Dializa dhe operacionet në zemër, falas në 3 spitale private
Drejtori i fondit: Kemi lidhur kontratat me ta, asnjë pagesë shtesë për pacientët e siguruar
Ilda Hoxha
Lidhen kontratat e para me tri spitalet private për të ofruar shërbimin e dializës dhe ndërhyrjet në zemër falas për të gjithë personat e siguruar. Tashmë të gjithë pacientët do të mund t’i marrin këto shërbime edhe në spitalet private pa paguar asnjë kosto shtesë, pasi kjo do të mbulohet 100 për qind nga Fondi i Sigurimeve. Shërbimet do të ofrohen sipas një liste dhe në rastet kur nuk ka kapacitet për t’u përballuar në spitalet publike. “Pas kërkesave zyrtare dhe verifikimit të kushteve të spitaleve private nga ekspertët tanë, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka lidhur kontratat e para me tre spitale private dhe është në proces të lidhjes së kontratave me dy spitale të tjera. Kjo do të thotë se, tashmë pacientët e siguruar do të mund të kryejnë dializën dhe ndërhyrjet në zemër edhe në këto spitale private, kur kapërcehen kapacitetet në spitalet publike dhe kostot e këtyre shërbimeve do të mbulohen 100 për qind nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. Pacientët do ta përfitojnë shërbimin sipas një listë-pritjeje me rregulla të qarta e transparente”, deklaroi drejtori i fondit, Astrit Beci. Më tej ai shtoi se është përcaktuar edhe buxheti, ku vetëm për muajt e fundit të këtij viti janë vënë në dispozicion 250 milionë lekë për shërbimet. “Në buxhetin e këtij viti, kemi parashikuar një fond prej 250 milionë lekësh për ofrimin e këtyre shërbimeve në pjesën e mbetur të vitit, çka do të thotë se përfitimet e popullatës do të fillojnë të ndihen brenda këtij viti”, u shpreh Beci. Duke qenë se është rritur numri i personave të prekur nga sëmundjet e zemrës, si edhe problemet në veshka, ka nxitur fondin që të marrë masa të menjëhershme, pasi nuk mund të përballohet gjithë ky fluks nga spitalet publike. “Problemet e veshkave dhe ato kardiokirugjike, janë sëmundje me incidencë të lartë dhe nevojat e popullatës për këto ndërhyrje nuk arrijnë të plotësohen nga sektori publik. Për këtë arsye, në rastet që janë përtej kapaciteteve mjekësore të institucioneve shëndetësore publike, Fondi lidh kontrata dhe financon shërbimet e paketave në institucione shëndetësore private, duke i mbuluar tërësisht kostot për pacientët”, theksoi drejtori i fondit të sigurimit, Beci. Ai bëri me dije se të gjitha spitalet private të kontraktuara do të monitorohen dhe do të bëhet një analizë në lidhje me cilësinë e shërbimit të kryer, në mënyrë që pacientëve t’u ofrohet një shërbim cilësor. Fondi i sigurimeve do të financojë 10 paketa shëndetësore, ku një vëmendje e madhe vihet te sëmundjet e zemrës. “Do të financohen paketat shëndetësore për nefrologjinë, kardiologjinë, kardiokirurgjinë dhe implantin koklear, në institucione shëndetësore publike, për herë të parë bazuar në kosto reale. Sigurisht, financimi dhe realizimi i këtyre ndërhyrjeve, do të bëhet në përputhje me kapacitetet e tyre për ofrimin e shërbimeve të paketave”, pohoi Beci. Në fund të fjalës së tij, drejtori i fondit theksoi se synimi kryesor është mbulimi i plotë i shërbimeve për të gjithë popullatën. Fondi i Sigurimit ka arritur të kostifikojë dhe përgatisë 10 paketat e para të shërbimeve shëndetësore, të cilat do të ofrohen pa pagesë si në spitalet publike ashtu edhe në ato private që plotësojnë kriteret. Tashmë janë shpallur kriteret për strukturat që do të mund të kontraktojnë me Fondin në mënyrë që të përfitojnë ofrimin e shërbimeve për pacientët.