Edi Rama në një udhëkryq të panjohur

Ulur në një karrige. Shikim i përhumbur. Sy të zmadhuar dhe lëvizje instiktive të kokës e trupit, shoqëruar me një shprehi të ngjashme me vështirësi në frymëmarrjeje.
Është Edi Rama në një video rastësore, pa regji, nga salla e mbledhjeve të Samitit të NATO-s në Stamboll.
Për habinë e të gjithëve, prapa kurrizit të tij parakalon Presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe Amerikës Donald Trump.
Edi Rama shfaqet duke mos bërë asgjë nga ato për të cilat konsiderohet i pa konkurueshëm në llojin e tij.
Nuk bën batuta, nuk i tregon askujt atletet, as lapsat në xhepin e xhaketës dhe as ngjyrat dhe dizenjon e kollaros.
Ka zgjedhur të mos bëjë as xhirot ‘rastësore’ vajtje-ardhje para syve të liderve kryesore të botës. Krejt larg stilit të tij të zakonshëm për të rrëmbyer vëmendjen edhe aty ku askush nuk ta ofron.
Brenda një intervali shumë të shkurtër kohe, në dy video të tjera të shkurtra Edi Rama shfaqet i lumtur në dukje, i buzëqeshur.
Në të parën, në krye të një delegacioni të vendosur si ansambël folklorik njofton njëanshëm mbajtjen e Samitit të rradhës së NATO-s në Shqipëri, pa datë e pa muaj.
Në të dytën, me të njëjtën skenografi njofton nga Brukseli mbylljen e tre kapitujve në negociatat me BE-në.
Ndryshimi? Këtë herë, videot janë me regji. Zyrtarët e shtetit në rolin e grupit polifonik mbajnë ison dhe shqiptojnë fjalët e fundit të fjalisë.
Videoja e parë na tregon gjendjen reale të Edi Ramës.
E dyta, na tregon se si dëshiron Edi Rama ta shohim në këto momente.
Zvogëlimi i numrit të pjesëmarrësve në protestën më shumë se 40 ditore para zyrës tij, kontrolli relativisht i gjërë i hapësirës televizive me tezat e maxhorancës, mundësia për të mbyllur 3 kapitujt e parë në procesin e negociatave me BE-në dhe as premtimi nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për mbajtjen e samitit të ardhshëm në Tiranë nuk duket se kanë sjellë qetësi tek Edi Rama.
Me siguri ai e di më mirë se kushdo se sulmi me direktivë i deputetëve dhe ministrave socialistë në rrjete sociale dhe televizione kundër protestave ka efekt vetëm të përkohshëm.
Zërat për sondazhe të brendshme jo dhe aq optimiste, që ndikuan tek vendimi për të mos e çuar Bashkinë e Tiranës në zgjedhje të parakohshme pak muaj më parë, janë konfirmuar si reale po të shohësh atë çka po ndodh në Tiranë prej më shumë se 40 ditësh.
Vrulli agresiv i socialistëve ndaj figurave të kryesore të protestës i ka bërë ata të shfaqin hapur arrogancën e 13 viteve qeverisje, një tipar problematik me efekt të drejtpërdrejtë në mbështetjen qytetare.
Përbërja e qeverisë, grupit parlamentar dhe më tej linja e pushtetit real deri në nivel drejtorësh në administratën shtetërore qendrore e lokale ka shënuar distancë solide ndaj bërthamës socialiste duke u shtrirë gjithnjë e më shumë agresivisht drejt opozitës zyrtare.
E kthyer tashmë në një sistem kapilar që po zbatohet prej disa vitesh dhe jo thjesht eksperiment, kjo mënyrë drejtimi politik ka krijuar zhgënjim brenda rradhëve të elektoratit socialist.
Shenjat janë dhënë edhe publikisht me prononcimet publike të disa prej figurave historike të së majtës.
Pasi kuptoi se protestat tejkaluan Zvërnecin dhe morën fokusin kundër qeverisë, Edi Rama i ftoi publikisht të krijojnë një alternativë politike dhe ta rivalizojnë në zgjedhje.
Dhe në fakt, hedhja e dorashkës ka efekt të shpejtë pasi nga zgjedhjet e rregullta lokale na ndajnë vetëm disa muaj.
Me një pakënaqësi të konsoliduar, veçanërisht në Tiranë siç tregoi edhe protesta; me SPAK-un një faktor të panjohur që mund ta surprizojë me një tjetër kërkesë në parlament për ish-zëvendës kryeministren; me pamundësinë për të llogaritur plasjen e ndonjë tjetër skandali publik në kohën e mbetur, Edi Rama është përpara dilemës se çfarë mund të bëjë për të shmangur humbjen dhe mbajtur fitoren.
800 mijë votat socialiste të vitit 2025 nuk mund të konsiderohen si konto bankare. Kapërcimi i gardhit nga votuesi socialist apo thjesht bojkoti i tij është njësoj i vështirë sa ishte kapërcimi, le të themi, i Dash Sulës nga fronti anti-Rama tek kolltuku i kryeinspektorit në të Ramës.
Ky është dhe momenti më delikat.
Personalizimi i fortë i pushtetit, eleminimi i figurave politike kryesore brenda socialistëve, promovimi në masë i ministrave, drejtuesve politik dhe deputetëve anonim e pa peshë e kanë kthyer në zero edhe eksperimentin e zakonshëm me riformatime të kabinetit qeveritar.
E çfarë do të ndryshonte nëse do të zëvendësohej Mirela Kumbaro me Zegjine Çaushin apo Evis Sala me Sara Milan a Briseida Çakërrin!
Si të mos mjaftonin këto, tabloja e socialistëve në Tiranë është dramatike.
Një qytet që nuk qeveriset. Një kryebashkiak në burg. Një kandidate e shpallur prej shumë muajsh në publik nga partia. Një kandidat tjetër i vetshpallur në rrjetet sociale.
Dhe gara për Tiranën është më shpejt se Rama do të donte. Kjo e shqetëson më shumë se çdo gjë tjetër.
Ai e di se atje ku filloi ngjitja e tij e pandalshme drejt majës së pushtetit një çerek shekulli më parë, në garën për Tiranën, atje mund të fillojë edhe rënia e tij e pandalshme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.