Politika

Drejtësia, Lu: Pas reformës, Byroja Kombëtare e Hetimit

aShtetet e Bashkuara presin nga klasa politike e Tiranës miratimin brenda pranverës të reformës në drejtësi, por me mbylljen e këtij kapitulli, nuk mbyllen përpjekjet e Uashingtonit për forcimin e demokracisë, shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit në Shqipëri.
Në një intervistë të gjatë dhënë për Zërin e Amerikës, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu deklaroi përparësitë e Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
“Veç reformës në drejtësi, këtë vit kemi në plan edhe tri përparësi të tjera: të vazhdojmë të punojmë drejt realizimit të nismës për krijimin dhe trajnimin e një Byroje Kombëtare Hetimi, bazuar në FBI-në amerikane, përmes së cilës shqiptarët do të hetojnë rastet e korrupsionit. Së dyti, ne po bashkëpunojmë shumë afër me Ministrinë e Mbrojtjes dhe vendet e tjera të NATO-s, për të modernizuar format e armatosura të Shqipërisë, kryesisht disa njësi të rëndësishme të ushtrisë, që të shërbejnë krahas forcave të NATO-s kudo në botë. Dhe së fundmi ne jemi shumë të angazhuar për zhvillimin e sektorit të organizatave joqeveritare në Shqipëri dhe të shtypit të pavarur, që të shërbejnë si vëzhguese të abuzimeve nga qeveria ose opozita”, deklaron Lu.
Kryediplomati amerikan në Tiranë ishte sërish i drejtpërdrejtë kur foli për reformën në drejtësi, këtë herë duke vendosur edhe afate kohore.
“Kam shumë besim se në pranverë 2016, Shqipëria do të ketë një reformë të thellë të gjyqësorit. Përse kam kaq shumë besim? Së pari, është mjaft e qartë se populli shqiptar e kërkon këtë reformë. Së dyti, Komisioni i Venecias ka folur qartë dhe me zë të lartë. Ata kanë thënë se kjo reformë është thelbësore për Shqipërinë dhe është e ngutshme. Bashkimi Europian ka thënë se kjo reformë do t’i hapë dyert, dëshirës së Shqipërisë për bisedimet e anëtarësimit. Së fundi, kjo reformë ka mbështetjen e plotë dhe entuziaste të partnerit strategjik të Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Tani është çasti që politikanët të bëjnë punën e tyre. Është e nevojshme që udhëheqësit e partive politike të punojnë së bashku për gjetjen e një formule, e cila të mund të mbështetet si nga opozita ashtu edhe nga qeveria”, u shpreh kryediplomati amerikan.
Lidhur me ligjin e dekriminalizimit, Lu tha se ligji është një mjet i fuqishëm për të ndarë politikën nga bota e krimit.
“Shpresojmë që si rrjedhojë e ligjit për dekriminalizimin, disa anëtarë të klasës politike do të largohen nga politika. Ka një pjesë në këtë ligj që më pëlqen mjaft. Është pjesa ku thuhet se ligji kërkon që çdo person në një post të zgjedhur zyrtar duhet të plotësojë me shkrim një deklaratë, ku thuhet: jam dënuar në Shqipëri në këtë apo atë kohë, për këtë ose atë krim, apo në çdo vend tjetër të planetit. Pra, duhet të deklarosh se kur e ke kryer krimin dhe nëse je dënuar. Në qoftë se nuk e bën dhe gënjen në deklaratë, kjo në vetvete është një krim për të cilin ndiqesh penalisht. Ky është ligji më i fortë në Europë për dekriminalizimin dhe një mjet tepër i fuqishëm për të ndarë botën e krimit dhe të politikës”, tha Lu.
Kritikave për ndërhyrje të fortë në politikën shqiptare, Donald Lu iu përgjigj duke thënë se “po mbron interesat e Shteteve të Bashkuara”.
“Unë do të pyesja, cili është roli i një ambasadori të huaj? Në mëndjen time, detyra kryesore për një ambasador të huaj është të punojë për zbatimin e interesave kombëtare të vendit të tij. Në rastin tim, të interesave të Shteteve të Bashkuara dhe unë kam udhëzime shumë të qarta nga shefat e mi më të lartë në Departamentin e Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë, që përparësia kryesore e qeverisë amerikane në Shqipëri është të mbështesë reformat, në mënyrë që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Dhe cila është reforma kryesore e nevojshme për këtë proces? Qartazi është reforma në drejtësi”, u përgjigj Lu.
Në fund, kreu i përfaqësisë diplomatike amerikane në Tiranë rrëfen edhe pse zgjedh të flasë shqip në daljet publike.
“Përpiqem të përdor çdo ditë gjuhën shqipe, sepse ambasadori Rayerson më ka thënë diçka. Ambasadori Rayerson ishte ambasadori i parë amerikan pas komunizmit dhe ai flet një shqipe të jashtëzakonshme. Ai më ka thënë se e vetmja mënyrë për të mësuar një gjuhë është të kesh kurajon, kurajon për ta përdorur atë. Dhe ai më tha gjithashtu se kjo është e vetmja rrugë që të nisesh të kuptosh shqiptarët e zakonshëm dhe jo vetëm elitat politike. Gjatë jetës sime kam mësuar 8 gjuhë dhe padyshim gjuha shqipe është më e vështira, por dhe më e bukura”, përfundon intervistën e tij Donald Lu.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button