Burri i antishtetit
Nga Andrea Stefani
Vërej se ekziston një gen shkatërrues në politikën shqiptare – tha njëherë Karsten Jensen, ambasador i Danimarkës në Tiranë. Një gen që këmbëngul edhe sot e kësaj dite dhe që lidhet më së shumti me Sali Berishën ndonëse, nuk kufizohet vetëm me të. Prova? Sa të duash! Asnjë burrë shteti nuk do të bënte atë që sapo bëri Sali Berisha, t’i bënte thirrje shqiptarëve të armatosen kinse për të përballuar krimin por në fakt, për t’u përballur me armë me një qeveri që ai prej 3 vjetësh rreket ta rrëzojë. Asnjë demokrat nuk do ta bënte një gjë të tillë. Sepse edhe kur qeveria është shumë e keqe, një “burrë shteti”, për më tepër demokrat, e gjen zgjidhjen vetëm dhe vetëm tek rotacioni i pushtetit me votë. Por Berisha e provoi edhe një herë me vepra se nuk është “burri i shtetit” por burri i antishtetit.
***
Fillimi i mirë është gjysma e punës. Qe një kob për Shqipërinë që menjëherë pas thërrmimit të regjimit komunist (Berisha ka ngritur legjendën se e shkatërroi Ai komunizmin?!) në krye të proceseve politike doli “burri i antishtetit”. Sikur në vitin ’91 të kish dalë në krye të proceseve një lidership a elitë politike e dedikuar për demokracinë liberale dhe shtetin ligjor, sot, pas 25 vjetësh, Shqipëria do të qe një tjetër shtet, anëtar i denjë i BE. Mjerisht, në krye doli një elitë jo vetëm e padedikuar por edhe armiqësore ndaj demokracisë dhe shtetit ligjor. Në krye të kësaj elite u vu Berisha që i jepte frymën gjithçkaje. Për fat të keq një frymë destruktiviste që përputhet me karakterin e tij nekrofil.
***
Një rrënimtar dhe vdekjedashës nuk mund të pajtohet kurrë me demokracinë dhe lirinë e njeriut. Nuk mund të pajtohet as edhe me sistemin e shtetit ligjor që, duke kufizuar pushtetet, nuk i lë hapësira shkatërrimit. Prandaj nuk kishte si Berisha të investohej për shtetin ligjor dhe demokracinë. Ai u investua për të kundërtën.
***
Pasi shkatërroi demokracinë në PD (kulti i tij i individit është me brirë atje) e shkatërroi edhe në shtet duke vrarë që në djep premisat e lirisë së njeriut dhe demokracinë, drejtësinë, mediat e pavarura apo duke manipuluar zgjedhjet. Paralel ju përvesh rrënimit të ekonomisë që u manifestua në mënyrën më katastrofike në privatizimet e ndërmarrjeve publike. Në asnjë vend ish-komunist nuk ka ndodhur ploja që ngjau në Shqipëri. Brenda pak vitesh, nëpërmjet një privatizimi korruptiv, që paraprihej nga degradimi i qëllimtë i pronave publike, Shqipëria u katandis nga një vend industrialo-agrar në një vend agrar që rrezikon të mos ketë as bujqësi. Berisha mburrej se Shqipëria ishte më e shpejta në Ballkan dhe Lindje në privatizim, ndërkohë që vendet e tjera e bënë një operacion të tillë më gradualisht por më me maturi dhe përfitim. Por ato kishin liderë dhe elita që jo vetëm e kuptonin, por edhe kishin njëfarë dedikimi për shtetin. Ndërsa lideri ynë ishte burri i antishtetit. Edhe vetë Fatos Nano, që i lodhur nga persekutimi dhe presionet i dha karar të pajtohet me burrin e antishtetit, në një moment sinqeriteti ka pohuar se “…ishte shumë e mundur të shpëtohej shumëçka, aspak gjithçka, por struktura materiale që vazhdonte të prodhonte, u bllokua dhe u shkatërrua me greva politikisht të arsyetuara por pa sens për gjendjen ekonomike të vendit…”. Por s’kish si të ndodhte ndryshe kur në krye të shtetit kish ardhur Antishteti.
