berishës 2 video”
Kryetari i Parlamentit, Ilir Meta ishte i ftuar sonte në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” ku ka folur për situatën politike aktuale dhe për zgjedhjet e ardhshme, që do të mbahen në qershor 2015.
Në intervistën e dhënë për Ilir Babaramon, Meta ka deklaruar se Spartak Braho i ka treguar Berishës në zyrën e tij dy video, në të cilat ka qenë i përfshirë edhe Shkëlzeni. Kryeparlamentari tha se fjalët e tij në Kuvend adresuar ish-kryeministrit Berisha ishin një mesazh i qartë i arsyes se përse ai kishte dhënë dorëheqjen katër vite më parë dhe përse nuk do ta japë sërish.
Intervista e plotë
Doja ta nisnim bisedën me këmbënguljen e PD-së që kërkon dorëheqjen tuaj nga posti i Kryetarit të Kuvendit për t’i hapur rrugë të lirë hetimit. Pasi pretendohet se qenia juaj si Kryetar të Kuvendit është një lloj trysnie që i bëhet drejtësisë për të mos zbardhur akuzat e deputetit Tom Doshi. A keni ndërmend ta jepni dorëheqjen?
Është e vërtetë që prej tre javësh kërkohet dorëheqja ime nga ana e opozitës dhe kjo është një e drejtë e saj. Jo vetëm kaq, por ajo po të ketë mundësinë ta kërkojë edhe tre vitet e ardhshme deri në përfundimin e mandatit tim të plotë si Kryetar i Kuvendit. Ajo që unë mund të bëj për opozitën në fakt e kam bërë që në minutën e parë që më ka ardhur një kërkesë për shkarkimin tim e firmosur nga 22 deputetë të opozitës, të cilën nuk e kam futur në sirtar, përkundrazi e kam firmosur menjëherë dhe kam qenë i hapur që me këtë kërkesë të fillojë rendi i ditës së seancës plenare. Më shumë se kaq nuk mund të bëj për opozitën.
Po protestat që bëhen çdo ditë sa në hyrjen e Kryesisë së Kuvendit ashtu edhe jashtë sallës së seancave plenare, a ndikojnë në punën e tuaj, pra në drejtimin e Parlamentit?
Kam parasysh faktin se dy seancat e fundit nuk kanë qenë normale. E parafundit zgjati vetëm 12 minuta, ndërsa në seancën e fundit ju nuk ishit…
Gjatë një viti e gjysmë mund të jetë pasur 2-3 seanca normale në Parlament, kryesisht kur nuk ka qenë prezent Doktori. Çdo seancë tjetër ka qenë anormale po të kemi parasysh mënyrën se si është shpërdoruar edhe toleranca nga ana e mazhorancës në respektimin e të drejtave të opozitës. Pra, çdo lloj anormaliteti ka të bëjë me sjelljen e opozitës dhe ajo që ne mund të bëjmë në maksimum, është që ta respektojmë brenda të gjitha të drejtave që i takojnë, ta tolerojmë edhe përtej këtyre të drejtave, por nuk mund të na kërkojnë t’i llastojmë, sepse kjo nuk është një përgjegjësi e jona.
Sigurisht e keni lexuar kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme që kërkon autorizimin për të arrestuar dy deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku. Në materialin prej 7 faqesh, a ju duket bindës ku material, a ju duket shterues? A i jepet përgjigje të gjithë pyetjeve për gjithçka ka ndodhur?
Ndoshta nuk do ta besoni, por nuk kam pasur mundësi që ta lexoj materialin dhe relacionin, sepse nuk kam ndonjë kuriozitet shumë të madh për këtë histori. Kurioziteti është shuar me kohë. Natyrisht qytetarët mund të kenë kuriozitet për arsye se për ata fillimisht ka qenë si një ngjarje shumë e çuditshme, por tani është bërë mëse groteske pavarësisht nga një “background” i qartë kriminal që ka të bëjë me disa vepra penale. Por nuk e kam lexuar, sepse nuk besoj se është detyra ime dhe madje e çdo deputeti për të ndërhyrë dhe për të bërë një analizë të punës së Prokurorisë. Ky është qëndrim parimor, ndihmohet procesi i hetimit, duke pranuar një kërkesë të prokurorisë, ose nuk ndihmohet, ky është thelbi i këtij qëndrimi mendoj unë.
Kur pritet të dalë me një vendim Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin dhe kur pritet të shqyrtohet kjo çështje në seancë?
