Darka në Bruksel, takimi i parë i Ramush Haradinajt me një kryeministër të Serbisë
Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, takohet të hënën (18.12.) me kryeministrat e vendeve të Ballkanit. Ata do të flasin për gjendjen në rajon, por edhe perspektivën e anëtarësimit në BE.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, do të vazhdojë të hënën traditën e takimeve joformale me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Shkëmbimi i mendimeve mes liderëve dhe konsultimet me BE-në për vazhdimin sa më të shpejtë të rrugës së integrimeve, janë temat për të cilat Mogherini dëshiron të flasë në këtë takim joformal. Mogherini në këtë mënyrë i mbetet besnike përkushtimit të saj që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të bëjnë hapa të shpejtë dhe të pakthyeshëm në drejtim të afrimit me BE-në.
”Prioriteti im në 12 – 18 muajt e ardhshëm do të jetë Ballkani Perëndimor, krahas politikës së sigurisë dhe mbrojtjes evropiane”, theksoi Mogherini në qershor të këtij viti. Mbështetja e saj pa rezerva e Ballkanit Perëndimor dhe zgjerimit të BE-së është mbështetur gjatë këtij viti zyrtarisht edhe nga institucionet dhe përfaqësuesit më të rëndësishëm të BE-së. Këshilli i Evropës në mars ka kumtuar se “dyert e BE-së mbeten të hapura” dhe ka premtuar mbështetje në këtë rrugë. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude – Juncker, ka nënvizuar në fjalimin e tij edhe zgjerimin e BE-së në Ballkan, si një prej temave më të rëndësishme të BE-së në të ardhmen.
“Nëse duam të keni një fqinjësi më stabile, atëherë duhet të ofrojmë perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Gjatë këtij mandati të Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, nuk do të ketë zgjerime të reja, sepse ato nuk kanë plotësuar kushtet. Por në të ardhmen BE-ja do të ketë më shumë se 27 vende anëtare”, theksoi Juncker.
Ai ka bërë të ditur se do të hartohet edhe një Strategji për anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të Zi, deri në vitin 2025, që është edhe përcaktimi i parë kohor që Brukseli e ka saktësuar, kur flitet për vendet e Ballkanit Perëndimor. Pritet që Mogherini të dërgojë mesazhe pozitive për përkushtimin e BE ndaj Ballkanit Perëndimor.
Planet e BE deri në vitin 2025
Krahas rezultateve gjatë këtij viti, në këtë darkë të përbashkët do të flitet edhe për hapat që vendet e rajonit duhet të bëjnë gjatë vitit 2018. ”Viti i ardhshëm do të jetë vendimtar. Komisioni Evropian po punon Strategjinë për një perspektivë të qendrueshme për zgjerimin dhe anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor, e cila do të prezantohet në shkurt të vitit 2018. Në prill do të kemi një paketë të re për zgjerimin, ku do të qartësohet se ku gjenden vendet që pretendojnë të anëtarësohen në BE. Për këtë çështje do të bisedohet edhe në samitin e BE në qershor. Ndërkohë do të kemi edhe një samit shumë të rëndësishëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Sofje”, theksoi drejtori i Drejtorisë së KE për negociata dhe zgjerim, Christian Danielson.
Mogherini do të njoftojë kryeministrat se deri ku është mbërritur në hartimin e Strategjisë për zgjerim. Në Bruksel jo zyrtarisht merret vesh se KE do të prezantojë në këtë dokumet afate të sakta kohore për anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të Zi në BE. Në këto dokumente pune përmendet viti 2025 si vit i mundshëm i anëtarësimit të Serbisë në BE, me kusht që marrëveshja për normalizimin e raporteve me Kosovën të arrihet deri në fund të vitit 2019 dhe që negociatat e anëtarësimit të përfundojnë deri në vitin 2023. Jo zyrtarisht thuhet se në këtë dokument parashikohet që Bosnje-Hercegovina të fitojë statusin e kandidates për anëtarësim, deri në fund të vitit 2019. dhe që ”të intensifikohen negociatat për anëtarësimin” e Shqipërisë dhe Maqedonisë, nëse Tirana i realizon pesë reformat me prioritet, e Shkupi zgjidh problemin e emrit me Greqinë. Në Bruksel pritet që Strategjia do të nxitë këtë rrugë, të cilën vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta vazhdojnë, drejt anëtarësimit në BE.
Nuk do të flitet për dialogun
Në Bruksel thonë se BE po punon intensivisht në procesin e zgjerimit, por procesi varet nga reformat e vendeve kandidate – në radhë të parë nga reformat e shtetit juridik, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, funksionimi i institucioneve demokratike, liria e mediave dhe liria e shprehjes së mendimit të lirë. Federica Mogherini do të theksojë edhe domosdoshmërinë e vazhdimit dhe intensifikimit të bashkëpunimit rajonal, si elementi më i rëndësishëm për përparimin e këtyre vendeve në rrugën drejt anëtarësimit. Në kornizat e takimit do të ketë mundësi edhe për takime bilaterale mes kryeministrave të këtyre vendeve, por deri tani nuk ka ndonjë plan për takimin e kryeministrave të Kosovës (Ramush Haradinaj) dhe Serbisë (Ana Brnabiq), lidhur me dialogun për normalizimin e raporteve mes këtyre dy vendeve. Por në Bruksel nuk përjashtohet mundësia që në këtë takim të flitet për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si një prej projekteve më të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kjo darkë pune do të shërbejë edhe për takimin e parë mes kryeministrave të Kosovës Haradinaj dhe Serbisë, Brnabiq. Në këtë darkë Haradinaj do të takohet sërish edhe me Mogherinin, pas takimit të muajit të kaluar, ku ka pasur mosmarrëveshje serioze, pas kërkesës së Haradinajt që në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të jenë prezent edhe përfaqësuesit e SHBA-së.