Kronika
Durrës/ Kishte fshehur heroinën në brendësi të mjetit, ia zbulon qeni antidrogë
September 24, 2019
0 1 minute read
Shërbimet e Policisë Kufitare Durrës në port kanë goditur një tjetër rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.
Pas analizës së riskut, kontrollit në vijën e dytë, në pikën e kontrollit të mjeteve, duke përdorur edhe qenin antidrogë, shërbimet e Policisë Kufitare kanë kaluar në skaner mjetin tip Renault, me drejtues shtetasin N. K., dhe pas skanimit të mjetit, në brendësi të tij është dalluar një pako, e dyshuar se mund të kishte lëndë narkotike.
Menjëherë Policia Kufitare ka njoftuar grupin hetimor dhe Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës.
Gjatë kontrollit të imtësishëm të mjetit, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një pako, me peshë rreth 500 gr, me lëndë narkotike, e dyshuar heroinë.
Në përfundim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit N. K., 35 vjeç, banues në Durrës.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.