COVID-19, ndahet nga jeta në moshën 59-vjeçare Bashkim Fino. Rama: Ditë zie për familjen tonë të madhe
Një lajm i hidhur për skenën politike shqiptare. Ndahet nga jeta në moshën 59-vjeçare deputeti socialist, ish-kryeministri i Shqipërisë Bashkim Fino. Ai ishte prekur nga COVID-19 prej disa ditësh dhe gjendja e tij ishte përkeqësuar. Kryesia e Kuvendit të Shqipërisë ka njoftuar se do të zhvillohen homazhe në Pallatin e Kongreseve. Kuvendi ka bërë me dije se homazhet do të mbahen sot nga ora 11:00 deri në 16:00. Kujtojmë se Fino humbi jetën në moshën 58-vjeçare, pasi ishte i prekur nga koronavirusi. Pas homazheve, ai do të përcillet sot për në orën 16:00 në varrezat e Sharrës.
Bashkim Fino lindi më 12 tetor 1962 në Gjirokastër. Ishte Kryeministër i Shqipërisë prej 9 mars 1997 deri më 29 qershor 1997. Kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Financë. Në vitin 1992, Z. Fino u zgjodh Kryetar i Bashkisë Gjirokastër, post të cilin e mbajti deri në vitin 1996. Karriera e tij politike në Partinë Socialiste është e hershme. Prej vitit 1997 e në vazhdim ishte anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Kulmi i karrierës së tij do të shënohej në vitin 1997, ku do të zgjidhej Kryeministër i vendit në qeverinë e Pajtimit Kombëtar, post që do ta mbante nga muaji mars deri në korrik. Z. Fino ka mbajtur disa poste ministrore. Nga viti 1997 deri në 1998 ushtroi detyrën e Ministrit të Pushtetit Lokal, njëkohësisht dhe Zv/kryeministër. Në 1999 deri në vitin 2001 do të ishte ministër i pushtetit lokal. Gjatë viteve 2001-2002 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit.
Meta: Na ka tronditur të gjithëve, dhembje e madhe, që na ka lënë pa fjalë!
Presidenti i Republikës Ilir Meta shprehet i tronditur për ndarjen nga jeta të deputetit socialist Bashkim Fino, i cili humbi betejën me COVID-19. Meta shkruan se është një dhembje e madhe që na ka lënë pa fjalë. “Ndarja e papritur nga jeta e mikut, kolegut, politikanit të moderuar dhe e Kryeministrit të Pajtimit Kombëtar në vitin e vështirë 1997, qytetarit aktiv e familjarit shembullor, Bashkim Fino, na ka tronditur të gjithëve këtë mëngjes. Dhembje e madhe, që na ka lënë pa fjalë! Ngushëllimet më të ndjera, të prehet në paqe dhe përherë i paharruar në kujtimet tona!”, shkruan Meta.
Rama: Ditë zie për familjen tonë të madhe, sot aktivitetet tona elektorale do të ndalen
Kryeministri Rama ka reaguar permes nje mesazhi ngushellimi per ndarjen nga jeta te ish-kryeministrit Bashkim Fino. Ky i fundit nderroi jete nga Covid-19. E pabesueshme, po shumë fatkeqësisht e vërtetë, miku im, miku ynë i mirë Bashkim Fino nuk jeton më! Nuk kam fjalë. Sot për familjen tonë të madhe është një ditë zie, aktivitetet tona elektorale do të ndalen në nderim e kujtim të vëllait tonë të dashur.
Ish-presidenti Nishani: Vlera njerëzore dhe dëshira për të kontribuar për vendin
Ish-presidenti i Republikës Bujar Nishani ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të deputetit socialist Bashkim Fino, i cili humbi betejën me COVID-19. Nishani shprehet në mesazhin e tij se pavarësisht pozicioneve dhe projekteve të ndryshme politike, vlera njerëzore dhe dimensioni i dëshirës për të kontribuuar për vendin janë parimet më sublime. “Ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve dhe miqve të ish-Kryeministrit Bashkim Fino! Pavarësisht pozicioneve dhe projekteve të ndryshme politike që i përkasim, vlera njerëzore dhe dimensioni i dëshirës për të kontribuar për shtetin, për vendin, për Shqipërinë tonë, janë parimet më sublime. Kur këto parime humbasin dikë, të gjithë ndihemi të pikëlluar. Pusho në paqe tashmë, Bashkim !”, shkruan Nishani.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bushati: Na trondite me ikjen tënde
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati iu është bashkuar reagimeve për vdekjen e ish-kryeministrit Bashkim Fino, i cili ishte i prekur nga koronavirusi. Përmes një postimi në ‘Facebook’ Bushati shprehet i tronditur për ikjen e parakohshme të Finos. “Na trondite me ikjen tënde të parakohshme Bashkim Fino. U prehsh në paqe miku ynë i mirë”, shkruan Bushati. Kujtojmë se Fino prej ditësh luftoi me virusin e rrezikshëm, ndërsa nuk mundi dot t’ia dilte, duke humbur betejën.
Mimi Kodheli: “Lamtumirë shok”, Jam e sigurt se do të takohemi sërish
Ish-ministrja dhe deputetja e PS-së Miimi Kodheli, ka publikuar një fotografi në rrjetet sociale me Bashkim Finon, ish-kryeministër, që u nda nga jeta sot në moshën 59-vjeçare, pasi ishte infektuar me koronavirus. Në një reagim në rrjetet sociale, Kodheli kujton kohën kur kanë qenë shokë klase në fakultet. “Ja ku jemi të dy, shokë të një klase fakulteti. Mbetëm deri sot të tillë, por jam e sigurt do takohemi sërish. Lamtumirë shok i kohërave të vjetra e moderne, mik i ditëve të mira e të vështira, Bashkim Fino. Do na mungosh të gjithëve, por më shumë Dianës së dashur. Lamtumirë e shihemi në kohë më të mira!”, shkruan Mimi Kodheli.