Mesa jam i informuar nga z. Dule, ditën e mërkurë pasdite Këshilli do të shprehet. Se kur mund të kalohet në seancë nuk mund ta them me siguri, sepse etapat duhet të ezaurohen një nga një.
Pritej që në mbledhjen e parë të merrej një vendim, por ka pasur disa shtyrje deri tani, për shkak të kërkesës së Doshit dhe më pas të PD-së. Si i gjykoni ju këto?
Nuk dëshiroj të hyj në këtë çështje, sepse e shikoj si çështje procedurale. Në fund fare qëndrimi është i qartë: ekziston vullneti i Parlamentit dhe i deputetëve për të ndihmuar procesin, duke mbështetur një kërkesë të Prokurorisë ose jo.
Tani që kanë kaluar tre javë nga fillimi i kësaj historie dhe disa pyetje kanë nisur të marrin përgjigje, a e pyesni veten “përse më akuzuan mua”?
Nuk mendoj se dua ta pyes veten për këtë gjë shumë, pasi besoj se përgjigja është e qartë dhe kjo përgjigje në mënyrë akoma më të qartë do të jepet në zgjedhjet e 21 qershorit. Por sigurisht që kjo është një çështje që i takon Prokurorisë që ta zbardhë dhe ajo po merret me këtë proces.
Paraardhësja juaj, znj. Topalli ka deklaruar se kjo mbledhje e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin konsiderohet nul, sepse sipas saj, rregullorja e përcakton se duhet drejtuar nga Kryetari i Kuvendit. dhe nëse nuk drejtohet prej jush çdo vendim i kësaj mbledhjeje është nul…
Jo vetëm kaq, por jam i bindur se çdo seancë plenare që nuk drejtohet nga ajo mund të konsiderohet si nul. Unë besoj se procedura është shumë e qartë dhe po ecën shumë mirë.
Si deputeti Doshi ashtu edhe avokatët e tij deklarojnë se kërkesa e Prokurorisë për arrestim është politike dhe lë qartë të kuptohet se duke e akuzuar se ka bërë dëshmi të rreme, kërkesa për ta arrestuar është proporcionale,sepse një njeri që bën një dëshmi të rreme nuk është ndonjë krim kushedi se çfarë i rëndë, sipas tij?
Nuk mund të bëj komete të tilla. Kjo është një çështje që i takon prokurorisë dhe nuk mund të ndërhyj në kompetencat e prokurorisë.
Z. Berisha e ka paragjykuar punën e Prokurorisë?
Doktori…
Po Doktori. E ka konsideruar se po vepron nën presion politik duke qenë se si Kryeministri, si Kryetari i Kuvendit, si Ministri i Brendshëm janë të përfshirë në këtë ngjarje direkt apo indirekt duke ushtruar presion mbi Prokurorinë nuk mund të zbardhet e vërteta dhe duhet hetim ndërkombëtar…
Në këtë telenovelë janë të përfshirë shumë persona dhe ju besoj se e dini se edhe një nga dëshmitarët e thërritur nga Prokuroria është edhe kunati i Doktorit, z. Agim Rama, për të cilin e theksoj përsëri se kam respekt dhe ndoshta nuk është faji i tij që ka qenë klient i këtij lokali të famshëm ku bëheshin gjoja gjithë këto komplotet. Dhe natyrisht që Doktori ka të drejtë të bëjë çdo deklaratë dhe çdo akuzë për presione politike që mund t’i bëhen Prokurorisë, por hetimet nuk ecin sipas tablosë sinoptike që ai ka përvijuar prej kohësh. Dhe natyrisht që ai nuk i quan presion ndaj Prokurorisë gjithë këto protestat, shantazhet që përpiqet të bëjë për të ndikuar hetimet sipas interesit të tij politik. Doktori tashmë është i famshëm për dy standardet e tij në të gjitha drejtimet.
Tashmë ju si e shikoni punën e Prokurorisë në këtë çështje?
