Rajoni

E majta triumfon ne Greqi

Sondazhet e para të publikuara në Greqi, i japin SYRIZA-s së Alexit Tsipras një fitore të thellë, me një diferencë të thellëSyriza1

Menjëherë pas mbylljes së procesit të votimit, në orën 19.00 me orën greke (ora 18.00 orën tonë) janë publikuar exit pollet e para. Kështu sipas shifrave të shpërndara nga Euronews: SYRIZA e udhëhequr nga Alexis Tsipras ka marrë  35-39 % të votave, një diferencë mjaft e madhe nga Demokracia e Re, e kryeministrit në detyrë Antonios Samaras, e cila ka marrë 23-27% të votave. Në vendin e tretë janë Agimi i Artë dhe partia Potami me 6.4 – 8 %. Po sipas këtyre exit polleve, PASOK ka marrë 4.2-5.2% të votave.

Sipas sondazheve, Syriza do të jetë partia fituese, e cila ka për qëllim të formojë qeverinë e parë në eurozonë, që do të angazhohet hapur për anulimin e masave shtrënguese të programit të ndihmës. Sipas Exit Poll-eve Syriza mund të marrë nga 146-158 mandate në parlament të mjaftueshme për të formuar shumicën e thjeshtë në parlamentin prej 300 vendesh. Maxhoranca absolute është me 151 deputetë.  Lideri i SYRIZA-s, Alexis Tsipras, ka deklaruar sot ndërsa po votonte se “Sot bëhet historia, do të rifitojmë demokracinë”.

Përveç dy incidenteve të vogla, procesi i votimit ka kaluar qetë dhe pa probleme. Në orët e fundit të votimit, sipas mediave greke, partia ‘Demokracia e Re’ e Antonis Samaras ka thënë se do të kërkojë një hetim gjyqësor mbi postimet e sondazheve, të publikuara të internet.

Rezultatet e Exit Polleve:

SYRIZA ka marrë 35.88% të votave – 148 vende në Kuvend

Demokracia e Re ka 28.36% të votave – 78 vende në Kuvend

Agimi i Artë me 6.37 të votave – 17 vende në Kuvend

Potami me 5.82 % të votave – 16 vende në Kuvend

PASOK ka 4.83% të votave – 13 vende në Kuvend

Partia e re e Papandreut Lëvizja e Socialistëve Demokratë 2.45 % të votave  – nuk siguron vend ne Kuvend

Venizellos i uron fitoren SYRIZES  

Ministri aktual i Jashtëm i Greqisë, Venizellos, kreu i PASOK, partisë në koalicionin qeverisës, ka pranuar publikisht fitoren e partisë SYRIZA, duke uruar sukses për të mirën e vendit. Në një deklaratë për mediat ai tha se tashmë SYRIZA ka një përgjegjësi të madhe, pasi është zgjedhur nga populli. Venizellos tha se neonazistët e Agimit të Artë nuk duhej të ishin në vendin e tretë, por se PASOK duket të kishte atë vend. Kjo, shtoi Venizellos, do të kishte ndodhur nëse Papandreu nuk do të ndante partinë.

“Kemi detyrim që të respektojmë zgjedhjen e popullit. S’kemi kohë për të humbur, duam që gjërat të shkojnë mirë”, tha Venizellos.

Samaras: E nxora vendin nga kriza e thellë

Ora 21:45 Kryeministri në detyrë i Greqisë Antonis Samaras, ka pranuar publikisht humbjen, edhe para shpalljes së rezultateve zyrtare, duke marrë parasysh diferencën e thellë me partinë e kundërshtarit të tij politik Aleksis Tsipras.

Kreu i Demokracisë së Re, partisë së dytë pas SYRIZES, në një deklaratë nga selia e partisë së tij, tha se ndihej krenar për ndryshimet pozitive që i solli vendit, që siç theksoi ai e mori udhëheqjen e Greqisë në prag katastrofe dhe e nxori vendin nga kriza.

Ai tha se shpreson që partia e re që do të marrë drejtimin e Greqisë të mos hedhë poshtë arritjet që koalicioni i Demokracisë së Re me PASOK solli për vendin. Pavarësisht humbjes, Samaras tha partia e tij do të vazhdojë të ruajë rol të rëndësishëm për reformat.

“Kur mora qeverisjen e mora vendin në prag katastrofe dhe u përpoqa ta zgjidh situatën. Arritëm të evitojmë më të keqen dhe e nxorëm Greqinë nga kriza e thellë. Një koalicion partiak i panjohur për Greqinë, ishim të detyruar të ndërmerrnim hapa të vështirë megjithatë arritëm të evitojmë më të keqen. Pra sot dorëzoj vendin në një situatë më të mirë ekonomike, një vend që ka dalë nga kriza dhe mbi të gjitha dorëzoj një vend që është anëtar i BE dhe për të mirën e këtij vendi shpresoj që qeveria e re të mos i hedhë poshtë këto arritje. Unë ndihem krenar që i kam thënë të vërtetën popullit grek, shpresoj qe edhe qeveria e ardhshme të jetë e tillë. Rezultatet nuk janë të kënaqshme për ne, por tregojnë që Demokracia e Re qëndron ende pavarësisht vështirësive që ka përjetuar. Dhe pavarësisht këtij rezultati kemi një humbje të vogël në krahasim me zgjedhjet e mëparshme. Demokracia e Re do të vazhdojë të luajë rol të rëndësishëm për reformat, kemi nevojë që të ecim përpara. Do të vazhdojmë të luajmë plotësisht rolin tonë”, u shpreh Antonis Samaras, kryeministri ende ne detyre ne fjalimin e pare menjëherë pas shpalljes se rezultateve paraprake.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button