Kronika

E trishtë/ Aktori i njohur Guljelm Radoja ndërron jetë nga Covid-19

Aktori i njohur Guljelm Radoja ka humbur jetën si pasojë e Covid-19 në moshën 75-vjeçare.
Prej dy ditësh ishte i intubuar pasi gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua. Më shumë se një muaj qëndroi në spitalin e Durrësit dhe më pas u transferua tek spitali “Shefqet Ndroqi” në Tiranë.

Për lajmin e trishtë, ka reaguar edhe djali i Radojës me anë të një postimi në Facebook ku shkruan: “Pushofsh në paqe bab! Do ndrijnë akoma sytë e tu mbi ballin e vajzës, djalit, mbesave dhe nipit të vogël …Repose en paix papa …Tes yeux continuent à briller sur le front de tes enfants et petits-enfants.”

Ndërsa kryeministri Edi Rama postoi një fotografi të të ndjerit dhe shkroi: “Lamtumirë mik i dashur.” 
Presidenti Ilir Meta e ka cilësuar si një prej ikonave të kinematografisë dhe skenës shqiptare, i cili la gjurmë në trashëgiminë artistike dhe kulturën kombëtare. Meta shprehu ngushëllimet për familjen e aktorit të njohur dhe për komunitetin e artistëve për humbjen e madhe e të pazëvendësueshme.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin trishtues për ndarjen nga jeta të një prej ikonave të kinematografisë dhe skenës shqiptare, artistit të madh Guljelm Radoja, i cili me veprën e Tij la gjurmë të përhershme në trashëgiminë tonë artistike, kulturën kombëtare dhe kujtesën shpirtërore të shqiptarëve.
Falë interpretimit virtuoz, talentit dhe mjeshtërisë së rrallë artistike, Guljelm Radoja u dha përjetësinë personazheve të tij, duke e lartësuar dhe e përfaqësuar denjësisht artin shqiptar, aq sa me të drejtë mund të thuhet se kinematografia shqiptare humbi sot “Petro Nini Luarasin” e saj, që aq mjeshtërisht ai e solli në filmin “Kush vdes në këmbë”. Ashtu sikundër do të jenë të paharruara për të gjithë ne edhe dhjetëra personazhet e interpretuara prej Tij për shumë dekada.
Ngushëllimet më të ndjera për familjen Radoja dhe komunitetin e dashur të artistëve për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme.
Lamtumirë miku ynë i dashur!”, shkroi Meta.

Guljelm Radoja lindi në 2 korrik të vitit 1945 në qytetin e Shkodrës. Pas përfundimeve studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) për Dramaturgji në vitin 1972, fillon punën si aktor profesionist në Teatrin e Librazhdit. Më pas largohet nga ky teatër për të punuar si aktor dhe regjisor pranë Teatrit “Bylis” të qytetit të Fierit dhe më pas si aktor në Teatrin “Aleksandër Mojsiu” në Durrës. Ndër interpretimet e tij në teatër mund të përmendim rolet e tij në dramat “Bourgeois Wedding” e Bertold Brehtit, “Me syrin e një klouni” e Heinrich Bëllit, “Trojanët” e Vasilis Theodoropulosit etj.

Në kinematografi ai ka luajtur më shumë se 30 role. Roli i i tij i parë ishte ai i inxhinnierit të pyjeve në filmin “Gjurma” në vitin 1970. Më tej do të vazhdonin një sërë rolesh të tjera si roli i Tenente Gruabardhit në filmin “Në fillim te verës” në vitin 1975, roli i Stefan Bardhit në filmin “Mësonjëtorja” në vitin 1979, roli i Petro Nini Luarasit në filmin “Kush vdes në këmbë” në vitin 1984, roli i priftit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur” në vitin 1989, roli i prokurorit në filmin “Kolonel Bunker” në vitin 1998, etj.

Për meritat e tij artistike Guljelm Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button