Nuk dëshiroj që të prononcohem për këtë çështje, por e kam bërë të qartë që në fillim që kam qenë i gatshëm për të bashkëpunuar me Prokurorinë meqenëse është përmendur emri im, dhe për këtë arsye i jam përgjigjur kësaj thirrjeje të Prokurorisë. Jo vetëm kaq, por ia kam bërë të qartë Prokurorisë dhe më pas edhe për opinionin publik pasi kam dalë nga Prokuroria, që kam qenë i gatshëm në rast se Prokuroria do ta gjykonte të domosdoshme për të bërë edhe ballafaqime me z. Berisha që ka qenë një ndër akuzuesit kryesorë dhe me të gjithë zotërinjtë e tjerë për këtë çështje. Dhe sikurse e dini në Prokurori, kanë vajtur edhe pothuajse të gjithë personat e përmendur, edhe nga deputeti në fjalë, ka vajtur bashkëshortja ime, ka vajtur babai im 72 vjeç.
Ka vajtur edhe babai juaj?
Po, patjetër ka vajtur babai im. Pasi i dështoi skenari me vrasjen nga Fushë-Kruja, ishte bërë gati vrasësi nga Skrapari, z. Petrit Çinari, i cili doli edhe që ishte me kartelë klinike, me probleme mendore, por dhe jo fare pa mend, sepse ndërkohë bashkëshortja e tij doli që kishte marrë një apartament falas si dhuratë nga personi që ky do të vriste për llogari të babait tim. Kështu kjo është gjithë historia.
Jam kurioz, e keni pyetur babanë pasi doli nga prokuroria se çfarë e pyetën, çfarë tha? Si e përjetoi ai vetë?
Jo, nuk e kam pyetur, nuk kam patur mundësi ta takoj.
Po të paktën e keni pyetur si e ka përjetuar gjithë këtë ngjarje sepse në moshën e tij nuk është kaq e lehtë që dikush të thotë: “Shiko se ke porositur një vrasje”?
Shiko, mosha e tij, është mosha e Doktorit pak a shumë, janë mësuar me këto procese, me këto grupe, sabotime. Kanë kaluar shumë grupe armiqësore, kështu që nuk besoj se është edhe diçka fare…. Ndoshta për këta të rinjtë mund të jetë më e vështirë për të kuptuar, për t’u orientuar se çfarë po ndodh. Këtyre u kanë kaluar këto gjëra me kohë.
Si z. Berisha ashtu e dhe z. Doshi i konsiderojnë hetimet e Prokurorisë jobindëse dhe kërkojnë një hetim ndërkombëtar. Ju si mendoni, a duhet një hetim ndërkombëtar apo çështja tashmë është e ezauruar nga drejtësia shqiptare?
Kam përshtypjen se hetimi ndërkombëtar për këtë çështje ka përfunduar me kohë, megjithatë është e drejta e tyre të kërkojnë çfarë të duan. E gjithë interesantja e kësaj çështje është që më në fund Doktori e mësoi rrugën e Prokurorisë. Kjo mendoj se është pozitive.
Thatë që ka pasur hetime ndërkombëtare. Nuk jemi në dijeni, çfarë hetimesh ndërkombëtare ka pasur?
Sipas mendimit tim.
E keni fjalën për deklaratat e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës?
Unë dhashë një mendim tim, kaq nuk kisha ndërmend që të komentoja asgjë tjetër.
E lini pezull?
Hetim ndërkombëtar për Petrit Çinarin, të shkojnë të kontrollojnë klinikën nëse është atje kartela për problemet mendore. Të shkojnë të verifikojnë apartamentin, të shkojnë të verifikojnë gjëra të tjera që ndodhen në emrin e këtij personi dhe të tjerë.
Ndërkohë, Prokuroria kërkon dhe arrestimin e Mark Frrokut. Z. Berisha në një nga ato postimet e tij të shpeshta në Facebook thotë se pritet një kërkesë ose ka ardhur më saktë një kërkesë nga Belgjika për ekstradimin e tij, për një krim të kryer në…
Do i ketë vajtur Doktorit kjo. Ai s’na e kanë dhënë ne, kështu që mbetet një e dhënë ekskluzive për Doktorin.
Pra, nuk keni ndonjë dokument nga prokuroria lidhur me deputetin Frroku?
Do të kenë ngatërruar adresën. Mendojnë se akoma Doktori është Kryeministër dhe do t’ia kenë çuar atij. Doktori po të ketë ndonjë kërkesë të tillë le ta kalojë këtë nga Kuvendi ose ta kalojë nga z. Rama.
Pse kanë dhe komunikim të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin?
Për të çuar përpara drejtësinë. Për t’i shërbyer drejtësisë.
Gjithnjë duke iu referuar si z. Doshi ashtu edhe z. Berisha, të dy thonë se ju keni dërguar deputetin Spartak Braho në Hanover të Gjermanisë për të manipuluar një nga dëshmitarët kyç të kësaj çështje. Si është e vërteta? A ka qenë z. Braho në Hanover në Gjermani?
