Politika

Dekriminalizimi, Pollo: 130 emra të dyshimtë në administratë

Që nga fundjava, kur KQZ bëri publike listat e para të formularëve të vetëdeklarimit, shumica prej nesh menduan; përfaqësohemi nga gangot me vepra penale në të shkuarën, që nga më të rëndomtat e deri tek më të rrezikshmet.
Ky ishte efekti i parë i ligjit të dekriminalizimit. Por a do t’i shkohet deri në fund? A do të kemi nga 2017-ta një Parlament, në mos perfekt, të paktën me më pak probleme me ligjin?
Këtyre dhe të tjera pyetjeve u mundua t’u japë përgjigje këtë të hënë Top Story me të ftuar Milena Hariton, ministre e Inovacionti dhe Administratës Publike, Genc Pollo, ish-ministër i Inovacionit dhe analistët Lutfi Dervishi dhe Arjan Vasjari.
Në fund të Top Story-t, Genc Pollo foli për një listë me 130 emra që opozita ka, si të dyshuar për vepra të ndryshme penale. Në këtë listë, PD, thotë se ka denoncuar që në vitin 2014 edhe emërimin në administratë të Klemend Balilit, i cilësuar si “Eskobari i Ballkanit” e që sot është në kërkim ndërkombëtar.
“Nga nëntori i 2013, e deri ditët e fundit, PD për shkak të informacionit që mbledh ka denoncuar një për një me emër e mbiemër personat që janë denoncuar në poste kyçe të administratës dhe numri i denoncimeve ka shkuar tek 60-65. Janë 130 persona të emëruar nga qeveria Rama-Meta, drejtorë, shefa sektori e deri tek specialistë. Janë 130 për të cilët ne kemi dyshimin që kanë bërë vepra penale në Shqipëri dhe jashtë vendit. Duke përgatitur këtë letër, plasi Eskobari i Sarandës dhe na rezulton që Balili ka qenë i 11 në listë dhe është denoncuar nga Ristani në vitin 2014. Lista është em emrat e 130 persona për të cilët ne mendojmë dhe dyshojmë se janë persona të ngjashëm me Balilin”, tha Pollo.
Deputeti demokrat tha se opozita ka kërkuar nga dikasteret përkatëse që të sigurojë formularët e vetëdeklarimit për këta persona.
Ndërkohë, ministrja Harito tha se nuk mund të verifikohej për momentin nëse ka patur dorëheqje të pazakonta nga administrata shtetërore në prag të përfundimit të afatit të vetëdeklarimit.
“Edhe nëse ka ndodhur ky efekt ne jemi shumë të kënaqur, sepse ne e kërkuam që ky nen të futej në gjithë administratën publike”, u shpreh ajo.
Më herët,  analisti Dervishi. Ai vuri në dukje mungesën e ndjesës për këtë situatë.
“Këta njerëz në Parlament janë zgjedhur nga kryetarët e partive politike me emër e mbiemër dhe nuk ka asnjë ndjesë publike për këtë”, u shpreh ai.
Një “efekt anësor” i ligjit është se ka nxjerrë në sipërfaqe ndalime apo dënime të rëndomta për politikanët, si në rastin e Blendi Klosit, që ka deklaruar në formular se është ndaluar për sjellje të pahijshme vite më parë.
Pollo e mbrojti këtë.
“Ligji është i drejtë kur i detyron të gjithë të deklarojnë. Vetëdeklarimi i të kaluarës është një parim i mirë dhe i shëndetshëm për çdo shoqëri dhe për ne akoma më i nevojshëm. Kushdo që zgjedh të marrë një ofiq duhet të lëshojë tek privatësia e tij. E rëndësishme është që të merremi me ata që kanë kryer vepra të rënda, si vrasje dhe drogë”, shpjegoi ai.
Ministrja Harito vuri në dukje se dekriminalizimmi iu kundërvu opozitës, që sipas saj, bëri një zhurmë të madhe përbaltjeje.
“Del që tek opozita kemi dy persona, një i dënuar për prostitucion dhe tjetri për korrupsion. U bë një zhurmë e madhe përbaltjeje. Janë përmendur 19 emra nga radhët e maxhorancës, ku janë sot këta 19 emra?”, u shpreh ajo.
Por për opozitën ka vetëm një fajtor për këtë situatë.
“Duke u nisur nga të dhënat pas 2013, sepse Rama donte të fitonte me çdo kusht dhe nuk kishte skrupuj. Lidhjet e banditëve Rama i ka patur gjithmonë, por futja e tyre në masë për të fituar zgjedhjet…Dy kandidatë të PS, njëri në Krujë dhe një në Kavajë kishin të kaluar penale në Zvicër dhe Itali. Pati ambasadorë që folën për këtë çështje dhe Rama jo vetëm që nuk i hoqi nga lista, por i mbrojti edhe publikisht, madje kërcënoi gazetarët. PD pati vetëm një rast, atë të Këlcyrës që e tërhoqi”, u shpreh Genc Pollo.
Për Arjan Vasjarin, çështja nuk duhet të trajtohet asnjëherë sasiore. Ai thotë verifikimi do të nxjerrë akoma më shumë dhe do të paraqesë situatën reale.
“Kurthi më i madh është që të trajtohet në mënyrë sasiore. Kriminalizimi është një fenomen vetëm cilësor. Janë rreth 10 përqind e Parlamentit që kanë probleme. Brenda maxhorancës ekziston një çështje morale shumë e madhe sepse nuk janë vetëm këta, por edhe individë në nivele të dyta dhe të treta të administratës. Kur të bëhet verifikimi situata reale do të jetë më e zezë se kaq”, u shpreh ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button