Opinion

Çfarë është varfëria , dhe debati i Delinës edhe Joridës për matjen e saj

Nga IRENA BEQIRAJ

Në një mëngjes të acartë dimri në vitin 1933, një fotograf fiksoi me aparatin e tij në Nju Jork , dhjetëra burra me pallto të grisura që qëndronin në dëborë, në rradhë e me trasta në duar, me sytë e ulur poshtë. Në sfond e përmbi ta dominonte një tabelë e madhe reklamash që tregonte një familje të qeshur në një makinë të shndritshme, ku shkruhej slogani: “Standardi më i lartë i jetesës në botë”.

Një kombinim vërtet brutal.
Me erdhi në mend e gjitha kjo si provokim prej një debati edhe më brutal të dy grave të veshura mirë e bukur (njëra ministre e tjetra deputete e opozitës), të cilat, me video në distancë debatojnë e përgënjeshtrojnë njëra-tjetrën me “matjet” për varfërinë në Shqipëri.
Krejt modestisht po sjell në vëmendje të dy ekonomisteve se nëse ka nje koncept ekonomik ku matja sasiore nuk ka vlerë për të thënë fjalën e fundit, ajo është varfëria.
Me gjuhën sterile të të dhënave për herë të parë u fol për varfërinë më 1899, kur Seebohm Rowntree, djali një biznesmeni të pasur i vuri vetes detyrën e përcaktimit të një “kufiri varfërie”, duke llogaritur se sa kushtonte furnizimi me ushqim, strehim dhe rroba bazë.
Kushdo që nuk mund të përballonte blerjen e këtyre ushqimeve bazë ,ku kishte përfshirë edhe një porcion puding bizeleje me proshutë për të dielën, ishte nën kufirin e varfërisë.
Që atëherë Ideja e kufirit të varfërisë edhe e matjes së përqindjes së popullsisë që jetojnë nën këtë kufi, nuk ka dalë nga moda, ndërkohë që kufinjtë janë shtuar në dy, kufiri absolut edhe kufiri relativ.
Sipas INSTAT-it, në vitin 2024, 19.2 % e shqiptarëve jetojnë në kufirin absolut të varfërisë ose me një të ardhur mesatare mujore nën 27,028 lekësh për një individ . Ndërsa, 40.5% e popullsisë jetojnë nën kufirin relativ pra 40.5 % e shoqërisë është në rrezik varfërie ose përjashtimi social. Dhe kjo duhet thënë që është shifra më e lartë në Europë.
Në vitin 1779, Adam Smith në librin “The Wealth of Nations” shkruan: “Një këmishë linoje, për shembull, nuk është, në mënyrë rigoroze, një domosdoshmëri e jetës. Grekët dhe romakët jetuan shumë rehat edhe pse nuk vishnin lino. Por, në kohët e tanishme, në pjesën më të madhe të Europës, një punëtor i nderuar do të kishte turp të shfaqej në publik pa një këmishë linoje…”
Qëllimi i Smith-it nuk ishte të tregonte vetëm se varfëria është relative, por, për më shumë ajo duhej të lidhej ngushtësisht me pjesëmarrjen në shoqëri.
Sepse mbi të gjitha ne jemi qenie sociale, dhe siç kemi nevojë për bukë dhe një shtrat për të fjetur, keni nevojë të socializohemi.
E pra, Smith na tregon se nëse një person i cili nuk ka paratë e nevojshme për të marrë pjesë në shoqëri edhe pse manualet e Eurostat-it, Instat-it ose Bankës Botërore nuk e përfshijnë tek të varfërit, është i varfër .
Por le të vijmë në shekullin e 20-të. Amartya Sen, fituesi i Çmimit Nobel në ekonomi, ka një përkufizim edhe më interesant për varfërinë. Ai e përcakton varfërinë si mungesë lirie.
Dhe, argumenti këtu nuk shtrohet më a kanë bukë dhe margarinë apo gjërat të domosdoshme të përcaktuara në manualet e Bankës Botërore apo Eurostatit, por a janë vërtet të kufizuar në atë që mund të bëjnë në jetën tyre. Kjo qasje shkon përtej matjes së thjeshtë të të ardhurave dhe përqendrohet në aspekte shumëdimensionale të mirëqenies njerëzore, siç janë qasja në arsim, kujdesi shëndetësor dhe aftësia për të marrë pjesë në shoqëri, apo liria politike .
Në këtë kuptim varfëri është kur dita për një pensionist shndërrohet në një betejë nëse duhet të ushqehesh tre herë në ditë apo duhet të blesh ilacet .
Varfëri është të ndjesh dhimbjen e zbrazët dhe kërcitëse të barkut bosh. Të kalosh një dite shkolle me dhimbje koke, jo sepse je i sëmurë, por sepse thjesht nuk kishte ushqim të mjaftueshëm në shtëpi.
Varfëri është nëna që anashkalon vaktet që fëmijët e saj të mund të hanë, një akt i qetë sakrifice që nuk do të shfaqet kurrë në një statistikë të kujtdo institucioni qoftë; është punëtori që shtyn ditën me një shishe ujë e dy rripa bukë duke punuar 16 orë si prova e fundit e mbijetesës; është vajza që vret veten jo vetëm se shoqet e tallin ngaqë nuk ka rroba të vishet si ato, por sepse jeton në mungesë të shpresës se një ditë mund të bëhet më mirë.
Varfëri është kur ajo pak rehati materiale që ke grumbulluar mund të të rrëmbehet në çdo moment nga një faturë e papritur mjekësore ose një periudhë papunësie.
Debati sa është përqindja e varfërisë duke i përdorur matjet statistikore si i dehuri shtyllën e neonit jo për t’u ndriçuar por nga nevoja për tu mbështetur , është si rradha e bukës nën reklamën e shëndritshme të vitit 1933 në Nju – Jork , pasi zbulojnë të njëjtën të vërtetë cinike; trajtimin e të varfërve si statistikë, jo njerëz që më shumë sesa mbijetesë, meritojnë dinjitet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button