Kronika

“Dosja Thesari” Hetohen 400 transaksione jashtë radhe

Prokuroria: Dhjetëra milionë euro u dhanë disa kompanive, duke lënë pa ndihmë shtresat në nevojë

Nga Sokol Çobo

Prokuroria-e-PergjithshmeProkuroria konfirmon hetimin e disa ish-drejtuesve të Ministrisë së Financave, në të ashtuquajturën “Dosja Thesari”. Bëhet fjalë për disa urdhra që ka marrë Thesari i Shtetit, për të xhiruar dhjetëra milionë USD, vetëm në muajt e fundit të qeverisë “Berisha”. Njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës, thotë se çështja është nën hetim prej disa javësh, pas kallëzimit të Ministrisë së Financave, ndërsa janë mbledhur edhe dokumentet përkatëse dhe së fundmi do të vijohet me pyetjen e dëshmitarëve. Hetuesit e çështjes kanë avancuar së tepërmi me këtë kallëzim, ndërsa kanë marrë shkresa nga ministria, sipas së cilave, urdhrat për xhirimin e miliona eurove janë firmosur nga Dorian Teliti, ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave. Megjithatë, verifikimet e mëvonshme do të zbulojnë nëse përgjegjës në këta urdhra ka qenë apo jo ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, pasi, në disa dalje publike, vetë ish-kreu i Thesarit, Eduart Ypi, ka thënë se ai ka zbatuar urdhrat e eprorëve.

Cilat janë shkeljet

Deri më tani, prokuroria, në bazë edhe të kallëzimit të Ministrisë së Financave, ka në fokus 400 transaksione bankare, të kryera në fund të mandatit të qeverisë “Berisha”, përkatësisht në periudhën kohore qershor-shtator 2013. Nga këto transaksione janë lëvruar miliona euro, që kanë shkuar për firma të fuqishme, duke i “shpërblyer” për punën e kryer, madje edhe duke lënë shtresat në nevojë për paga. “Kemi provuar se Ministria e Financave ka dhënë disa urdhra, duke dërguar shkresa për Thesarin e Shtetit që të kryente pagesat për firma të ndryshme, ato që u kompensohej TVSH-ja apo edhe ato të ndërtimeve. Sipas ligjeve apo rregulloreve të vetë Thesarit të Shtetit apo Ministrisë së Financave, pagesat janë sipas një radhe të paracaktuar. Kështu, në fillim lëvrohet fondi për pagesat e invalidëve, nëpunësve të administratës, policisë, ushtrisë, mësuesve etj., dhe në fund, paguhen firmat për shërbimet, por sërish, sipas një radhe. Të parat paguhen kompanitë që kanë kryer punime prej muajsh apo vitesh dhe nuk janë ‘shpërblyer’ deri te pagesat e kompanive që kishin bërë shërbime kohët e fundit. Por as kjo radhë nuk është zbatuar nga Ministria e Financave”, pohojnë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Mësohet se në kallëzimin e Ministrisë së Financave ka edhe lista të atyre kompanive që kanë marrë miliona euro në kundërshtim me radhën, ndërsa akuza thotë se do të vijojë me dëshmitë, pasi më parë ka mbledhur mjaft prova për pretendimin e ministrisë që drejtohet nga Shkëlqim Cani. Ky i fundit ka dhënë disa detaje për këto abuzime, madje nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë. Megjithatë, ministria që drejton nuk ka preferuar ta bëjë publike këtë kallëzim, i cili rezulton të jetë i regjistruar në prokurori prej disa javësh.

Urdhrat për Thesarin

Prokuroria, në bazë të dokumenteve të sekuestruara, thotë se zyrtari nga i cili kalonin të gjithë urdhrat për Thesarin apo veprimet në këtë institucion, ishte Dorian Teliti, ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Financave. Ende nuk dihet roli i ish-ministrit Ridvan Bode në këta urdhra, pasi deri më tani, çështja hetohet në Prokurorinë e Tiranës. Nëse rezulton i përfshirë Bode, që është edhe deputet, atëherë çështja kalon në Prokurorinë e Përgjithshme. Burimet nga akuza nuk japin të dhëna për ish-ministrin, ndërsa konfirmojnë vetëm se “Teliti është aktualisht person nën hetim, ndërsa përgjegjësia e tij penal apo marrja në statusin e të pandehurit, ende nuk është vendosur”.

Nga ana tjetër, në një dëgjesë në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë në Kuvend, ish-drejtori i Thesarit të Shtetit, Eduart Ypi, largoi përgjegjësinë nga vetja për këto transaksione, që janë realizuar në fund të mandatit të qeverisë “Berisha”. “Pas tre auditeve, unë nuk kam më asnjë vërejtje. Ndërkohë, para se të përmendet kjo pagesa jashtë radhe, ka qenë ekskluzivisht jashtë meje. Po të ishte Ridvan Bode do t’ia thosha këtu. Më kishte përjashtuar si drejtor i përgjithshëm i Thesarit nga ky proces dhe unë nuk pyetesha fare”, tha Ypi para disa javësh, gjatë kohës që ai ishte në garë për komisioner tek Autoriteti i Konkurrencës, si një nga të përzgjedhurit e Presidentit Nishani. Ypi, para ligjvënësve, pranoi se pagesat janë bërë selektive dhe preferenciale, duke lënë pa paguar kompani që punët publike i kishin përfunduar vite më parë.

Mësohet se këto transaksione janë zbuluar në bazë të disa auditeve të kryera në Thesarin e Shtetit, ku me urdhra të firmosur nga ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave, janë kryer mbi 400 pagesa për disa kompani.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button