Kosova

Diplomacia kosovare përdor shkatërrimin e xhamive në lobimin për UNESCO

András Riedlmayer, ekspert botëror për arkitekturën islame në Universitetin e Harvardit ka folur rreth anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe për trashëgiminë islame në Kosovë. Ai tha se anëtarësimi në UNESCO është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës, për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe për njohjen e saj në mbarë botën.

Riedlmayer në një intervistë për Kosovapress u shpreh se UNESCO mund t’i ofrojë Kosovës këshilla nga ana e ekspertëve të specializuar në këtë fushë, por edhe mbështetjen për trajnimin e specialistëve kosovarë në mbrojtjen ligjore, ruajtjen, inventarizimin dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore të vendit.

“Kosova ka qenë prej kohësh udhëkryq i Ballkanit, aty ku rrymat e mëdha fetare dhe kulturore mesdhetare janë puqur dhe kanë ndërvepruar më njëra-tjetrën dhe me traditat lokale. Këto ndërveprime kulturore i kanë dhënë Kosovës një trashëgimi të jashtëzakonshme, duke përfshirë një traditë 600-vjeçare të traditës islame evropiane, në lulëzim e sipër, njëherësh një pjesë e trashëgimisë së vendit që meriton një njohje dhe vlerësim më të mirë”, shprehet Riedlmayer.

Ai tha se shembujt përfshijnë xhamitë e vjetra të Kosovës dhe monumente të tjera të arkitekturës islame, të tilla si Xhamia, Hamami i Sulltan Mehmed Fatihut (i ndërtuar më 1461), në Prishtinë; Xhamia e Tregut (1471), në Pejë; Xhamia e Gazi Ali Begut (1410), në Vushtrri; Xhamia dhe Biblioteka Islame e Hadum Sylejman Agës, në Gjakovë (e ndërtuar më 1592-95); Hamami, Xhamia dhe Biblioteka e Gazi Mehmet Pashës (1563-1574) dhe Xhamia e Sinan Pashës (1615) në Prizren. Këto janë vetëm disa nga objektet e trashëgimisë islame evropiane të Kosovës.

“Përreth këtyre monumenteve dhe dhurimeve përkatëse islamike (të njohura si vakëfe), u ngritën shkolla islame, tregje, lagje dhe qytete të tëra, si Prizreni, Gjakova, Vushtrria dhe Peja. Këto monumente dhe qytete historike janë një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë historike dhe kulturore të Kosovës dhe meritojnë njohje e mbrojtje”, shprehet ai.

Riedlmayer thotë se gjatë luftës së viteve 1998-1999, 218 xhami, rreth 40 për qind e të gjitha xhamive në Kosovë, u shkatërruan apo dëmtuan, si pasojë e sulmeve nga forcat serbe. Forcat serbe po ashtu dogjën e shkatërruan pazaret e vjetra në qytetet e Gjakovës, Pejës dhe Vushtrrisë, ata shkatërruan xhaminë e vjetër dhe kullat historike në qytetin e vjetër të Deçanit, por shkatërruan edhe shumë qytete dhe fshatra të tjera.

“Kjo përbënte, sipas fjalëve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, një ‘fushatë sistematike nga ana e forcave serbe, kundër popullatës shqiptare të Kosovës me motive posaçërisht fetare, e cila përfshiu dëmtimin dhe shkatërrimin sistematik të monumenteve kulturore dhe të objekteve të shenjta myslimane’ [Gjykimi nga ana e Dhomës Gjyqësore të ICTY, Prokurori kundër Vllastimir Gjorgjeviq, 23 shkurt 2011, paragrafi 1855]”.

“Në anën tjetër, mrekullisht, asnjë kishë apo manastir i vetëm serb në Kosovë nuk është dëmtuar apo shkatërruar nga shqiptarët gjatë luftës së viteve 1998-1999”, tha ai.