***
Dhe pastaj antishteti u shtri si epidemi në të gjithë sferat e jetës. Tolerimi i ndërtimeve pa leje që çoi në zhdukjen e plazheve të tëra, ishte antishtet. Ai nuk do të ndodhte, dhe sot Shqipëria do kish plazhet nga më të veçantat në Europë, sikur burri i shtetit që kish marrë të gjithë pushtetet, të kish thënë vetëm kaq: Mos të ndërtohet 300 m nga bregu i detit! Por ne kishim burrin e antishtetit që ishte i interesuar jo për shtet, por që të gjithë të korruptoheshin duke grabitur shtetin në mënyrë që ai t’i keqpërdorte sa më mirë në funksion të pushtetit të tij personal. Sepse burri i antishtetit është edhe burri i pushtetit. Ai varros shtetin për pushtetin. Kështu ndodhi edhe me pyjet që u ruajtën si me brisk nga faqet e maleve dhe kodrave, kështu edhe me shtretërit e lumenjve që u gërryen, kështu edhe me tokën që ra pre e erozionit. Kudo degradim dhe shkatërrim si në asnjë shtet. Pse? Sepse nuk kishim në krye një Monteskjë të dedikuar ndaj frymës së ligjit por burrin e antishtetit që nuk ka të ngopur me shkatërrim.
***
Po kështu edhe me piramidat financiare. Burri i antishtetit preferoi që t’i linte shqiptarët të zhyten në iluzionin e parajsës së korruptuar të fajdeve në një kohë që duhet të përballonin kostot e reformave të rrepta por të ndershme. Edhe kur Banka Botërore dhe FMN i kërkuan Berishës, andej nga viti 1994, të ndalonte piramidat, ai, burri i antishtetit, refuzoi ta bënte një gjë të tillë sepse nuk leverdiste për pushtetin. Fajdet ishin droga që krijonte iluzionin se me PD dhe Berishën “fitojnë të gjithë”! Nuk e bëj unë këtë akuzë. E ka akuzuar publikisht për këtë fajësi Genc Ruli, një nga mbështetësit më të afërt të tij. Por në një moment kur qe divorcuar përkohësisht nga Berisha. Kryeministri Meksi edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë Luniku donin që të mbyllnin piramidat, por nuk donte kryeshtetari – ka deklaruar Ruli.
***
Destruksioni si antishtet vazhdoi në mars ’97, kur në vend se të jepte dorëheqjen siç i përkiste, pasi humbi mbështetjen e shumicës së shqiptarëve për shkak të piramidave që vetë i toleroi, Berisha tentoi skenarin e mbytjes së protestave me ushtri dhe pasi dështoi, atë të armatosjes së mbështetësve fanatikë apo të gënjyer me krahinizma përçarëse antikombëtare dhe futjen e Shqipërisë në luftë civile. Karakteri i tij destruktiv nekrofil, ja arriti qëllimit. Shteti shqiptar u rrënua dhe mijëra vetë humbën jetën. Vepra e burrit të antishtetit u përkrye. Por nuk u ngop.
***
Aq sa mund të nginjet një vrimë e zezë që gëlltit planetë, aq mund të ngopet me shkatërrim një karakter destruktiv. Prandaj ndodhën edhe marshimi ushtarak i Leka Zogut mbi KQZ në ‘97, grushti i shtetit në shtator ’98, apo sulmi mbi komisariatin e Tropojës.
