Politika

E largoi PD-ja, Rusmalin e punëson qeveria

Reforma në drejtësi

Ish-ministri dhe ish-deputeti demokrat, eksperti i Manjanit

Nga Herion Mesi

Reforma në drejtësi ka risjellë në aktivitetin publik pas afro 3 vitesh mungesë ministrit të Drejtësisë në qeverinë “Berisha”, Ilir Rusmali. Por ajo që bie në sy është fakti se ky kontribut i ish-deputetit të PD-së dhe ish-kryetarit të Komisionit të Ligjeve në legjislaturën e kaluar, nuk është kërkuar nga Partia Demokratike, por nga qeveria e majtë, e më konkretisht nga vetë ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani. Ai e ka caktuar Rusmalin, si një prej ekspertëve të pavarur që do të përfaqësojë institucionin që ai drejton në tryezat e përbashkëta të ekspertëve teknikë ndërpartiakë për reformën në drejtësi. Rusmali rikthehet në skenën politike pas tërheqjes së tij nga politika me përfundimin e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013-të që shënoi dhe kalimin e PD-së në opozitë. Rusmali u rendit i 17-ti në listën shumemërore të kandidatëve të PD-së për Qarkun e Tiranës, në zgjedhjet e 2013-s, gjë që bëri të pamundur marrjen e mandatit të tretë si deputet i PD-së në Kuvendin e Shqipërisë. Me përfundimin e kësaj gare do të niste dhe ftohja e tij me PD-në, ku ai u shfaq kritik ndaj procesit të zgjedhjeve të brendshme të PD-së, si dhe ndaj kryetarit të ri, Lulzim Basha. Dhe prej më shumë se dy vitesh, Ilir Rusmali ka shkëputur çdo kontakt me Partinë Demokratike, duke iu rikthyer aktivitetit të tij privat si avokat. Por pas harresës nga partia e tij, është ministri i LSI-së, i cili kërkon shërbimin e tij, ku Rusmali pritet të jetë zëri i Ministrisë së Drejtësisë, që gjatë gjithë procesit të reformës në drejtësi në ditën në vijim. Ai ka drejtuar për një kohë të gjatë Komisionin e Ligjeve do të jetë përkrah kryetarit aktual të Ligjeve, Fatmir Xhafaj që drejton dhe reformën në drejtësi. Deputeti demokrat ishte dhe një nga më të besuarit të Berishës gjatë negociatave me socialistët për reformën në kodin zgjedhor, duke ia besuar dhe drejtimin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar. Ndërsa mësohet se ministri aktual i Drejtësisë, Manjani, veç Rusmalit, ka afruar dhe një tjetër ekspert të jurisprudencës, Krenar Loloçin.

Takimi i ekspertëve

Konvertimi i të gjitha rekomandimeve të Komisioni të Venecias të shprehur në raportin e saj mbi amendimet kushtetuese të paraqitura nga të gjitha palët do të jetë puna e ekspertëve të të gjitha palëve mbi reformën në drejtësi në ditët në vijim. Është ky vendimi i mbledhjes së djeshme të ekspertëve të Komisionit të Posaçëm për Reformën në drejtësi, ku mes palëve është arritur një marrëveshje, për të punuar vetëm mbi draftin e Komisionit të Venecias dhe jo me draftet e veçuara të paraqitura nga PS, LSI dhe PD për këtë reformë. Dhe sipas kësaj marrëveshjeje është vendosur që produkti final do të dalë pikërisht nga analiza e imtësishme e dokumentit të Komisionit të Venecias. Në takimin e radhës së ekspertëve të drejtësisë u zhvillua pasditen e djeshme në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, PS-ja përfaqësohej me ekspertët Sokol Sadushi dhe Gent Ibrahimi, ndërsa PD-ja me Enkelejd Alibeajn dhe Gazmend Bardhin. Gjithashtu, në takim të pranishëm ishin edhe dy ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë, Ilir Rusmali dhe Krenar Loloçi. Dhe në përfundim të takimit që zgjati më shumë se dy orë dhe që u mbajt pa praninë e mediave, eksperti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, i cili bëri me dije dhe rezultatet e këtij takimi. Por nga ana tjetër, ai pohoi se nuk kishin munguar dhe debatet mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës për këtë çështje. “Kjo ishte mbledhja e parë për diskutimin e opinionit të Komisionit të Venecias. Pas diskutimeve të gjata, sepse më duhet të them që nuk ishin të lehta, u ra dakord që diskutimi i mëtejshëm është pikërisht ky: Dokumenti i vetëm, bazë mbi të cilën të gjithë ekspertët e të gjitha krahëve të jetë dokumenti, opinioni i miratuar nga Komisioni i Venecias. Dokument ky që është i qartë, nuk krijon asnjë lloj keqkuptimi apo dykuptimësie. Opinion që ka thënë qartë se çfarëdolloj reformë që duhet të kryhet nuk duhet të kapë sistemin e drejtësisë. Ky është një hap përpara, i drojtur, por është një hap përpara, sepse kjo lloj procedure e instauruar sot shpresoj që të vazhdojë edhe në ditët një vijim”, tha Alibeaj. Më tej, ish-ministri i Drejtësisë duke u nisur nga koha me shi tha se ky është një shi me bereqet, duke iu referuar konsensusit të arritur në këtë mbledhje, që çoi në tërheqjen e mazhorancës nga drafti i saj që prezantoi vetëm pak ditë nga publikimi i raportit të ekspertëve të Venecias. “Drafti i paraqitur disa ditësh nuk është draft i komisionit, është një dokument i ekspertëve, por jo i komisionit. I vetmi dokument që do punohet dhe mund të punohet është opinioni i Komisionit të Venecias. Të gjithë ekspertët në atë tryezë të rrumbullakët thjesht dhe vetëm do të identifikojnë çështje, të cilat janë të diskutueshme dhe do të identifikojnë edhe zgjedhjen përkatëse më të mirë nën germën dhe frymën e Komisionit të Venecias, së bashku në kushte barazie. Ky ishte konstatimi që unë thashë, pavarësisht shiut, ky duket se është si me bereqet”, tha Alibeaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button