Kjo është një pyetje që duhet t’ia bëni z. Braho. Së dyti, z. Braho është njeri në moshë madhore, ka pak a shumë moshën e Doktorit. Kështu që merr gjithë përgjegjësitë për veten e tij. Unë pasi është bërë kjo zhurmë e kam pyetur dhe më ka thënë që ka parë një ndeshje të Hanoverit me Bajernin atë ditë. Për çështjet e tjera, t’i drejtohen drejtësisë. Z. Berisha dhe cilido tjetër që është i interesuar për itinerarin e tij, ashtu sikurse në qoftë se janë të interesuar edhe për itinerarin tim për në Milano, për ta saktësuar kam qenë dhe në Torino, përsëri të bëjnë verifikimet e tyre, t’i drejtohen drejtësisë.
Për çfarë keni qenë në Torino?
Mund të pyesni z. Vasili që ka qenë bashkë me mua meqenëse është përmendur dhe ky si komplotist.
Sot pritët në një takim, që qe pak surprizë për ne, kryeprokurorin kroat i cili ka hetuar dosjen Sanader, të ish-Kryeministrit kroat i cili u arrestua. Nga zyrat e Komisionit Evropian na thuhet se ai ka ardhur në kuadër të misionit EURALIUS për të trajnuar prokurorët shqiptar. Ju e takuat sot. A u fol për korrupsionin në nivelet e larta? U fol për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në politikën shqiptare?
Ishte një takim institucional, i cili zhvillohet do të thosha në kuadër të reformës në drejtësi dhe përvoja kroate besoj se është shumë e vlefshme në të gjitha fushat për Shqipërinë, duke qenë se është vendi i fundit anëtar i Bashkimit Evropian, por është edhe një vend pranë vendit tonë me një të kaluar relativisht të ngjashme me ne dhe me suksese të shumta në të gjitha drejtimet, edhe në drejtim të forcimit të ligjit dhe të sundimit të tij. Nuk do të hyja në gjëra më konkrete, por besoj që përvoja kroate është shumë e mirë. Askush në Shqipëri nuk duhet të ketë…
Kush jua zgjodhi këtë prokuror për të ardhur në Shqipëri?
Nuk mund ta them me saktësi, por ka qenë në axhendën time prej disa kohësh për t’u takuar me të.
Të rikthehemi sërish tek ajo që ju e konsideroni telenovelë por që qe një ngjarje për hir të së vërtetës e tronditi opinionin publik sepse kemi një deputet i cili thotë se Kryetari i Kuvendit ka urdhëruar vrasjen time. Ju jeni përgjigjur, ju dhe protagonistë të tjerë të LSI-së, që ky është një “puç i pularisë së Koplikut”, dhe në kohën kur Berisha e mori në mbrojtje këtë deputet ju thatë që Berisha “të mos ngrohë vezët e krimit”. Ndërkohë që të nesërmen kur doli verdikti i Prokurorisë ju zgjodhët për daljen tuaj të parë një kompleks shpendësh, sërish një pulari. Ishte një mesazh për ta trajtuar në mënyrë burleske?
Mendoj se përkrahja e rritjes së prodhimit vendas nga të gjitha drejtimet, edhe në këtë aspekt, dhe këtu nuk ka asgjë për të buzëqeshur, është një prioritet i padiskutueshëm dhe kjo përfshin dhe shpendarinë. Ishte me të vërtet një kompleks i mrekullueshëm, një teknologji e jashtëzakonshme. Ministria e Bujqësisë ka bërë një punë shumë të mirë për të mundësuar ekspozimin e vezëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Kompania në fjalë ka gati shumë parakontrata me partnerë të rëndësishëm ndërkombëtar dhe duhet mbështetur ky sektor, pasi e theksoj edhe një herë, në qoftë se nuk prodhojmë vezë, në qoftë se nuk prodhojmë shpendë, në qoftë se nuk prodhojmë po themi blegtori e kështu me radhë, nuk prodhojmë dot raketa. Të paktën këto t’i prodhojmë, t’i eksportojmë të mos importojmë dhe në këtë mënyrë do të hapim vende të reja pune dhe do të përmirësojmë ekonominë e vendit tonë.
Pra nuk kishte asnjë lidhje, asnjë sinjal?
Nuk besoj se duhen të politizohen këto gjëra.