***
Por antishteti u fut më thellë në limfën e shtetit gjatë sundimit të tij të dytë, pasi burri i antishtetit, u rikthye në pushtet në vitin 2005. E jo vetëm e thelloi korrupsionin e madh me trafiqe e biznese mafioze si ai i municioneve në Gërdec, me fishekët kinezë të trafikantit Diveroli, apo korrupsionin e rrugës Durrës-Kukës, por u përpoq, për qëllime pushteti, të bëjë që të gjithë shqiptarët të rreshtohen në falangat e antishtetit duke mos paguar faturat e ujit dhe të energjisë elektrike. Duke mbjellë drogë ditën për diell. Justifikimi? Janë të varfër dhe nuk kanë si jetojnë! Dhe kush e thoshte apo nënkuptonte këtë? Burri i shtetit që ishte votuar t’i nxirrte shqiptarët nga varfëria! Por në vend që të bënte këtë, i hidhte gomën e shpëtimit të antiligjit, antishtetit. Si me piramidat financiare. Si me kontrabandën e naftës me Malin e Zi. E ç’e dallon këtë burrë antishtet nga një Eskobar që duartrokitet madje votohet, vetëm pse i hedh turmës lëmoshat e një trafiku që e degradon dhe e varfëron?
***
Tani që është prapë në opozitë, burri i antishtetit përpiqet që përpëlitjet e shtetit për t’u kthyer në origjinë, për të mbledhur taksa apo faturat e energjisë, t’i paraqesë si mizori kundër popullit, operacionet kundër kanabisit, si shkelje të të drejtave të njeriut. Por tërbimin më të madh, burri i antishtetit e ka me reformën në drejtësi. Sepse një drejtësi e pavarur, që ai e shtypi që në embrion me kursin e plepave dhe presione mbi gjykatat, është shtylla kurrizore e shtetit. Pa të shteti është një butak. Dhe burri i antishtetit, do që shteti të mbetet një butak. Që ai dhe klani i tij të mos ndëshkohen për krimet dhe korrupsionin 25 vjeçar. Që ai ta sulmojë, kërcënojë, rrënojë shtetin, por shteti të mos e ndëshkojë për këto krime. Prandaj tani që e shikon se ndërkombëtarët janë të vendosur të çojnë deri në fund reformën që mund të pjellë një drejtësi që ai se komandon, thërret për armë dhe konflikt.
***
Po kush mund ta shpëtojë Shqipërinë nga burri i antishtetit? Mos vallë dalja e ndonjë burri të vërtetë shteti? Iluzion. Në mungesë të sistemit të institucioneve të shtetit ligjor, ndër të cilat drejtësia e pavarur është thelbësore, çdo burrë shteti do të degradonte. Vetëm një drejtësi e pavarur nga politika dhe mafia mund ta shpëtojë Shqipërinë nga burri i antishtetit sot (që, e theksoj, nuk është thjesht Saliu por është kulti Berisha me mbështetës fanatikë) si dhe nga çdo burrë shteti nesër. Pra na duhen jo burra shteti, por institucione të pavarura nga burrat e shtetit që duke mbajtur ata nën kontroll, u japin shansin të shndërrohen në burra shteti.
Jo burri por MONSTRA Antishqiptar.
Zoti Andrea, falemindrit per autopsine qe i beni, keti katili, krimineli, qe ne emer te demokracise, beri antidemokraci. Ky mafjoz eshte autor i gjendjes, hiq e mose keput qe jemi sote. Vendi me i begate ne ballkan, me pasuri mbitokesore e nentokesore, me fusha, kodra male, me lumenj e liqene, qe laget ga dy dete, pore ky antishqiptare, punoi per te pasuruar femijet e tije, te afermit e tije, Fasllicet e kericet, jo me pune te ndercme, apo ne emigracjon, pore ne memen SHqiperi, beri e cfare sberi ky kriminel, moster e felliqur, te lumte mendja dhe dora se ja ke qendisur poshtersite dhe veprimet antishtet qe gjate ketyre 25 vjeteve, ka mbajtur peng vendin tone dhe vazhdo per fatin e keq te shqiptareve, ta terheq zvare, simbas deshires se tije deri sa te ngoedhe.