Dorëhiqen këshilltarët e PD . Mohojne te kene votuar per Fecor Shehun
Dy këshilltarët demokratë në Bashkinë e Ballshit mohojnë të kenë votuar ish-ministrin e Brendshëm të kohës së komunizmit, Feçor Shehu, si “Qytetar Nderi”. Artur Shehu, ish-kreu demokrat i qarkut të Fierit, dhe Mirela Muçaj, u shkarkuan nga çdo funksion në Partinë Demokratike. Ata thonë se nuk e kanë votuar ish-zyrtarin e lartë komunist.
“Nuk është bërë ndonjë propozim me emrat e ‘Qytetarëve të Nderit’. Nuk është bërë asnjë lloj procedure për të miratuar me votë të fshehtë apo me votë të hapur asnjë emër për të fituar titullin ‘Qytetar Nderi’”, tha Mirela Muçaj, këshilltare bashkiake, Ballsh.
“Në mbledhjen e datës 19 nuk është folur fare për propozimet për ‘Qytetar Nderi’, madje nuk është lexuar as listë. Kjo është e vërteta. Jo më që të jetë votuar”, tha Artur Shehu, këshilltar bashkiak, Ballsh.
Ish-kryetari i Këshillit të Qarkut Fier dhe këshilltari i Bashkisë së Ballshit deklaroi se do t’i drejtohet Prokurorisë, pasi dyshon se ka falsifikim të firmave të tyre.
“Për këtë ne do t’i drejtohemi edhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, për të parë specimentet e firmave, sepse ne kemi firmosur vetëm pjesëmarrjen në mbledhje, ndërkohë që çdo vendim individual (rreth 40 vendime) kërkojnë firmën përkatëse”, shtoi më tej Artur Shehu.
Partia Demokratike penalizoi dy këshilltarët, por këta të fundit deklarojnë se japin dorëheqjen nga postet si të zgjedhur në Këshillin Bashkiak të Ballshit dhe në Qarkun e Fierit.
“Duke u investuar në politikë dhe duke marrë një investim nga forca politike që kam përfaqësuar ndiej keqardhje, sepse e quaj një vendim të nxituar. Një vendim të pakonfirmuar plotësisht, nëse ishte i vërtet apo jo. Në shenjë proteste ndaj vendimit të marrë, apo në lidhje me abuzimin pasi veprimi do të kishte qenë fatal po të bëhej nga ana ime, unë deklaroj dorëheqjen time, gjë që do të pasohet edhe me dokumentacionin zyrtar të kësaj dorëheqjeje si këshilltare në njësinë e qeverisjes vendore të Bashkisë Ballsh”, deklaroi Mirela Muçaj.
“Të revokohet dhe të përbaltet ajo figurë, sepse e meriton. Për të tjerat, besoj se është në të mirë të Partisë Demokratike, që ne si këshilltarë të japim dorëheqjen nga pozicioni i anëtarit të këshillit. Njëkohësisht unë mbaj edhe pozicionin e deleguar të anëtarit të Këshillit të Qarkut, edhe për këtë do të depozitoj dokumentet përkatëse në këshillat e qarkut dhe të bashkisë, ku do të jap dorëheqjen time”, theksoi Artur Shehu.
Artur Shehu shton se i kanë dërguar një shkresë urgjente Prefektit të Qarkut Fier, për të nisur menjëherë verifikimet për këtë rast, pasi është pikërisht Prefekti, ai që miraton në përfundim titujt e akorduar nga Bashkitë apo Komunat.