Delegacioni shqiptar në Itali, ikën për të luajtur në kazinotë e Sanremos
Gazeta italiane: Politikanët shqiptarë në “Asem”, përfituan nga rasti dhe ikën për … të luajtur kumar
Nga Mariglen Mullai
Një grup i madh i delegacionit shqiptar, i cili po merr pjesë në punimet e “Asem” në Itali, sapo i ka dalë rasti ia ka mbathur në kazinotë e Sanremos. Lajmi raportohet nga Andrea Calli, gazetar i së përditshmes italiane “Corriere Della Sera”, i cili ka publikuar dje anën e fshehtë të takimit mes të mëdhenjve të botës, në Milano të Italisë. Kështu, Calli raporton prapaskenat gjatë aktivitetit “Asia-Europe-Meeting” (Takimi-Azi-Europë), mes të cilave nuk i ka shpëtuar edhe pjesa e shqiptarëve. Tekstualisht, në fund të artikullit që gjendet në “Corriere.it”, gazetari italian shkruan: “Një grup i madh i delegacionit shqiptar, sapo mundi, ia mbathi për në Liguria. Jo për në det, por në kazinotë e Sanremos”.
Detaje pikante nga takimi
Mes të tjerave, Calli shkruan: “Kush e di se nga vinte zemërimi i Presidentit rus Vladimir Putin. Mos vallë nga një manovër e gabuar e shoferit gjatë hyrjes ose për shkak të madhësisë disproporcionale të makinës me derën kryesore. Është vënë re entuziazmi i Kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy, i cili iku nga darka zyrtare në Pallatin Mbretëror drejt një restoranti në Porta Venezia. Mes vëzhgimeve të gazetarit italian përmendej se delegacioni indonezian nuk po lëvizte nga hoteli, sepse një politikan i rëndësishëm kishte thyer syzet. Të paktën 25 makina kishte Kryeministri kinez Li Keqiang, ndërsa Putin kishte pesë limuzina të njëjta. Japonezët ishin të kujdesshëm dhe kërkonin informacion rreth organizimit të takimit. Janë ekzaminuar para lagjes, lokalet dhe lista e klientëve. Ndërkaq, snajperët ishin pozicionuar në ndërtesat fqinje. Ka pasur plane alternative për sistemin rrugor për evakuim në rast rreziku ose sulmi dhe kishte shtesë të personelit, të gatshëm për përforcim. Ndërkaq, ishin angazhuar katër mijë forca policore.
Fiksimi i politikanëve shqiptarë për kumarin
Të shumtë janë emrat e tyre që kohën e lirë e kalojnë në roulet apo duke luajtur poker, blackjack etj. Në shumë nga bisedat në radhët e politikanëve, përmenden kazinotë luksoze, ku ata kanë luajtur shuma të konsiderueshme parash. Por jo vetëm në Tiranë. Kumar nga politikanët shqiptare luhet në kazinotë më të njohura të Europës dhe më gjerë. Politikanët mes tyre mburren për vendet që kanë vizituar apo shumat e parave që kanë luajtur në kumar. Në raportet e misioneve të huaja, herë pas here është thënë konfidencialisht se politikanët shqiptarë, sa herë u jepet rasti, përfitojnë duke shkuar në kazino, ku në disa raste kanë neglizhuar edhe takimet zyrtare. Megjithatë, ndonjë raport zyrtar të saktë nuk ka për këtë fiksim të politikanëve shqiptarë, të cilët e pëlqejnë bixhozin, përveç akuzave që vetë politikanët u kanë drejtuar njëri-tjetrit. Fakte të tilla janë publikuar vetëm kur kanë ndodhur ngjarje që kanë lidhje me kumarin, siç ishte harresa e një portofoli të një politikani në një kazino.
Nano, njëshi i kumarit
Prej vitesh, top-listën, e kishte zaptuar ish-kryeministri Fatos Nano. Nuk ka lojë kumari që nuk e ka provuar. Fillimisht në Burgun e Bënçës, rreth viteve ’93-‘96 ai luante në dhomat e ajrimit lojën me zare e më të shumtën e kohës edhe pokerin, por fill pas rifitimit të lirisë, dëshira e tij për të luajtur kumar zuri të plotësohej pak nga pak, aq sa nuk ka kazino të famshme në Ballkan që të mos ta ketë shkelur këmba e tij.