Sporti

De Biazi e pranon: I kënaqur edhe nëse përfundon barazim!

de-320x219Trajneri insiston se Shqipëria do të luajë shanset e saj

Nga Ermal Kuka

Një barazim është rezultati që Shqipëria i ka vënë vetes si objektiv për ndeshjen e parë të eliminatoreve të Euro 2016 kundër Portugalisë. Një fakt të tillë e ka pranuar në konferencën për shtyp trajneri i kuqezinjve, Xhani De Biazi, i cili para mediave vendase ka treguar atë çfarë shpreson të marrë nga ndeshja e sotme në “Municipal” të Averios.

“Do ta interpretojmë ndeshjen në mënyrën që kemi përgatitur. Portugalia luan në shtëpi, do të përpiqet të sulmojë që nga fillimi. Ne do të mbrohemi, por kjo nuk do të thotë se do të bëjmë vetëm këtë gjë gjatë gjithë ndeshjes. Ne do të mbrojmë vetëm atëherë kur duhet. Sigurisht që Portugalia është favorite, sepse luan në shtëpi. Kjo është ndeshja e parë për të gjithë. Një pikë do të ishte shumë e mirë, por gjithçka do të varet nga ndeshja që do të bëjmë. Nëse do të godasim katër herë shtyllën dhe portieri kundërshtar bën shumë pritje të mëdha, një pikë nuk do të jetë e mirë për ne”, deklaroi trajneri i kuqezinjve.

“Ne kemi ardhur këtu për të zhvilluar lojën tonë dhe për të provuar shanset tona. E respektojmë kundërshtarin dhe vlerësojmë nivelin e tij. Por kjo s’do të thotë se nuk kemi synimet tona. Sigurisht, nuk kemi ardhur për shëtitje. Do të mundohemi të mos gabojmë në veprimet mbrojtëse dhe do të tentojmë të godasim kundërshtarin. Në momente të caktuara të ndeshjes, kur presioni i kundërshtarit vjen duke u rritur, nuk përjashtohet mundësia për t’u mbyllur dhe krijuar sa më pak hapësira për kundërshtarin. Por ky nuk do të jetë synimi ynë. Do të shfrytëzojmë çdo mundësi për të goditur dhe për të arritur objektivat tona”, ishte interpretimi i përgatitjeve të Shqipërisë nga trajneri italian.

Gjithsesi, De Biazi ka pranuar superioritetin teknik të përfaqësueses portugeze, që ka në gjirin e saj lojtarë të njohur në arenën ndërkombëtare. “Portugalia doli jashtë pritshmërisë në Botëror, mund të themi se shfaqi një pjesëmarrje zhgënjyese. Por edhe sot mbetet një kombëtare me një mesfushë të cilësive të mira, duke filluar nga Mutinjo e Veloso, për të vazhduar me Meireles. Nani është një lojtar i nivelit ndërkombëtar, Pepe është një mbrojtës i madh. Në përgjithësi, Portugalia ka një ekip shumë të fortë, një skuadër që prodhon gjithmonë futboll. Pas zhgënjimit në Botërorin e fundit, patjetër do të jenë më të motivuar për t’i nisur sa më mirë eliminatoret”, tha tekniku italian, i cili ka insistuar se luzitanët kishin lojtarë cilësorë për të zëvendësuar mungesën e Kristiano Ronaldos. “Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm, me shumë cilësi. Por edhe pa të, Portugalia mbetet një kombëtare shumë cilësore”, pranoi De Biazi.

Formacioni

Besimi i trajnerit të Shqipërisë se mund të sigurojë një barazim ndaj Portugalisë lind nga fakti se ai është i bindur se ka ndërtuar një skemë që mund t’u rezistojë sulmeve të vendasve. Rreshtimi 4-5-1 i testuar ndaj Vilalbes në miqësoren e së enjtes është ai që do të përdoret ndaj portugezëve, me praktikisht vetëm 3 lojtarë që do të kenë “lejen” për të sulmuar në gjysmëfushën kundërshtare, pasi pjesa tjetër do të krijojë një barrikadë të mirëfilltë para portës së Etrit Berishës. Cana dhe Mavraj janë të paprekshëm në qendër të mbrojtjes, ashtu si Agolli në krahun e majtë të prapavijës. Hysaj për momentin figuron mes titullarëve, duke mundur konkurrencën e Lilës që do të nisë ndeshjen nga stoli. Tre lojtarët e mesfushës me detyra krejtësisht mbrojtëse janë Xhaka, Kukeli dhe Abrashi, futbollistë që po kalojnë një formë të shkëlqyer sportive me klubet e tyre. Treshja ofensive është ajo ku Di Biazi do të ketë dyshime deri në sekondat e fundit para dorëzimit të formacionit titullar për sfidën. Roshi, si mesfushori i djathtë, Lenjani në të majtën dhe Balaj si sulmues i vetëm, janë lojtarët e kolauduar gjatë këtyre ditëve. Por tekniku italian duket se ka dilema për sa i përket aktivizimit të Gashit apo Salihit, lojtarë më të përshtatshëm për kundërsulmin, që nga minuta e parë.

Portugalia

Trajneri i luzitanëve e cilëson një “detyrim” paraqitjen pozitive të skuadrës së tij

Bento: Duhet të respektojmë Shqipërinë

Trajneri i Portugalisë, Paulo Bento, në konferencën e fundit për shtyp para ndeshjes ndaj përfaqësueses shqiptare të futbollit, ka përsëritur se kuqezinjtë janë një ekip ndaj të cilit duhet pasur shumë kujdes. “Pres që përpara të kemi një ekip të kompletuar, të organizuar, që luan me intensitet dhe që ka të paracaktuar mirë atë që duhet të bëjë në faza të ndryshme të lojës. Shqipëria është një ekip që ka evoluuar në vitet e fundit, ka përmirësuar organizimin. Por kjo nuk e bën të pavlefshme strategjinë tonë, ambiciet dhe atë që na duhet për ta fituar ndeshjen, ndërsa duhet të marrim kontrollin e lojës që në minutat e para, pasi e dimë se cilat janë objektivat tona për këtë sfidë dhe për kualifikueset në përgjithësi. Duam të jemi më të mirë dhe jemi të detyruar të bëhemi të tillë. Nuk është se e kemi frikë Shqipërinë, por e respektojmë atë. Bëhet fjalë për një ekip të organizuar shumë mirë në fazën mbrojtëse, që luan me shumë intensitet në këtë aspekt dhe pastaj ka lojtarë të shpejtë dhe agresivë për të kundërsulmuar. Kjo është një kombëtare, e cila në kualifikueset e Botërorit u mund vetëm një herë me më shumë se një gol diferencë”, ishte paralajmërimi i trajnerit të luzitanëve para mediave vendase. Megjithatë, duket se Bento ka vendosur që ndaj Shqipërisë të bëjë disa eksperimente me lojtarë të rinj në formacionin e skuadrës së tij. “Jemi përgatitur gjatë javës dhe kemi disa lojtarë të rinj që vijnë për herë të parë në ekip apo disa që nuk janë aktivizuar shumë shpesh. Do të vendos formacionin në momentin e fundit, por është natyrale që të bëjmë ndryshime. Gjëja e rëndësishme për ne është të fitojmë dhe të luajmë mirë gjithashtu”, ishin fjalët e trajnerit të portugezëve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button