Opinion

E majta radikale

Nga Leart Kola

Në emisionin OPINION të para disa kohëve, ku i ftuar ishte Ben Blushi, nga analistët pjesëtarë të togës së pushkatimit, i akuzuari, meqenëse nuk mund të kryqëzohej për “problemet statutore” që ngrinte, u vu në shenjestër për qëndrimet e tij “të majta radikale”.

Beni, si gjithë shqiptarët e mirë antikomunistë (pati dhe një paralelizëm mes PS dhe PPSH në diskutimin e tij) filloi të sikletosej, e përpara tentativës për të thënë ndonjë fjalë të mirë për Tsiprasin vendosi t’i dorezohej “këndvështrimit politik anti të majtës së Rakipllarit” (e thënë mes nesh veç  ideja e gjendjes brenda së njëjtës fjali të Rakipllarit dhe termit këndvështrim politik e bën shkrimin në vetvete absurd).

Në fakt, nëse Blushi do i dedikonte pak kohë filozofisë politike, do kuptonte që e Majta Radikale këto kohë nuk po ia kalon keq. Psh edhe për Greqinë që trimoshat tanë opinionistë dhe demokratë u duk se triumfuan në argument, në fakt s’kanë asnjë të drejtë.

Greqia e Tsiprasit, ka marrë jo vetëm marrëveshjet më të mira me BE, por edhe ka kapur në sekondë të fundit me thonj një shtet që po merrte të tatepjetën në greminë nga gjenialiteti konsensual si i të majtës kovencionale po ashtu edhe i së djathtës. Në udhëheqjen e Syriza është e vetmja kohë, këto kohët e fundit, që ekonomia sheh rritje dhe që grekët ndjejnë një lloj optimizmi.

Në fakt e majta radikale nuk ka ecur keq askund ku ka ardhur në pushtet. Marim Brazilin psh meqënëse sot është dhe në qendër të vëmendjes e meqë edhe Blushi e përmendi në emision. Nga fillimi i qeverisjes së Lula da Silva e deri në ditët e sotme ku në krye është shefja e tij e stafit Dilma Rouseff statistikat e varfërise ekstreme në Brazil janë ulur me 65%.

Chavezi në Venezule e uli varfërinë nga 16.6 ne 1999 ne 7% ne 2011. Për të vazhduar më pas dhe me shtete si Ekuadori  i cili e ka ulur varfërinë në 32% sipas Bankës Botërore.

Ndërkohë në të gjithë vendet në zhvillim që nuk kanë qënë të udhëhequr nga e Majta Radikale shoqëria është ndarë në një grup të vogël “fituesish të mëdhenj” dhe në një pjesë të madhe humbësish.

Thënë këto, mendja ta do që nga 8 vetë në emision, askush nuk kishte lexuar jo filozofi politike se mbase kjo është shumë po as kish qëmtuar ndonjë statistikë sa për të “mos mashtruar opinionin publik me qëndrimet klishe për qasjet politike”.

E megjithate Blushi nuk është i Majtë Radikal, ai thjesht bën një diskutim për të varfërit në një situatë politike ku Partia Socialiste implementon vetëm politika të djathta dhe për këtë arsye ata të Partisë Demokratike janë të nervozuar se nuk dinë çfarë të thonë e janë kufizuar vetëm në denoncime.

Pra e thënë vizualisht si tek ajo loja që kur ndalon muzika të gjithë duhet të zenë një karrike, Blushi është ulur te karrikja e majtë, politikat liberale të qeverisë Rama tek karrigia e djathtë, e për pasojë  Partia Demokratike ngelet në këmbë.

Leart Kola
Leart Kola

Po pse ka ndodhur kështu? Zakonisht të djathtët dallohen për një karakteristikë shumë interesante, gjithmonë denoncojnë me fjalë atë që në fakt më pas bëjnë vetë me vepra. Ka kësisoj disa paradigma që z.Rama i ka përdorur para se të vinte në pushtet e une dua dhe për efekt të hapësirës të analizoj vetëm dy prej tyre.

