Opinion

Demokracia në rrjedhat e kohës

Nga Ferit BACA

Demokracia duhet të kuptohet dhe zbatohet si një proces jetik dhe i pandërprerë, që përfshin në “vorbullën” e saj të gjitha shfaqjet dhe aspektet e jetës shoqërore.

Ajo lulëzon atëherë kur për fatin e saj kujdesen qytetarët, të cilët janë të gatshëm që me lirinë e fituar me sakrifica, marrin pjesë në zhvillimin e debateve të rëndësishme për fatin e shoqërisë, që zhvillojnë zgjedhje të lira, të cilat krijojnë klimën e favorshme për ruajtjen e pavarësisë së pushteteve që drejtojnë jetën politike, ekonomike dhe sociale të vendit. Ruajtja e lidhjeve të gjalla dhe të pandërprera me rrënjët ushqyese, me qytetarët, janë garantuesi më solid i një qeverisjeje të dobishme.

Relativiteti i lirisë, i tolerancës dhe i kompromisit të një shoqërie për të bashkëjetuar, varen në mënyrë të dukshme nga niveli i zhvillimit historik të shoqërisë, që shërben si një fidanishte e ngrohtë ku rriten dhe fuqizohen teoritë dhe konceptet rreth tyre. Ato janë edhe vetë trualli në të cilin realizohen të drejtat dhe liritë e njeriut. Në këtë kuptim mund të themi se, niveli i të drejtave dhe lirive të njeriut përbën thelbin e demokracisë së një shoqërie të zhvilluar. Një shtet demokratik udhëhiqet nga parimi se, qeveria i shërben popullit dhe jo populli qeverisë. Shtetasit e një vendi demokratik gëzojnë të drejtën e zbatimit të binomit të të drejtave dhe të detyrave. Kështu ata duhet të mësohen me mënyrën e trajtimit të problemeve me qytetari të lartë dhe tolerancë, si dhe duke dëshmuar gatishmëri në arritjen e kompromiseve në dobi të interesave të komunitetit.

Ndonëse në thelb praktika dhe përmbajtja e termit “Demokraci” ka të bëjë me vlerat, virtytet dhe praktikat e zbatimit të saj, etimologjia e fjalës demokraci vjen nga fjala demos – popull dhe nga fjala tjetër, kratos – forcë, pushtet. Pra, qeverisje e popullit. Demokracia si “pushtet i popullit” është një ideal i lashtë dhe me kohështrirje të gjatë historike. Ndërkohë, parimet dhe vlerat që përbëjnë themelet e institucioneve moderne që e shoqërojnë atë, si liria politike, votimi i përgjithshëm, pluralizmi politik dhe asambleja përfaqësuese nuk kanë veç një ose dy shekuj që janë krijuar. Jo vetëm nga përcaktimi i Linkolnit, mbi demokracinë si “një qeverisje e popullit, nga populli dhe për popullin”, por edhe nga trashëgimia e vyer mijëravjeçare mbi demokracinë, si dhe nga konceptet e mendimtarëve dhe studiuesve të sotëm bashkëkohorë, dalin në pah elementet kryesore, nga të cilat përbëhet ajo, jo vetëm si një koncept apo formulim me përmbajtje filozofike, politike dhe juridike, por edhe si një sistem real e funksional.

Gjatë gjithë historisë njerëzore, pushtetarë të ndryshëm kanë luajtur me kuptimin që i kanë dhënë demokracisë për të mbuluar me një petk të rrejshëm regjimet e tyre totalitare dhe diktaturat, si dhe për të mashtruar dhe fituar mbështetjen e popullit, në një kohë kur ata vetë kontrollojnë me mjetet e dhunës çdo qelizë të jetës së përditshme të vendit të tyre, duke shkelur në mënyrën më abuzive parimet e saj themelore. Një veçanti në lëmin e pikëpamjeve mbi demokracinë paraqesin ato të filozofit italian, Nikola Makiavelit, të cilat nuk e mbronin demokracinë. Ai ishte për vendosjen e një republike ku autoriteti i sovranit t’u përkiste disa nëpunësve e gjykatësve, disa njerëzve me talent dhe kurajë që nuk e kishin as të trashëguar, as të përfituar me intriga apo me dhunë, por këtë autoritet ta kenë fituar nga zgjedhjet e lira të bashkëqytetarëve të tyre. Në një republikë, populli duhet të ketë mundësi të shprehë dëshirën e tij dhe çdo shtet duhet t’i japë popullit mjetet për t’u shprehur në mënyrë që ky të tregojë ambiciet e tij. Ka vetëm një alternativë: ose populli do të jetojë nën dhunën e një tirani ose në një republikë nën qeverisjen e ligjit.

