Edhe ti, Brut ?!
Nuk pritej aspak që Belgjika t’iu bashkohej shtatë vendeve të tjera, që tashmë kanë vendosur kontrollet kufitare, duke rënduar Shengenin. Nuk pritej, pasi Belgjika është një nga vendet më eurofile të Evropës së bashkuar. Madje as Franca nuk e kishte parashikuar këtë pozicionim të Belgjikës. Edhe pse kampi me 4-5 mijë refugjatë i instaluar prej kohësh në Kale, me një vendim gjyqësor, që pritej të dilte nga momenti në moment, mund të shkatërrohej duke detyruar këtë fluks të kalonte në territorin belg. Tensioni nuk kurseu as hedhje-pritjen e batutave mes palëve, teksa Franca i uronte “kurajo” Belgjikës për kontrollin e 150 pikave të tjera kufitare, duke përfshirë dhe rrugë të tëra fshati, ndërsa Brukseli i kundërpërgjigjej Parisit, se nuk mund t’i pres krahëhapur flukset, që ju mund të na dërgoni.
Në fakt, ndjeshmëria e Belgjikës lidhet me zonën bregdetare ku mund të penetronin flukset që mund të vinin nga Franca, sidomos në prag të një sezoni turistik. Pra, kaosi, rrëmuja apo problemet me higjienën, që mund të gjeneronte ardhja e një fluksi të lartë refugjatësh në një moment të caktuar. Për më tepër, zonat bregdetare të territorit belg, i përkasin Flandrës, që tashmë njihet si për politikat strikte në lidhje me azilkërkuesit, por edhe për një lloj ashpërsie dhe mungese elasticiteti në lidhje me të huajt. Jo rastësisht edhe partitë nacionaliste me baza të forta ksenofobie i përkasin zonës së Flandrës. Po nga politika e kësaj zone vijnë edhe deklarata të vazhdueshme në lidhje me krizën e refugjatëve, që tronditin duke krijuar analogjizma të papërshtatshme, siç ishte së fundmi, propozimi për të ndërtuar një “Guantanamo për refugjatët, por pa tortura!”
Por, ky veprim i Belgjikës për vendosje të kontrolleve kufitare, i konfirmuar deri më 23 mars, ka shqetësuar Komisionin Evropian. Këtë të hënë, (29.02) Belgjikës i duhet t’i shpjegojë Komisionit ndërmarrjen e kësaj iniciative. Kjo pasi, futja e kontrolleve të brendshme kërkon që fillimisht të lajmërohet Komisioni si edhe shtetet anëtare (në bazë të nenit 23 dhe 24 të marrëveshjes së Shengenit). Ndërsa në rast se Belgjika kërkon të vendosë këto kontrolle në mënyrë urgjente, si një masë të menjëhershme, atëherë ajo mund ta bëjë këtë kontroll për 10 ditë (sipas nenit 25 të Shengenit), por me detyrimin për të njoftuar menjëherë si Komisionin por edhe shtetet anëtare, për natyrën e “kërcënimit serioz për sigurinë e brendshme”, duke shpjeguar njëkohësisht nevojshmërinë dhe proporcionalitetin në ndërmarrjen e këtij veprimi.
Gjithsesi, pas shpjegimit të pozicionimit të palës belge, Komisioni duhet të shprehet dhe në rast se, ky vendim konsiderohet i marrë nën nenin 25, atëherë Belgjika duhet të heqë kontrollet kufitare javës tjetër. I rëndësishëm është fakti që vihet re një elasticitet i palës belge, përballë pozicionimit të mundshëm të Komisionit. Duke marrë parasysh edhe faktin se mbyllja e kampit të Kalesë, është shoqëruar me vendosjen e një kampi tjetër po në territorin francez me kushte të përshtatshme, si edhe me alternativa zgjedhjeje.
Aktualisht zona Shengen është rënduar me vendosjen e kontrolleve kufitare në shtatë vende. Përveç Danimarkës, që i ka vendosur këto kontrolle në “kontekstin e ngjarjeve që kërkojnë veprim të menjëhershëm”, vendet e tjera kanë vendosur kontrollet kufitare në “kontekstin e ngjarjeve të parashikuara”.
Lista e vendeve, si më poshtë:
Danimarkë (4 janar- 4 mars 2016), vendosja e kontrolleve është e plotë me fokus të veçantë në kontrollin detar dhe kufirin tokësor me Gjermaninë. Arsyeja “ në kontekstin e ngjarjeve që kërkojnë veprim të menjëhershëm”, duke u theksuar fluksi i lartë i personave, që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare.
Norvegji (15 janar- 15 mars 2016) kontrolli është i vendosur në të gjithë pikat kufitare, me fokus kryesisht në portet detare.
Suedi (10 janar- 9 mars 2016) kontrolli është i shtrirë në të gjithë pikat kufitare, me fokus special në portet jugore dhe perëndimore dhe urës së Oresundit mes Danimarkës dhe Suedisë.
Austri (16 nëntor 2015- 16 mars 2016) të gjithë pikat kufitare, me fokus kryesisht në kufirin tokësor Slloveni-Austri. Kufiri mund të kalohet, vetëm në pikat e autorizuara për kalim (postat kufitare dhe aeroportet).
Gjermani (14 nëntor- 13 maj 2016) të gjithë pikat kufitare, me fokus të veçantë në kufirin me Austrinë.
Francë (13 nëntor- 27 mars 2016) gjendja e jashtëzakonshme, që u shpall në gjithë territorin francez, menjëherë pas sulmeve terroriste të 13 nëntorit.
Belgjikë (23 shkurt-23 mars 2016) kufiri ndërmjet Provincës së Flandrës Perëndimore dhe Francës.
Pra, nëse vështrojmë listën, përveç Gjermanisë që i skadojnë afatet e mbajtjes së kontrolleve kufitare në muajin maj, për të gjithë vendet e tjera, këto afate skadojnë së shpejti, në muajin mars. Kjo është edhe arsyeja se, pse i gjithë fokusi evropian, tashmë është i përqendruar në Samitin e 7 marsit me Turqinë, si e vetmja zgjidhje e mundshme dhe efikase, që mund të ndihmojë Evropën të menaxhojë dhe përballojë një nga krizat më të rënda në historinë e saj. A do t’ia dalin evropianët të bindin Turqinë ? Asgjë nuk përjashtohet, siç edhe është e sigurt, se koncesionet do të jenë të larta. Në fund të fundit, pragmatizmi ka pasur gjithmonë forcën të sfidojë mjeshtërisht moralin