E para është fjalia që të gjithë mbajmë mend: “Nuk duhet të besojmë te njeriu, por tek sistemi! Dhe një Gjerman po ta sjellësh në Shqipëri me këtë sistem korruptohet po ashtu dhe një shqiptar po ta dergosh tek sistemi i tyre mbetet i pakorruptueshëm”.

Nuk po i hymë faktit që ketu ka një premisë të drejtës e të gabuarës, sepse sic e përshkruan Hana Arendt tek “Banaliteti i të Keqes” një gjerman i “ndershëm” krejtësisht pa incentive korrupsioni shfarosi në mënyrë burokratike 6 milionë çifutë, por po e marrim në këtë rast z.Rama alla lettera siç thonë italianët.

Çfare ndodhi  kur të gjithë prisnin Sistemin? Fokusi u vu tek Njerëzit, që pavarësisht kujdesit të vecantë të përzgjedhjes , nuk kishin treguar deri në atë kohë asnjë lloj besimi të ndonjë ideologjie politike, por as dhe një plan paraprak për dikasteret ku u përcaktuan. Loja kulmoi me përcaktimin e drejtoreshave të Tatimeve dhe Doganave ku “sistemi” kryesor që u thërrit në lojë për të demokratizuar institucionin duket sikur ishte fakti  që “ishin të pamartuara”, madje e para që u martua u largua.

Politika e dyte sistematike, është ajo që dëgjojmë të përdoret  kohët e fundit nëpër debate ku  z.Rama u thotë analistëve që e bejnë “politikën me vesh”. Në fakt ka të drejtë, sepse sic u pa dhe në krye të shkrimit kjo e dënimit të Blushit e nëpërmjet saj të dënimit të së majtës radikale me lehtësinë e papërballueshme të injorancës është në fakt një lloj politike e bërë me vesh. Po a është larg dhe Kryeministri yne kësaj politike?

Ne sot kemi një Qeveri, që nëse Ministria e Bujqësise një ditë do vendoste që tokën ta privatizonte tërësisht, apo Ministria e Ekonomise do vendoste që të shtetëzonte të gjithë asetet publike do ishin në rregull me filozofine qeverisëse. Pasi siç do thoshte Toni Blair në varësi të rastit dhe të efiçencës që ka në situatën e aktualitetit ekonomik çdo vendim është i pranueshëm. E si me magji, siç do thoshte  avokat Ngjela, qeverisja “shtyhet pak më andej” dhe bëhet një Qeveri e Djathtë, pavarësisht gabimit konvencional që drejtohet nga një Parti Socialiste. Në këto kushte tërbimi i PD-së është që ato që besojnë ata janë në fuqi, përveç tyre.

Frustrimi i tyre është për t’u kuptuar sepse me të drejtë thonë që, nëse keni në plan që si popull të mbështesni politikat neo-liberale që janë thelbi ekzistencës tonë është e padrejtë që ne të mos jemi ata që i implementojnë e të mbetemi pa punë.

Në këto kushte një akt subversiv do ishte që gjithë anëtarët e PD-së meqënëse PS është në fazë antarësimesh të antarësoheshin në Partinë Socialiste, kështu do arrinim dy fitore, do shmangnim skizofreninë e njerëzve që e dinë veten për të majtë dhe punojnë në një administrate të djathtë dhe do linim Lulin pa punë.

Kjo shpjegon lehtësisht dhe faktin pse Blushi duket i majtë radikal, sepse aq djathtas kanë ikur partitë tona, sa dhe përmendja shkarazi e ndonjë politike sociale në këtë situate të bën të dukesh si terrorist i Brigadave të Kuqe.

Për ta mbyllur, situata është katastrofike, por me sa duket aspak serioze. Mbase ka ardhur koha që sikur për muhabet kafeneje të flasim pak për të majtën, kështu në përgjithësi pa i vënë emër radikale apo liberale. Mbase nuk arrijmë ndonjë rezultat konkret ekonomik, po mund të marrim kënaqësinë që t’i prishim ditën Rakipllarit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button