Ekonomia

Bujqësia 2015 – AZHBR financoi për herë të parë 100 % të aplikimeve për prodhimet autoktone

Ministria e Bujqësisë, nëpërmjet Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) gjatë vitit 2015, financoi për herë të parë, në masën 100 për qind të gjitha aplikimet e fermerëve, në disa nga skemat kryesore të mbështetjes në bujqësi si: vreshtari, mbjellje pemëtore, blegtori, etj.
AZHBR-ja, vitin e kaluar lëvroi rreth 1,7 miliardë lekë subvencione në mbështetje të fermerëve dhe zhvillimit rural.

Skemat mbështetën zhvillimin autokton rural

Mbi bazën e strategjisë së Zhvillimit Rural, për vitin 2015, fondet subvencion u adresuan për rritjen e investimeve në bujqësi, blegtori, peshkim dhe agrobiznes. Ndërsa paralelisht me këtë strategji, AZHBR-ja zhvilloi diskutime me grupet e interesit me qëllim përthithjen e drejtpërdrejtë të këtij financimi në mbështetje të zhvillimit tradicional rural .

Të shpërndara sipas qarqeve bie në sy, rritje e fondeve të financimit subvencion për disa rrethe, në skema që zhvillojnë prodhimin autokton si p.sh: në qarkun e Gjirokastrës gjatë 2015 u financuan rreth 542 fermerë ose rreth dy herë më shumë se viti 2014, në drejtim të shtimit të të imtave, bimëve medicinale, bletari dhe dorëzim prodhimi qumësht.

Ndërsa në qarkun e Kukësit, skemat e subvencionimit u gjashtëfishua dhe numri i përfituesve u shtua 10 herë, për projektet e fermerëve në shtimin e arrorëve dhe të imtave. Zona veriore e Shqipërisë njihet tashmë si vendi me potencial  të madh arror dhe që mund të bëhet i rëndësishëm në prodhimin kombëtar dhe eksporte.

mollNdërsa në qarkun e Shkodrës gjatë 2015 u financuan rreth 60 fermerë, me vlerë 14,438,710 lekë. Rënia e numrit të përfituesve erdhi si pasojë e mungesës në dokumentacion në skemën e bimëve medicinale si: mungesa e certifikatës për materialin mbjellës dhe mungesa e shoqërimit të materialit mbjellës me faturat tatimore përkatëse. Skemat që janë financuar plotësisht: mbjellje vreshtash, ujitje me pika, të imta, bletari dhe dorëzimi i qumështit.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka qenë e angazhuar maksimalisht për të zbatuar me sukses procedurat dhe mënyrën e administrimit të fondit të programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural gjatë vitit 2015. Vetëm gjatë këtij viti, AZHBR financoi rreth 12,675 aplikime të fermerëve në vlerën e 883.622.391 lekë, në skemat e subvencionit në bujqësi, blegtori, aquakulturë, normë interesi, serave me ngrohje, ullishtari.

Ndërsa mbështetja financiare për investimet në bujqësi arrin vlerën 658,542,786 lekë, për rreth 75 sipërmarrës në sektorin e bujqësisë dhe agropërpunimit. Krahasuar me vitin 2014, Qeveria Shqiptare përmes programit të subvencionimit të drejtpërdrejtë të fermerëve mundësoi rritjen e numrit të përfituesve nga këto skema me rreth 32 për qind ose rreth 3,954 fermerë më shumë se vitin e kaluar. Ndërsa në vlerë monetare u dyfishua buxheti i alokuar për skemat e subvencionit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button