Por gjithsesi një nga aksionerët e pularisë së Koplikut është z. Prifti, i cili në një nga daljet e tij publike tha se, nëse citoj saktë, “se ka pasur sinjale se edhe atë donin ta vrisnin dhe ai që donte ta vriste ishte sërish ju”. Por gjithnjë sipas z. Prifti çështja është e sqaruar. Si është e vërteta?
Unë nuk mund të them asgjë më shumë, nuk mund të bëj asnjë koment më shumë. Të gjithë që kanë shqetësime të tilla t’i drejtohen Prokurorisë. Këto problemi i zgjidh ose drejtësia ose mjekësia. Unë nuk jam as prokuror as doktor. Një doktor mund t’i zgjidh këto probleme.
E keni fjalën për Doktorin me “D” të madhe?
Këtë e thatë ju.
Marrëdhëniet tuaja me z. Prifti i ngjajnë një plage që sadopak ta gërvishtës, gjithnjë reagon…
Nuk kam asnjë problem. I kam marrëdhëniet shumë të mira me të. Ai ka kërkuar falje. Mund të pyesni z. Ndroqi, këtu afër e keni.
Ka kërkuar falje në prani të z. Ndroqi?
Po, këtu nuk ka asnjë problem.
Ju e keni marrë, ai rrëfeu që erdhi dikush…
Mund të pyesni z. Ndroqi, ta mbyllim këtë histori këtu. Të vazhdojmë në gjëra më serioze.
Pra refuzoni ti përgjigjeni kësaj pyetje?
Jo, nuk është se refuzoj, por s’kam asnjë shqetësim, asnjë problem. Të mos i marrim kohën telespektatorëve.
E qartë, por gjithsesi qëndrojmë tek z. Prifti, sepse mbaj mend në një intervistë që kam patur 3-4 vjet më parë ai ka thënë se ka bërë rreth 60 video tek ajo zyra kur ishte Ministër i Ekonomisë dhe kam përshtypjen se për shkak dhe të procedurës të cilën e dorëzoi aparatin me të cilin kishte regjistruar, e dorëzoi në Prokurori dhe për shkak të procedurës, avokatët tuaj, i bie që ti disponojnë ato video?
Të mos merremi me këto çështje. Të lutem, ky është një sektor që e mbulon z. Braho, nuk merrem me këtë sektor.
E mbulon z. Braho por ndërkohë t’i rikthemi marrëdhënieve tuaja me z. Berisha.
Me Doktorin po.
Me Doktorin po. Kur ju kërkoi dorëheqjen ju thatë se e kam dhënë një herë dorëheqjen, e kam dhënë për Shkëlzenin një herë, dhe nuk mund ta jap dy herë për Shkëlzenin dhe aluduat që kishte një video të djalit të ish-Kryeministrit…
Nuk ia vlen të merremi me këtë çështje mendoj unë, sepse ky ishte një mesazh i drejtpërdrejtë për Doktorin. Nuk ia vlen as të merremi me çështje videosh. Spartaku i ka treguar më duket edhe nja dy video dhe Doktorit, por nuk ia ka treguar të gjitha, por ndoshta mund të ketë rastin t’ia tregoj të gjitha.
Ia ka treguar privatisht…
Privatisht, një moshë janë ata.
Pra sektorin e videove të komunikimit me video e mbulon z. Braho. Por jua ka thënë se çfarë përmbajnë ato video?
Të lutem, është një sektor që nuk e mbuloj unë.
Gjithsesi komunikimin me Doktorin është një sektor që ju e mbuloni në mënyrë ekskluzive në Parlament…
Me kënaqësi dhe me dashuri…
Por e shikoj që ka, të paktën nga opinioni publik, ka një komunikim me kod mes…
Po mirë edhe një çik malësor jemi ne që të dy.
Po sikur ka diçka që nuk shkon…
Ajo që nuk shkon është se varet se si e përjeton angazhimin politik. E përjeton si përgjegjësi, e përjeton si kënaqësi, ndonjëherë të kap dhe si sëmundje dhe më duket se Doktori ka këtë problemin e fundit dhe kjo e bën që të humbas shpesh logjikën, të dali nga realiteti, të shoh ëndrra me zgjedhje të parakohshme. Të shikojë vetëm vrasje, tritol dhe të shikojë një qamet, i cili nuk ka se zgjidhje tjetër përveç se rikthimin e Doktorit në pushtet, mundësisht pa vota