Një sistem politik quhet demokratik kur shumica ose një numër i madh njerëzish gëzojnë liritë njerëzore dhe të drejtën e votës. Ndonëse fjalët liri dhe demokraci të kujtojnë principin e punës së enëve komunikuese dhe kanë një lidhje organike midis tyre, ato nuk janë sinonime të njëra-tjetrës. Dhe kjo, për shkak se struktura e demokracisë përbëhet jo vetëm nga sistemi i ideve dhe koncepteve të trashëguara teorike që pasurohen në laboratorin e gjallë të jetës së popujve, por edhe nga mënyra e vënies së tyre në jetë.

Demokracia është sistemi që garanton dhe harmonizon detyrat dhe të drejtat e individit me ato të shoqërisë. Të drejtat përbëjnë elementet më themelore dhe ndërtuese të një qeverisjeje demokratike. Përballë kërkesave për të drejta më të mëdha në jetën e përditshme, si dhe për një pjesëmarrje më aktive e vendimmarrëse në organet e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe atë të gjyqësor, shoqëria njerëzore e çdo vendi ushtron edhe nevojën e përmirësimit të tyre të pandërprerë.

Duke konstatuar një numër të metash në modelet e trashëguara të demokracisë, mund të themi se, nuk ekziston një demokraci e kulluar apo ideale. Ky ishte edhe përfundimi në të cilin pati mbërritur filozofi francez Zh. Zh. Rusoi, kur vuri në dukje: “Nëse do të ekzistonte një popull perëndish, ai do të qeverisej demokratikisht. Një qeverisje kaq e përkryer nuk i shkon përshtat natyrës së njerëzve”. Nga kjo kuptojmë se, pavarësisht nivelit të demokracisë “as ka ekzistuar dhe as nuk do të ekzistojë ndonjëherë një demokraci e vërtetë”. Kjo është edhe arsyeja përse sistemi i demokracisë pëson ndryshime të vazhdueshme në përputhje me kërkesat e kohës duke realizuar një formë qeverisjeje, regjimi apo sistemi politik, ku pushteti ushtrohet drejtpërdrejt nga populli nëpërmjet organeve të zgjedhura me votën e lirë, ku shtetasit gëzojnë liri të plotë dhe të drejta të barabarta. Në zbatimin e demokracisë përfaqësuese shtetasit që votojnë nuk marrin vendime për organizimin e jetës së tyre, por ua delegojnë këto të drejta përfaqësuesve të tyre.

Edhe pse demokracia ka pësuar ndryshime thelbësore, ajo ruan ende vlerësimin se, përfaqëson nevojën e popullit për t’u qeverisur, meqenëse ai nuk i ka aftësitë qeverisëse, ndaj dhe zgjedh përfaqësuesit e partive dhe grupimeve politike në organet drejtuese ligjbërëse. Demokracia i ka rrënjët tek ekzistenca e lirisë të çdo qenieje njerëzore. Besimi te “liria” dhe “barazia” mbeten shtyllat ku mbështetet një demokraci e konsoliduar. Ashtu sikurse nënvizon studiuesi amerikan Rajnold Nibur: Aftësia e njeriut për drejtësi e bën demokracinë të mundur, ndërsa prirja e njeriut për padrejtësi e bëjnë demokracinë të domosdoshme.

Gjatë gjithë historisë së tij mijëravjeçare njeriu e ka kërkuar demokracinë me etjen që një bimë kërkon rrezet e diellit. Të gjitha përpjekjet e gjithfarëllojshme të shoqërisë njerëzore, paqësore ose ato me dhunë, dëshmojnë se ajo ka qenë dhe do të jetë kurdoherë e gatshme ta shkëmbejë thesarin më të shtrenjtë të natyrës, jetën njerëzore me lirinë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button