Amerika

Dhoma e Përfaqësuesve ndalon përgjimet e NSA-së

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka votuar për t’i dhënë fund aktivitetit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare për të mbledhur të dhënat telefonike të amerikanëve.

Me 338 vota pro dhe 88 kundër, anëtarët e Dhomës votuan në favor të të ashtuquajturit Akti i Lirisë, i mbështetur tashmë nga Shtëpia e Bardhë, që do të thotë se Senati do ta mbështesë për ta kthyer në ligj.

Projektligji do t’i mundësojë agjencisë që të kërkojë të dhënat nga kompanitë telefonike në bazë të rëndësisë së çështjeve që ka në hetim.

Mbledhja e të dhënave telefonike u denoncua në vitin 2013 nga ish-analisti i NSA-së, Edward Snowden, që aktualisht ndodhet i strehuar në Rusi.

Mbështetësit e Aktit të Lirisë, që përfshin dhe ruajtjen e privatësisë dhe mbrojtjen e të drejtave civile, shprehen optimistë në këtë drejtim, edhe pse thonë se NSA do të vazhdojë të ketë pushtetin e saj.

Pr/ligji, që ka të bëjë vetëm për personat që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, parashikon amendimin e disa seksioneve të Aktit Patriotik, që u miratua pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 e që skadon më 1 qershor.

Amendamentet e reja do të ndalojnë mbledhjen masive të të dhënave telefonike, ku përfshihen numrat e telefonit, koha dhe zgjatja e telefonatave, si dhe email-et dhe adresat e internetit.

“Liria e amerikanëve dhe siguria e Amerikës mund të bashkekzistojnë. Këto parime thelbësore nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën”, deklaroi kryetari i Komitetit Gjyqësor në Dhomën e Përfaqësuesve, Bob Goodlatte.

Më herët gjatë muajit, një gjykatë apeli në Shtetet e Bashkuara vendosi se mbledhja masive e të dhënave telefonike nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare ishte ilegale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button