Kosova

Delawie: Prioritet sundimi i ligjit, siguria rajonale dhe zhvillimi ekonomik

Sundimi i ligjit, siguria rajonale, zhvillimi ekonomik dhe funksionimi i institucioneve janë elemente kyçe për të ardhmen e Kosovës.

Këto ishin pikat kryesore të fjalimit të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie para pjesëtarëve të komunitetit të biznesit në një ngjarje të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, gjatë të cilës ai është emëruar zyrtarisht Anëtar Nderi i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane.

Ambasadori Delawie falënderoi Odën Ekonomike Amerikane në rolin e saj udhëheqës në ngritjen e zërit për çështjet që preokupojnë komunitetin e biznesit, duke shprehur përkushtimin e ambasadës amerikane për të vazhduar mbështetjen për misionin e Odës Amerikane.

Ambasadori Delawie lavdëroi progresin që ka bërë Kosova brenda një periudhe të shkurtër kohore që nga Pavarësia, duke shtuar se Kosova ende vuan pasojat për të tërhequr investime të huaja dhe për të promovuar rritjen e qëndrueshme ekonomike, derisa korrupsioni vazhdon të pengojë zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ai ftoi komunitetin e biznesit të ngre zërin dhe të vazhdojë të luftojë për të ardhmen ekonomike të shtetit, meqë nuk ka më kohë për t’u humbur, thekson njoftimi dërguar sot nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

“Kriza e emigrimit gjatë dimrit që lam ishte një sinjal i zëshëm dhe i qartë për mua se rinia e Kosovës, e që është resursi më i vlefshëm i saj, ka filluar të humbasë shpresën për të ardhmen në Kosovë”, tha Ambasadori, duke shtuar se ai ka tre prioritete kryesore që duhen adresuar, e që përfshijnë sundimin e ligjit, sigurinë rajonale dhe zhvillimin ekonomik.

Ambasadori Delawie gjithashtu theksoi se ai beson se arritja e progresit të qëndrueshëm në të gjitha këto çështje është esenciale për Kosovën për ta arritur qëllimin e saj dhe për t’u bërë pjesë e të gjitha institucioneve kyçe evropiane. Ambasadori kërkoi nga pjesëtarët e komunitetit të biznesit që të mos lejojnë shtrirjen e korrupsionit në bizneset e tyre, meqë kjo do t’i kushtojë Kosovës me vendet e nevojshme të punës të cilat do të ndihmonin rininë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Kosovë.

Ambasadori theksoi se SHBA-të kanë investuar 15 milion dollarë amerikanë për fuqizimin e gjyqësorit dhe sundimit të ligjit, duke trajnuar policinë, prokurorët dhe gjyqtarët. Ai inkurajoi bizneset të ndihmojnë në këto përpjekje duke raportuar çfarëdo dëshmie të korrupsionit.

“Komuniteti i biznesit dhe Qeveria e Kosovës duhet të punojnë ngushtë për zbatimin e politikave të cilat nxisin zhvillimin ekonomik dhe adresojnë konkurrueshmërinë e Kosovës në tregun global”, tha Ambasadori Delawie. Ai tha se ekonomia e Kosovës nuk do të mund të rritet derisa të mos ketë mjedis të përmirësuar për investime, korrupsion të reduktuar, sistem efikas të gjyqësorit për zgjidhjen e kontesteve, si dhe stabilitet politik. Ai komentoi se raportet mediale anembanë botës rreth ngjarjeve të fundit në Kosovë nuk paraqesin pasqyrë të një vendi politikisht stabil.

“Kuvendi nuk është vend për armë, për pengesa, ose për dhunë. Nëse vazhdon ky konfrontim, e ardhmja e Kosovës në Evropë do të vonohet, si dëmi më i vogël në skenarin më të mirë. I dëshiroj Presidentes Jahjaga gjithë të mirat në përpjekjet e saj për të promovuar dialogun politik”, tha Ambasadori i SHBA-ve.

Delawie shtoi se zgjidhja e këtij qorrsokaku politik dhe një Kuvend funksional janë të nevojshëm për të përmirësuar ekonominë, të sjellin Kosovën më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në UNESCO, si dhe të ndihmojnë përpjekjet e Kosovës për liberalizim të vizave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button