Por, kjo fatkeqësisht ndryshoi pas përfundimit të luftës në qershor të vitit 1999, kur mijëra refugjatë shqiptarë të cilët ishin dëbuar nga Kosova gjatë luftës u kthyen në qytetet dhe fshatrat e tyre të djegura. Gjatë verës së vitit 1999, dhjetëra kisha dhe manastire ortodokse u dëmtuan dhe rreth 40 syresh u shkatërruan në sulmet hakmarrëse. Trazirat ndëretnike të marsit 2004 rezultuan në dëmtimin e 30 kishave dhe manastireve të tjera.

“Sulmet mbi trashëgiminë shqiptarë të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999 ishin, në të shumtën e rasteve, të kryera nga formacione të armatosura të shtetit serb. Dëmet e shkaktuara ishin të tmerrshme dhe të jashtëzakonshme – por qeveria serbe deri më tani ka refuzuar t’i njohë këto dëme, dhe ajo nuk ka ofruar asnjë kërkimfalje apo dëmshpërblim për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore dhe fetare të Kosovës. Njerëzit të cilët sulmuan kishat dhe manastiret ortodokse serbe në Kosovë në mars të vitit 2004 ishin protestues të dhunshëm civilë. Qeveria e Kosovës u përgjigj duke kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të ndajë fonde publike për riparimin dhe restaurimin e kishave dhe manastireve të dëmtuara. Afro 200 akuza janë ngritur ndaj protestuesve të marsit 2014; 143 individë u dënuan, 67 prej të cilëve morën dënime me burg prej më shumë se një vit. Nuk janë shënuar incidente të reja që do të rezultonin në dëmtimin të kishave në Kosovë në dekadën e fundit. Mendoj se këto fakte flasin për vete”, tha ai.

Riedlmayer ka qenë një dëshmitar ekspert në gjykimin kundër Sllobodan Millosheviqit.

“Kam dëshmuar si një dëshmitar ekspert në Hagë në gjyqin kundër Sllobodan Millosheviqit në prill të vitit 2002. Siç e dini, fatkeqësisht, Millosheviqi vdiq nga një sulm në zemër pak para përfundimit të gjyqit, andaj nuk pati asnjë gjykim vendimtar në rastin e tij. Megjithatë, unë kam dëshmuar gjithashtu në lidhje me shkatërrimin e trashëgimisë kulturore në Luftën e Kosovës në disa gjykime të tjera në Tribunalin e Hagës, duke përfshirë edhe gjykimin e ashtuquajtur ‘Kosovo Six’ (‘Gjashtja e Kosovës’), ku në mesin e të akuzuarve ishin ish-kryetari serb, Millan Millutinoviq; zëvendëskryeministri jugosllav, Nikolla Shainoviq; shefi i Ushtrisë jugosllave, Dragolub Ojdaniq; gjeneralët e Ushtrisë jugosllave, Nebojsha Pavkoviq dhe Vlladimir Llazareviq, dhe gjenerali i policisë serbe, Sreten Llukiq. Gjykimi përfundimtar u miratuar për katër nga gjashtë të akuzuarit, përmes të cilit ata janë dënuar për shumë akuza, duke përfshirë edhe shkatërrimin e trashëgimisë kulturore dhe fetare”, tha ai.

Ndryshe, Riedlmayer ka qenë edhe ekspert i Tribunalit të Hagës në gjyqin kundër ish-kryetarit serb, Sllobodan Millosheviq, ku ka dëshmuar se Serbia qëllimisht ka shkatërruar një numër të jashtëzakonshëm xhamish, ka bërë spastrimin etnik të Kosovës, ndërsa së fundi ka punuar edhe si redaktor i një libri të botuar nga Ministria e Jashtme e Republikës së Kosovës dhe Bashkësia Islame e Kosovës mbi shkatërrimin e trashëgimisë islame në Kosovë. Ky libër është botuar për qëllim lobimi për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button