Merkel shmanget me fjalë boshe
Nga Marcel Fürstenau
Thirrja po bëhet më e fortë nga dita në ditë: “Merkel duhet ta thyejë heshtjen!”, po dëgjohet nga të gjitha anët në sfondin e tragjedive gjithnjë e më dramatike të refugjatëve. Rrjetet sociale janë mbushur plot akuza kundër Kancelares. Në komunitetin rëndom me thashetheme, Twitter, ku përzihen edhe gazetarët, kjo temë ka prioritet. Politikanët e të gjitha ngjyrave, me përjashtim të konservatorëve, e akuzojnë kryetaren e qeverisë për mosveprim.
Shumë kërkesa janë me vend
Në thelb kritikët kanë të drejtë. E megjithatë ata duhet të kenë kujdes që me kërkesat e tyre të mos e tejkalojnë masën. Sepse askush nuk ka një recetë për temën arrati dhe refugjatë – as në nivel kombëtar dhe as në nivel ndërkombëtar.
E nevojshme është një strategji e besueshme, e cila të mbështetet nga të gjitha forcat politike me vullnet të mirë dhe nga shoqëria civile. Për këtë është urgjentisht i nevojshëm një sinjal zgjimi nga lart. Në nivelin qeveritar këtë mund ta bëjë vetëm Merkel, Kancelarja e zgjedhur nga Parlamenti. Fjala e saj ka më shumë peshë se çdo gjë tjetër. Ajo përcakton në bazë të ligjit themelor direktivat e politikës. Në çështjen e refugjatëve, Kancelarja në radhë të parë duhet të japë drejtimin. Nuk mjafton që ajo të shprehet me fjalë boshe. Që nuk ka justifikim për dhunën ndaj azilkërkuesve dhe që “kjo nuk është dinjitoze për vendin”, është e vetëkuptueshme. Por nga goja e Merkelit ka deri tani vetëm një gjë: shumë pak!
Përse jo Merkel dhe Gauck së bashku?
Në interes të njerëzve që vuajnë, të cilët vijnë te ne dhe këtu gjejnë mbështetje jashtëzakonisht të gjerë, Merkel më në fund duhet të vihet në krye të lëvizjes. Mundësi për të dhënë një sinjal të fortë ka mjaft. Do të ishte mirë një deklaratë qeveritare në Bundestagun gjerman, së cilës t’i bashkoheshin të gjitha grupet parlamentare. Por kjo mundësi dështon – të paktën afatshkurtër – për shkak të pushimeve parlamentare të verës. Ndërkohë për çështjen e refugjatëve kërkohet emergjencë e lartë. Mbetet vetëm që Merkeli të shprehet personalisht dhe hollësisht. E mundshme do të ishte edhe një deklaratë e përbashkët me presidentin Gauck.
Politikania më me influencë dhe përfaqësuesi i nivelit më të lartë të Gjermanisë me autoritetin e posteve të tyre dhe me reputacionin e madh që gëzojnë në popull mund të japin një sinjal të fortë. Një sinjal i tillë do të tërhiqte vëmendjen edhe në nivel ndërkombëtar dhe do të kishte efekt. Ai duhet të kuptohet, se Gjermania pret prej shumicës së partnerëve europianë një gatishmëri më të madhe për pranimin e refugjatëve. Këtë, vendet e tjera e dinë prej kohësh dhe vazhdimisht e dëgjojnë edhe prej ministrave gjermanë. Por do të ishte më mirë, nëse i gjithë vendi e dërgon këtë apel si brenda edhe jashtë tij. Me Merkelin në krye.